Protestojnë mantelbardhët, kërkojnë kalimin e Ligjit të Pagave

Me dhjetëra mantela të bardha janë hedhur sot para Qeverisë së Kosovës nga punëtoret e sektorit të shëndetësisë për të shprehur pakënaqësitë e tyre për gjendjen sociale të tyre si dhe mos përfshirjen në ligjin e pagave.

Kryetari i Federatave të Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla tha se sot kanë dal t’i shpalosin hallet e tyre për gjendjen sociale të punëtorëve.

“Arsyeja e mbledhjes tonë është ligji i pagave. Qeveria ka punuar në punë të fshehtë pa ftuar përfaqësuesit, jo vetëm të sindikatave por edhe shoqërive të tjera. Andaj ne kemi dal t’i themi stop kësaj jotransparence dhe kemi dal t’u themi se nëse ligji i pagave nuk shkon sivjet kjo protestë do të kthehet në reagime edhe më të ashpra sindikale”, u shpreh Syla.

Syla i ka kërkuar qeverisë, më saktësisë kryeministrit Kurti që të reflektoj, pasi që ai thotë se mantelbardhët janë duke ikur në mënyrë masive.

“Zotëri kryeministër, vetëm sivjet në tetë muaj kanë ikur 122 mjekë, mosha mesatare e të cilëve është 31 vjeç, kanë ikur me qindra e qindra infermier. Mosha mesatare e mjekut në QKMF është 57 vjeçare zotëri kryeministër pas 10 vjetëve pensionohen 1200 specialistë edhe po ju pyes juve kush do ta shëroj këtë popullat. Zotëri kryeministër reflektoni”, protestoi kryetari.

Pas tij, fjalën e mori, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Agron Hykolli, I cili u shpreh I gatshëm të përkrahë kolegët e tij për të gjitha kërkesat e tyre, duke bërë thirrje qeverisë që sa më shpejt t’i thërras sindikatat për dialog social.

Mantelbardhët u shprehën se në rast të mos realizimit të kërkesave të tyre do të vazhdojnë protestat javëve në vazhdim.