DnV bën thirrje për hetime rreth dyshimeve për falsifikim të votave

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), i ka bërë thirrje të dielën Prokurorit të Shtetit që të nisë menjëherë hetimet rreth dyshimeve për falsifikim të votave brenda Qendrës për Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

“Demokracia në Veprim, i bënë thirrje Prokurorit të Shtetit që me urgjencë të fillojnë hetimet dhe të marrin masat adekuate që të mos lejohet deformimi i vullnetit të votuesve nga dyshimet për falsifikimit e votave brenda QNR-së”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Dje në media janë publikuar disa audio-incizimeve ku dyshohet se një komisioner dhe një person tjetër merren vesh për t’i shtuar votat për një kandidate të një partie politike, duke i dëmtuar të tjerët në garë.

Pas këtyre publikimeve, anëtari i Partisë Demokrate të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se do të kërkojë në KQZ që të rinumërohen të gjitha vendvotimet, që sipas tij kanë qenë në “dorën e mashtruesve”.

Edhe Jetlir Zyberaj, kandidat i Aleancës Kosova e Re (AKR), e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte në listë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se rinumërimi i plotë i votave është i nevojshëm.

Sot edhe kandidatja e LDK-së, Lirije Kajtazi, ka hedhur dyshime për manipulim me votat e saj.

Reagimi i plotë i DNV-së:

DNV: TË HETOHEN DYSHIMET PËR FALSIFIKIM ME VOTA TË KANDIDATËVE

Gjatë ditës së djeshme në media ka rrjedhur një audio dhe video incizim i mbuluar, ku tre persona dyshohet se diskutojnë në lidhje me falsifikimin e votave të kandidatëve subjekteve politike në Qendrën e Numërimit të Votave.

Audio dhe video incizimi tregon se si numëruesi i votave jep çmimin për ndryshimin e votave brenda kandidatëve të listës së një subjekti politik. I dyshuari po ashtu tregon se sa para kishte marr ai dhe dy persona të tjerë brenda QNR-së për të ndryshuar votat e një kandidateje për deputete të Kuvendit të Kosovës, që ajo të bëhej pjesë e legjislaturës së VIII.

Demokracia në Veprim, i bënë thirrje Prokurorit të Shtetit që me urgjencë të fillojnë hetimet dhe të marrin masat adekuate që të mos lejohet deformimi i vullnetit të votuesve nga dyshimet për falsifikimit e votave brenda QNR-së.

Prokuroria duhet që në bashkëpunim me Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Sekretariatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të veprojë në drejtim të gjetjes dhe arrestimit të personave që dyshohen se kanë falsifikuar rezultatin e votimeve.

DnV ju bënë thirrje të gjithë kandidatëve për deputet të cilët mund të kenë dyshime për vjedhje të votave apo falsifikim të rezultatit, pos ankesave në PZAP, të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit në drejtim të zbulimit të veprave që devijojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovë.