Ilustrim - Qendra e votimit në Shkollën "Haziz Sylejmani" në Mitrovicën e Veriut

DnV: Zgjedhjet në veri, pa asnjë incident apo kërcënim të integritetit të procesit zgjedhor

Organizata Demokracia në Veprim (DnV) tha se refuzimi i partive serbe dhe tërheqja e kandidatëve nga gara zgjedhore ka bërë që zgjedhjet e sotme në 4 komunat veriore të bojkotoheshin nga votuesit serbë.

Sipas DnV-së, siguria e procesit zgjedhor është garantuar nga Policia e Kosovës, e cila ka pasur prezencë në afërsi të të gjitha qendrave të votimit.  Si rrjedhojë, organizata thekson se procesi zgjedhor është përmbyllur pa asnjë incident apo kërcënim të integritetit të procesit zgjedhor.

“Refuzimi i subjekteve politike nga komuniteti serb për të marrë pjesë në zgjedhje, si dhe tërheqja e kandidaturave pas certifikimit nga KQZ, ka rezultuar me bojkotim të zgjedhjeve nga ana e votuesve të komunitetit serb në këtë pjesë. Në këtë drejtim, rol kanë luajtur edhe thirrjet dhe kërkesat e vazhdueshme të Listës Serbe për mospjesëmarrje në zgjedhje të votuesve serb”- thuhet në postimin e DnV në facebook.

Sipas DnV-së edhe lokacioni i kontejnerëve nuk ka qenë i duhuri.

“Qendrat e improvizuara të votimit kanë qenë të vendosura përgjatë rrugëve magjistrale, larg zonave të banuara, duke qenë kësisoj vështirë të arritshme nga votuesit potencial. Gjithashtu, shumica e vendvotimeve kanë qenë të fuzionuara në qendra alternative të votimit, ku numri i votuesve të regjistruar për qendër ka arritur deri në rreth 6 mijë sosh”- thuhet në reagim.

Tutje sipas DnV përderisa në zonat e banuara nga komuniteti serb ka pasur bojkotim pothuajse të plotë të zgjedhjeve, në zonat e banuara nga komuniteti shqiptar, është evidentuar një trend më i lartë i daljes në votime.

“Në këtë mënyrë, ndonëse zgjedhjet plotësuan kriteret minimale ligjore, ato nuk garantojnë legjitimitet politik e përfaqësues të institucioneve që do të prodhohen nga to”- thuhet tutje në reagim.

Në ora 19:00 qendrat e votimit në katër komunat në veri, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok janë mbyllur.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se deri në ora 15:00 mbi një mijë votues kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

Mbyllen qendrat e votimit në katër komunat veriore