Kuvendi

Foto: Denis Sllovinja

Karakteristikat e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës

Shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, tregojnë se Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e re do të ketë ndryshime të theksuara.

Lidhur me këtë çështje, Eugen Cakolli nga Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV), në një intervistë për KALLXO.com, ka folur rreth përbërjes së re që do ta ketë Kuvendi i Kosovës, por edhe krahasime mes votave të deputetëve, nga zgjedhjet e kaluara.

Cakolli ka theksuar, se për herë të parë në historinë politike të Kosovës, një subjekt ka arritur që të fitojë apo të ketë rritje prej 98 për qind në votat e  fituara nga zgjedhjet paraprake dhe madje duke e dyfishuar numrin e mandateve.

Sipas tij, më këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje, “bëhet subjekti me numrin më të madh të deputetëve të fituara ndonjëherë nga ndonjë parti në Kosovë, duke shkuar nga 29 në 58 deputetë, që përmbanë dyfishim të këtij rezultati”.

Eugen Cakolli, Foto: Facebook

Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 19, ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 8 ulëse.

Ndërsa nga votat e komuniteteve, Lista Serbe ka siguruar 10 ulëse, Kosova Demokratike Turke  dy ulëse, Iniciativa Rome dy ulëse, Koalicioni Vakat një ulëse, Inicativa e Adriana Hoxhiq një ulëse, Partia e Ashkalijëve për Integrim një , partia JGP një dhe Iniciativa e re Demokratike e Kosovës një ulëse.

Në anën tjetër, kandidatja për presidente Vjosa Osmani e cila garoi në listën zgjedhore të LVV-së, është bërë personi më i votuar në Kosovë.

“Ajo çfarë bie tjetër në sy, rekordi tjetër i tyre është nga zonja Vjosa Osmani e cila bëhet kandidatja më e votuar ndonjëherë në Kosovë, e cila ka arritur që të fitojë vota e vetme, më shumë sesa bartësit e listave të të gjitha subjekteve tjera politike, pra 27 subjekteve politike të marrë së bashku”, thotë Cakolli.

Sipas tij, kandidati tjetër për deputet  i LVV-së, Glauk Konjufca ka marrë 128 mijë vota më shumë në këto zgjedhje.

“Sidoqoftë edhe pse zonja Osmani është kandidatja më e votuar në Kosovë, nëse krahasohet si rezultatet me zgjedhjet e fundit, atëherë i bie që Glauk Konjufca është në fakt kandidati me rritjen më të madhe, pra i cili ka fituar diku rreth 128 mijë vota më shumë sesa që janë fituar në zgjedhjet e vitit 2019”, tha ai.

Hulumtuesi nga DnV-ja ka shtuar se rritje mjaft të madhe në vota ka pasur edhe Enver Hoxhaj nga PDK-ja, cili ka fituar 80 mijë vota më shumë sesa në vitin 2019, “mirëpo që kësaj here duke qenë bartës i listës është deri diku e pritshme të ketë një numër të tillë”.

Pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, subjektet politike dhe kandidatët e tyre për deputetë, kanë të drejtë të dorëzojnë ankesat e tyre brenda 24 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Të njëjtit kanë të drejtë që t’i drejtohen edhe Gjykatës Supreme. Këto zhvillime mund të shtyjnë certifikimin e zgjedhjeve, ndërkaq pasi të përfundojë ky proces, brenda 30 ditësh duhet të konstituohet legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës.

Konstituimi i Kuvendit, i hapë rrugë më pas dekretimit të kandidatit për kryeministër dhe formimit të qeverisë së re.

Fitimtarët dhe humbësit

Eugen Cakolli (DnV), thotë se Kuvendi i Kosovës do të ketë rreth 40 deputetë të rinj, të cilët nuk kanë qenë më parë deputetë, prej të cilëve janë mbi 35 sosh të cilët do të jenë deputetë të zgjedhur për herë të parë, ndërsa pjesa tjetër deputetë që mund të kenë garuar në zgjedhjet e kaluara.

“Në mesin e tyre, në mesin e 10 deputetëve të më votuar në vend, 8 prej tyre janë të Lëvizjes Vetëvendosje, një i LDK-së dhe një i PDK-së. Pra nëse flasim për këta 10 deputetët më të votuar në mesin e deputetëve që janë zgjedhur për herë të parë dhe jo si total”, theksoi ai për në intervistën për KALLXO.com.

Në anën tjetër, mjaft deputetë nuk kanë arritur që të sigurojnë sërish ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Cakollit, 41 deputetë nga legjislatura e kaluar nuk kanë arritur që kësaj here të fitojnë mandate dhe kanë humbur rreth 125 mijë vota gjithsej.

“Pjesa më e madhe e të cilëve janë në mesin e LDK-së, e cila pra ka shënuar rënien më të madhe”, shprehet ai.

Grafika: KALLXO.com

Sa i përket rënies së votave të kandidatëve, ai shton se deputeti me rënien më të madhe mbetet Ramush Haradinaj nga AAK-ja, i cili ka rreth 35 mijë vota më pak, pasuar nga dy deputetët e LDK-së, Anton Quni me rreth 17 mijë vota dhe Marigona Geci me rreth 11 mijë vota më pak sesa që i kanë fituar në zgjedhjet e vitit 2019.

“Në kuadër të kësaj liste ndodhen edhe dy deputetë të LVV-së, Yllza Hoti e cila ka humbur rreth 9 mijë vota, si dhe Haki Abazi i cili ka humbur rreth 8 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e kaluara”, tha Cakolli.

Gratë në Kuvend

Në këto zgjedhje do të ketë 44 gra të përfaqësuara në Kuvend që është numri më i madh i grave që ka pasur legjislativi ndonjëherë.

Kështu ka deklaruar në intervistën për KALLXO.com, Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim.

“Brenda këtij numri kemi numrin më të madh të grave me mbi 30 gra të zgjedhura pa pasur nevojë për kuotë por të cilat me votë meritore kanë arritur që të fitojnë numrin e nevojshëm të votave. Gratë e zgjedhura në këtë legjislaturë, marrë së bashku kanë rreth 900 mijë vota gjithsej që përbën një lloj indikacioni të një niveli më të lartë të emancipimit dhe të votimit të grave kandidate”, shprehet ai.

Po si është renditja e grave të ardhshme deputete, sipas subjekteve politike?

Sipas Cakollit, LVV-ja, prinë me numrin me të madh të grave me rreth 40 për qind të grave deputete derisa në anën tjetër LDK që sipas tij, tradicionalisht ka pasur gra deputetë të zgjedhur kryesisht pa kuotë, kësaj here në mesin e pesë deputeteve gra, vetëm një prej tyre në fakt ka arritur që të sigurojë numrin e nevojshëm të votave pa ndihmën e kuotës ndërkaq katër deputete tjera kanë hyrë falë kuotës.

Siç shprehet ai, një numër përafërt i tillë është edhe në mesin e deputetëve të zgjedhur të PDK-së, por edhe atyre të AAK-së.

Në anën tjetër, Nisma Socialdemokrate kësaj radhe nuk ka arritur që ta kalojë pragun prej 5 për qind për tu përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.

“Nisma Socialdemokrate është subjekti që ka pësuar  në përqindje rënien më të madhe në vota duke humbur gati 50 përkatësisht 48 për qind të elektoratit të saj, mirëpo që kandidatët e Nismës, në këtë rast bartësi i listës z. Fatmir Limaj është në mesin e kandidatëve me rënien më të madhe në vota, duke humbur dikur rreth 17 mijë vota gjithsej”, përfundoi Eugen Cakolli për KALLXO.com.