DnV kërkon rritje të kapaciteteve në QNR dhe hetim për votat e minoriteteve

Demokracia në Veprim ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të rris kualitetin e trajnimeve për komisionerët.

“KQZ duhet medoemos të ndërmarr hapa për rritjen e kualitetit të trajnimeve, apo edhe të krijohen mekanizma për ndëshkimin e komisionerëve të cilët si rezultat i gabimeve, njerëzore apo të qëllimshme, kanë deformuar vullnetin qytetar dhe në mënyrë indirekte kanë ndikuar në vonimin e procedurave paszgjedhore deri në certifikimin e rezultateve zgjedhore”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu DnV ka kërkuar që Qendra e Numwrimit tw Rezultateve (QNR) të rrisë kapacitetet për rinumërimin sa më shpejtë të rreth 500 kutive.

“DnV rikujton që vendi ndodhet para limiteve të fundit kohore për zgjedhjen e Presidentit, të cilit duhet t’i paraprijë konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e Qeverisë së re. Prandaj, DnV kërkon që, për aq sa është e nevojshme, QNR të rrisë edhe më shumë kapacitetet humane për menaxhimin dhe përmbylljen e procedurave brenda një periudhe sa më të shpejtë kohore”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu në këtë komunikatë DnV vlerëson se votat e Ardiana Hoxhiqit dhe ‘Romani Iniciativës’ janë të diskutueshme, në radhë të parë për shkak se janë fituar në zona ku nuk ka koncentrim të komuniteteve përkatëse, si dhe së dyti, për shkak se delegjitimojnë idenë e vendeve të garantuara për komunitetet në Kuvend.

“Votat e fituara nga subjektet politike “Ujedinjena Zajednica Adrijana Hodzic” dhe “Romani Iniciyativa” janë rezultat i një rritje të pazakontë të daljes së votuesve në zonat me shumicë serbe, ku janë fituar shumica dërrmuese e votave përkatëse të këtyre dy subjekteve”, thuhet aty.

Për dyshimet e tyre, DnV ka kërkuar hetim nga organet kompetente.

“DnV kërkon trajtimin e këtij fenomeni nga organet kompetente, në mënyrë që i njëjti të mos shndërrohet në normë dhe precedent për subjektet e mëdha politike, që do të mund të krijonin subjekte “satelite” tek komunitetet, duke tjetërsuar vullnetin e vërtetë të qytetarëve të komuniteteve përkatëse, e që do të minonte edhe arsyen e ekzistimit të ulëseve të garantuara”, thuhet ne reagim.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Iniciativa e Adrijana Hoxhiqit ka marrë 6 mijë e 379 vota, mirëpo më shumë se gjysma e votave për të kanë ardhur në 4 komunat veriore.

Kundërshtarët politikë të Hoxhiqit pretendojnë se ka pasur një marrëveshje mes Listës Serbe dhe Iniciativës së Hoxhiqit që të votohet kjo e fundit.

Në anën tjetër kryetari i partisë egjiptiane (PLE), Veton Berisha ka akuzuar partinë ‘Romani Iniciativa’ të komunitetit rom për bashkëpunim më Listën Serbe.

Në zgjedhjet e së dielës sipas rezultateve preliminare, ‘Romani Iniciativa’ i ka marrë 3,827, madje kjo parti ka marrë vota edhe në komuna ku nuk jeton asnjë banor i komunitetit rom.

Gazmen Salijevic nga ‘Romani Iniciativa’ mohon çdo lidhje me Listën Serbe