Ilustrim

Mantelbardhët të pakënaqur me vendimin për ndërprerjen e pushimit të tyre

Para pak ditësh u raportuar se punëtorëve shëndetësor iu është ndërprerë pushimi për shkak të situatës së krijuar me COVID-19, ku rastet e reja çdo ditë po kapin shifrën me mijëra të infektuar.

Se punëtorëve shëndetësor iu është ndërprerë pushimi, e kishte konfirmuar edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi.

Krasniqi u kishte kërkuar falje punëtorëve shëndetësorë të cilëve janë ishin të detyruar t’ia ndërpresin pushimet.

Mirëpo nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës po e shohin si të padrejtë vendimin e ShSKUK-së.

Kryetari i kësaj sindikate, Blerim Syla, në një prononcim për KALLXO.com e ka vlerësuar si të padrejtë gjithë këtë situatë.

“Ne e kemi kundërshtuar këtë vendim”, thotë Syla për KALLXO.com.

I njëjti tregoi se as pushimi që nuk do të mbahet nga punëtorët shëndetësor e as ditët shtesë të cilët ata po i mbajnë nuk do të paguhet.

“Nëse vetëm duan mos me e vazhdu pushimin, atëherë duhet me u pagu këto orë shtesë”, tha Syla.

Ai njoftoi se kanë pranuar ankesë, sidomos nga infermierët lidhur më këtë çështje.

“Kemi pas ankesa, sidomos prej infermierëve të cilët janë lodhë shumë ma shumë se mjekët”, tregon Syla.

Kryetari i FSShK-së tha që nuk duan të ndërmarrin veprime sindikaliste sepse do të kishte ndikime tek qytetarët.

“Krejt këto lëshime që jemi duke i bërë, janë për hir të popullatës”, tha Syla.

KALLXO.com kontaktoi edhe me Odën e Mjekëve të Kosovës, të cilët thanë se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë ankesë zyrtare ndonëse ka pakënaqësi nga punëtorët shëndetësorë.

“Është evidente që ka ngjallur pakënaqësi, por të gjithë e kemi respektuar dhe jemi kthyer në punë”, ka thënë për KALLXO.com Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

“Me siguri se do të ketë konsekuenca ligjore dhe financiare ndaj institucioneve shëndetësore”, shprehet Sejdiu.

Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ky vendim është marrë për shkak se Kosova është ende në gjendje te emergjencës së shëndetit publik.

“Ky vendim i Qeverisë për shpalljen e gjendjes së emergjencës së shëndetit publik nuk është shfuqizuar ende”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë për KALLXO.com.

Të njëjtit kanë njoftuar se edhe në MSh ka nëpunës që brenda dy vjetësh nuk kanë shfrytëzuar më shumë se pesë ditë pushim vjetor, pikërisht për shkak të angazhimeve rreth COVID-19.

“Është evidente që prej kur ka filluar pandemia në Kosovë, jo të gjithë të angazhuarit në sistemin shëndetësor publik dhe në menaxhimin e pandemisë , kane pasur mundësi t’i shfrytëzojnë të gjitha pushimet, me që gjendja emergjente e ka pamundësuar atë”, kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë.

Të mërkurën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që për tre muajt e ardhshëm, gusht, shtator dhe tetor, stafin shëndetësor dhe atë mbështetës të sektorit publik të paguaj neto prej 10% të pagës bazë më shumë, por jo më pak se 60 euro.

Mirëpo edhe ndaj këtij vendimi ka pasur reagim prej Odës së Mjekëve e Sindikatave shëndetësore të cilët e kanë parë si vendim skandaloz e “vitra”.

Që prej fillimit të pandemisë në Kosovë, më 13 mars të vitit të kaluar e deri më tani janë infektuar 132 mijë e 277 qytetarë, prej tyre 2 mijë e 356 kanë vdekur ndërsa 107 mijë e 999 janë shëruar.

Në anën tjetër, deri më tani janë vaksinuar 747 mijë e 898 qytetarë me një dozë të vaksinës përderisa 250 mijë e 626 qytetarë janë vaksinuar me dy doza të vaksinës.

Aktualisht në Kosovë janë në dispozicion dy lloje të vaksinës, “Pfizer” dhe “AstraZeneca”.

Sindikata e quan skandaloze vendimin e Qeverisë për 10% rritje të pagës