Situata me COVID-19, Kuvendi nesër mban seancë të jashtëzakonshme

Kosova shënoi të mërkurën rekord të rasteve me COVID-19 që nga shpërthimi i pandemisë në vend.

Për shkak të situatës së krijuar, Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër seancë të jashtëzakonshme.

Seanca do të fillojë në ora 11:00 me pikën e vetme të rendit të ditës – debat parlamentar për gjendjen me COVID-19.

Ndërkaq nga ora 15:00 do të mbahet seancë plenare me 9 pika të rendit të ditës.

Ndër pika të rendit të ditës do të jetë edhe formimi i komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb.

Ky është rendi i plotë i ditës për seancën plenare:

1.    Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2.    Pyetjet parlamentare,
3.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit ne.08/L-035 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-017 për ndihmën Juridike Falas,
4.    Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-118,
5.    Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve,
6.    Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb,
7.    Raportimi i Qeverisë së Kosovës në Kuvend rreth “Progresit në përfshirjen e objektivave të zhvillimit të Qëndrueshëm në legjislacion, politika dhe buxhet”,
8.    Debat parlamentar lidhur me Raportin për Vendin për vitin 2021,
9.    Zëvendësimi i anëtarit të GP LS në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e komuniteteve dhe Kthim.