Ilustrimi: Jeta Dobranja për Kallxo.com

Sindikata e quan skandaloze vendimin e Qeverisë për 10% rritje të pagës

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që për tre muajt e ardhshëm, gusht, shtator dhe tetor, stafin shëndetësor dhe atë mbështetës të sektorit publik të paguaj neto prej 10% të pagës bazë më shumë, por jo më pak se 60 euro.

Ministria e Financave për realizimin e këtij vendimi janë ndarë 2 milionë e 700 euro.

Mirëpo, nga Sindikata e Shëndetësisë janë shprehur të pakënaqur dhe e kanë quajtur “vendim skandaloz”

Për kryetarin e Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, ky vendim është skandaloz.

“Skandaloz, vendimi i sotëm i Qeverisë ka qenë skandaloz ma mirë mos me i pas nda hiç”, tha shkurtimisht ai për KALLXO.com

Kryetari i Odës së Mjekësve të Kosovës, Pleurat Sejdiu tha për KALLXO.com se për vendimin e Qeverisë për pagat shtesë i ka quajtur “vitra”.

“Shumën e 60 eurove nuk kemi se si ta komentojmë, sepse OMK ka insistuar tek qeveritë e kaluara dhe tek kjo e tanishmja se stimulimi i vërtet është aprovimi i ligjit të pagave ku do rregullohej paga meritore dhe e qëndrueshme e punëtorëve shëndetësor dhe jo me ” vitra””, është shprehur Sejdiu për KALLXO.com.

Në muajin maj ka qenë hera e fundit ku punëtorët shëndetësor kanë pasur rritje të pagës me vlerë 150 euro.

Pandemia dhe pagat shtesë për heronjtë

Ballafaqimi me pandeminë dhe të panjohurat rreth sajë kanë detyruar qeveritë e Kosovës që të ndajnë Pako Emergjente për disa kategori, duke përfshirë edhe stafin shëndetësor.

Për Pakon e Emergjente nga 300 euro në muaj për stafit shëndetësor, Policinë së Kosovës dhe Zjarrfikësit, Qeveria Kurti 1 pati ndarë 15 milion euro. Këto pako emergjente për këto kategori e kishte vazhduar edhe qeveria Hoti.

Në nëntor të vitit të kaluar Ministria e Shëndetësisë nën udhëheqjen e Armend Zemaj pati ekzekutuar pagë shtesë prej 250 euro për mjekët, infermierët dhe stafit mbështetës.

“Për mjekët shtesa është 250 euro në muaj, për infermierët 150 euro, kurse për stafin mbështetës nga 100 euro për muaj. Për mjekët dhe infermierët, pagesat janë bërë për muajin shtator dhe tetor, ndërsa për stafin mbështetës për muajt korrik, gusht, shtator dhe tetor”, pati thënë në atë kohë Zemaj.

Pagat mbështetëse për stafin shëndetësor janë ndarë deri në muajin maj të këtij viti.

Që prej fillimit të pandemisë në Kosovë, më 13 mars të vitit të kaluar e deri më tani janë infektuar 132 mijë e 277 qytetarë, prej tyre 2 mijë e 356 kanë vdekur ndërsa 107 mijë e 999 janë shëruar.

Në anën tjetër, deri më tani janë vaksinuar 747 mijë e 898 qytetarë me një dozë të vaksinës përderisa 250 mijë e 626 qytetarë janë vaksinuar me dy doza të vaksinës.

Aktualisht në Kosovë janë në dispozicion dy lloje të vaksinës, “Pfizer” dhe “AstraZeneca”.