Ilustrim

Mjeku në QMF në Deçan pengohet në vend të punës, reagon Oda e Mjekëve

Pasditen e së premtes, Ramadan Tahiraj, mjek në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Strellc të Deçanit, është penguar në vendin e tij të punës nga një qytetar i kësaj ane.

Derisa ai po qëndronte në oborrin e qendrës së mjekësisë familjare në këtë fshat, një person ka filluar të shaj e ofendoj e më pas e ka shtyrë doktorin.

“Nuk ka pas ndonjë goditje a diçka vetëm më ka thënë fjalë fyese dhe më ka shtyrë, e kam thirrë unë policinë në vend të ngjarjes, jam anku”, tregon Tahiraj për KALLXO.com.

Për të marrë një sqarim më të detajuar për ngjarjen, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e shëndetësisë në komunën e Deçanit, Selman Berisha.

Ai tregon se komuna ka pranuar një donacion nga Qeveria e Kosovës për të ndërtuar qendrën e re të mjekësisë familjare në këtë fshatë dhe banorët e kësaj anë kanë protestuar me arsyetimin se prona ku është duke u ndërtuar është pronë private dhe kanë filluar të fjalosen me doktorin i cili, sipas drejtorit, nuk ka të bëjë asgjë me këtë çështje.

“E kemi marrë një donacion prej Qeveris ës Kosovës është duke u punuar Qendra e Mjekësisë Familjare e re, mirëpo ka qenë një kontest mes të kojshive që janë aty dhe kanë protestu janë fjalos me doktorin që ka qenë aty, nuk ka qenë problemi për shërbimet shëndetësore por kanë qenë kontest pronësor dhe pse ata nuk kanë asnjë të drejtë sepse është pronë e Kuvendit Komunal, por e kanë pengu doktorin”, sqaron drejtori.

Drejtori thotë se QMF e vjetër, e cila ka qenë e ndërtuar në po të njëjtin vend, është rrënuar dhe tani po ndërtohet qendra e re.

Në lidhje me këtë, dje, ka reaguar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës.

Përmes një komunikate OMK ka kërkuar nga institucionet shëndetësore, autoritete kompetente të nivelit qendror dhe lokal që të trajtojnë seriozisht sigurimin e mantelbardhëve në punë.

Oda e Mjekëve të Kosovës është shprehur e hapur për bashkëpunim me akterët shtetëror në mënyrë që të parandalohen sulmet ndaj mjekëve.

“Prokuroria e shtetit dhe Gjykata duhet të vihen në veprim sidomos në fazën e procedurës paraprake, në mënyrë që kryesit e këtyre veprave të tu caktohet masa e paraburgimit”, thuhet në reagimin e OMK-së.

Gjatë këtij viti me dhjetëra raste të sulmeve fizike e verbale ndaj stafit shëndetësor janë raportuar, sulme të cilat OMK i quan fenomene ditore për shkak të raportimeve të shpeshta për sulme në vende të punës.