Komuna e Shtimes eliminon 8 kompani nga gara për tenderin për asfaltim

Komuna e Shtimes i ka eliminuar nga gara 8 kompani dhe ia ka dhënë kontratën kompanisë së vetme të përgjegjshme që kishte mbetur në garë në një tender për ndërtim të rrugëve.

Kontrata i është dhënë konsorciumit “Linda & Euro Infrastruktura”, të cilët kishin ofertuar në vlerë 376 mijë e 888 euro.

Edhe kompania që është shpërblyer me kontratë për asfaltimin e rrugës “14 Dhjetori” fillimisht ishte eliminuar nga gara për mungesë të dokumenteve që tregojnë se dy nga automjetet që i kishin dorëzuar si pjesë të ofertës nuk kishin regjistrim.

Është dashur të merret vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit që e njëjta kompani të rikthehet në garë e më pas Komuna e Shtimes të rekomandojë për kontratë të njëjtën.

Përkundër që i ka eliminuar nga gara 8 kompani, Komuna e Shtimes nuk ka treguar fare për arsyet e eliminimit pasi dokumentin (Vendimin e AK) në të cilin tregohet një gjë e tillë nuk e ka publikuar në platformën e E-Prokurimit, siç obligohet me ligj.

Inicimi dhe financimi i tenderit

Më 14 tetor 2022, Komuna e Shtimes kishte publikuar njoftimin për kontratë, hapjen e tenderit “asfaltimi i rrugës 14 Dhjetori”, për të cilin i kishte ndarë 382,542 euro. Ky projekt është financuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – MMPHI, por procesi i prokurimit është realizuar nga Komuna e Shtimes, që udhëhiqet nga Qemajl Aliu i Vetëvendosjes.

Përkundër që ishte planifikuar të shpenzoheshin 382 mijë euro, Komuna e Shtimes e kishte caktuar afatin për dorëzim të ofertave 10 ditë më pak se sa parashihet në ligj për tenderë të ngjashëm.

“Shkurtimi i afatit bëhet për arsye se projekti është financuar nga Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dhe duke marrë parasysh se jemi në fund të vitit fiskal, dhe mund të përkeqësohet moti, jemi të detyruar ta shkurtojmë afatin” – thuhet në njoftimin për kontratë.

Bazuar në procesverbalin e hapjes, i cili është i ngarkuar në E-prokurim, në këtë tender kanë ofertuar 9 operatorë ekonomikë.

Arsyet e eliminimit

Komuna e Shtimes fillimisht i kishte eliminuar të gjitha kompanitë nga gara si të papërgjegjshme edhe pse bëhej fjalë për asfaltim të një rruge.

Operatorët ekonomikë ishin njoftuar përmes emailit për arsyen e eliminimit, ndërsa Autoriteti Kontraktues nuk e ka publikuar në E-prokurim dokumentin “Njoftim mbi Vendimin e Autoritetit Kontraktues”, në të cilin janë arsyet e eliminimi të ofertueseve. I njëjti vendim është siguruar vetëm përmes kërkesës për qasje në dokumentet publike.

Komuna e Shtimes i ka eliminuar nga gara gjashtë ofertues me të njëjtin arsyetim se “nuk kishin ofruar dëshmi “librezën për Automikserin vetëngarkues”. Për mungesë të kësaj dëshmie Komuna e Shtimes i ka eliminuar nga gara operatorët ekonomikë: “Arlindi shpk & Pro & Co Group shpk”, “Bujar Shabani B.I. (Bageri)”, “Dashnim Jashari B.I”, “Lunari Company & Lunari Shpk”, “Rahovica Comerce SH.P.K.” dhe “Kosova Asfalt”.

Kurse, operatorin “Quality Asphalt” e ka eliminuar nga gara me arsyetimin se “Ju mungon Deklarata nën Betim” dhe “Sigurimi i Tenderit”.

Ndërsa, kompania “Vali Invest” është eliminuar nga gara me arsyetimin se ju mungon deklarata nën betim, qarkullimi bankar dhe disa pika nga kërkesat teknike dhe profesionale të kërkuara në Dosjen e Tenderit.

Ankesat kundër njoftimit për eliminim nga gara

Kundër njoftimit të Komunës së Shtimes për anulim të tenderit ishin dorëzuar dy kërkesa për rishqyrtim, bazuar në nenin 108/A të Ligjit të Prokurimit.

Fillimisht ishte ankuar kompania “Linda & Euroinfratuktura”, e më pas edhe operatori “Bageri”. Të dy ankesat ishin refuzuar nga Komuna e Shtimes, të cilit kishin vendosur që të lënë në fuqi njoftimin për anulim të tenderit.

Meqë  AK ka refuzuar kërkesat e këtyre dy subjekteve garuese, ato në afatin e paraparë ligjor kanë bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke pretenduar se vendimi i Komunës ka qenë i jashtëligjshëm, dhe se ato kanë përmbushur kërkesat për të cilat janë vlerësuar si të papërgjegjshme.

Menjëherë pas ankesës, OSHP-ja ka autorizuar ekspertin shqyrtues që të shoshis pretendimet e palëve ankimuese.

Eksperti, në raportin e datës 5 dhjetor 2022, i kishte rekomanduar Panelit Shqyrtues të OSHP-së që tenderi të kthehet në rivlerësim, pasi kishte vlerësuar se “Linda & Euroinfratuktura” ishte eliminuar nga gara padrejtësisht. Kurse, ankesa e kompanisë “Bageri” ishte vlerësuar si e pabazuar nga eksperti i caktuar nga OSHP-ja.

“Duke u bazuar  në sqarimet e OE Linda & Euroinfratuktura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi mbi vendimin e autoritetit kontraktues dhe lënda të kthehet në rivlerësim. Ndërsa duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, Bageri (Bujar Shabani BI), eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të merret si e pabazuar” – thuhet në raportin e ekspertit të OSHP-së.

Pretendimet kryesore ankimore të “Linda & Euro infrastruktura” kanë qenë: Pretendimi nr.1 se AK i ka eliminuar me arsyetimin se nuk e kanë plotësuar listën e pajisjeve, konkretisht librezat për dy kamionë nuk kanë qenë valide, pasi iu ka skaduar validiteti i regjistrimit.

Eksperti shqyrtues ka sqaruar se librezat kanë qenë valide, pasi është dokumentar ekzistenca e të cilave është fiksuar para skadimit të afatit për dorëzimin e tenderëve, dhe mund të identifikohet në mënyrë objektive pasi që regjistrimi i fundit mban vulën dhe datën 02.10.2022, dhe tjetri 25.08. 2022.

Komuna e Shtimes ishte pajtuar me raportin dhe rekomandimet e ekspertit shqyrtues. Menjëherë pasi ishte pajtuar me mendimin e ekspertit, Komuna e Shtimes kishte vazhduar me rivlerësim të tenderit pa e pritur fare vendimin e OSHP-së.

Më datë 14 dhjetor 2023, Komuna Shtimes e kishte vlerësuar si fitues të tenderit konsorciumin “Linda & Euro Infrastruktura”, të cilët kanë pasur ofertën e gjashtë më të shtrenjtë me rastin e dorëzimit të ofertave.

Meqë pesë operatorët që kishin dorëzuar oferta më të lira ishin eliminuar nga gara, rendi i kishte ardhur operatorit “Linda & Euro Infrastruktura”. Të gjitha ofertat e tjera më të lira, por edhe ato më të shtrenjta janë eliminuar për disa arsye, kryesisht me arsyetimin që nuk i kanë plotësuar disa prej kapaciteteve ekonomike dhe financiare që kanë qenë të cekura në Dosjen e Tenderit si kushte për plotësim.

Por, kundër këtij vendimi ishte ankuar kompania “Bageri” duke ia kujtuar Komunës së Shtimes se nuk është pajtuar me mendimin e ekspertit dhe se janë duke e pritur vendimin e OSHP-së.

Komuna e Shtimes e kishte aprovuar kërkesën e kompanisë “Bageri” me arsyetimin se nuk kanë qenë të informuar se kompania në fjalë nuk ishte pajtuar me mendimin e ekspertit dhe se lënda ende është në shqyrtim nga OSHP-ja.

Dy javë pasi Komuna e Shtimes e kishte rekomanduar për kontratë, OSHP-ja kishte marrë vendim për këtë proces të prokurimit pasi njëra nga kompanitë ankuese nuk ishte pajtuar me mendimin e ekspertit.

Kësisoj, më 12 janar 2023, Komuna e Shtimes e ka bërë njoftimin për nënshkrimin e kësaj kontrate. Megjithëkëtë, edhe pse janë bërë gati rreth gjashtë muaj, Komuna e Shtimes nuk e ka publikuar në E-prokurim kontratën.

Në një përgjigje me shkrim, Komuna e Shtimes ka thënë se punimet në këtë rrugë kanë filluar, por përfundimi i tyre do të bëhet tek në nëntor të vitit 2024.

Sipas përgjigjes së komunës, kontrata tashmë është nënshkruar me operatorët fitues që fillimisht ishin diskualifikuar si shkak i jovaliditetit të dokumenteve të kamionëve.

“Kontrata për rrugën “14 Dhjetori” është nënshkruar dhe punimet kanë filluar. Deri më tani janë zhvilluar punime dhe është bërë e hapja e tërë e trasesë. Pra gërmimi, mbushja me zhavorr, ngjeshja dhe kanalizimi atmosferik janë përfunduar. Data e përfundimit të gjitha punëve është 03.09.2024” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Shtimes.

Edhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) në një përgjigje me shkrim ka thënë se kontrata për këtë aktivitet të prokurimit është nënshkruar dhe e njëjta është në implementim e sipër. Ata kanë thënë se Komuna e Shtimes në rastin konkret është e obliguar t’i përmbahet afateve të përcaktuara në kontratë për realizim të punimeve.

Ky artikull është shkruar nga Blerta Agushi përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.