Foto: Kaltrina Ibishi

Kaltrina Ibishi: Shqipërimi i veprave të huaja të jep kënaqësi! 

Kaltrina Ibishi është përkthyese që ka shqipëruar disa vepra të nobelistëve të huaj. Aktualisht ajo është duke punuar në përkthimin e dramës “Fillimet tona në jetë” (në frëngjisht: ‘Nos débuts dans la vie’) të shkrimtarit francez, nobelistit Patrick Modiano, për shtëpinë botuese “Buzuku”.

Deri më tani ka përkthyer nga frëngjishtja romanin e Patrick Modianos “Kujtime të fjetura” (në frëngjisht: ‘Souvenirs dormants’), titull që do ta ketë së shpejti lexuesi shqiptar. Kujtojmë që shkrimtari francez, Patrick Modiano, është laureati i 111-të i Çmimit “Nobel” për Letërsi, marr në vitin 2014, duke u bërë kështu autori i 15-të francez që fiton këtë çmim.

Përkthimi i një vepre letrare nuk është punë e lehtë. Shqipërimi i një vepre letrare kërkon njohuri të thella, jo vetëm gjuhësore, ka thënë përkthyesja Ibishi në një bisedë për KALLXO.com.

“Personazhet e librave janë fizikanë, juristë, policë apo bujq, dhe fjalët që përdor shkrimtari për t’i përshkruar ata, apo vetë personazhet, janë me natyrë komplekse. Duhet të kesh familjaritet me termat dhe të orientohesh në fjalorë me natyrë enciklopedike”, ka thotë ajo.

Magjia e përkthimit

Zanatin e përkthyeses, Ibishi e ka filluar në moshë të re, që nga bankat e shkollës së mesme. Ndërkaq, ajo që e shtyri të merret me këtë fushë është ndikimi i letërsisë frënge, leximi i librave të ndryshëm dhe magjia e përkthimit, që ndihej nga përkthyes të famshëm, me të cilët autorja ka pasur shpesh marrëdhënie miqësore.

Ibishi zakonisht përkthen nga gjuha frënge në shqip dhe anasjelltas. Përkthyesja Ibishi ka thënë se puna e përkthimit kalon përmes një rruge të mbushur me mjaft sfida.

“Patjetër që gjatë shqipërimit përballemi më sfida të shumta, të vështira, mund ta përkthejmë një tekst, por shqipërimi është pak më i vështirë. Unë jam gjithmonë e vëmendshme për fjalë të reja të shqipes, që dëgjoj, që has në përkthime cilësore, dhe përpiqem të flas e të shkruaj korrekt shqipen dhe në jetën e përditshme”, ka thënë Ibishi.

Ajo thotë se për përkthimin cilësor të një vepre letrare duhen, mesatarisht nga tre deri në gjashtë muaj, por koha e përkthimit varet edhe nga tematika e veprës.

Por, ka shtuar se mundi i përkthyesit kosovar nuk shpaguhet sa duhet.

“Çmimet për shembull në shtëpitë e ndryshme botuese në vende të caktuara në perëndim janë më të shtrenjta për dallim prej te ne. Sigurisht kur përkthen për organizata ndërkombëtare standardi është tjetër. Megjithatë ka përmirësime në krahasim me vitet e mëhershme kur puna e përkthyesit ka qenë më e vështirë, sot është më e lehtë për shkak se kibernetizimi dhe modernizimi i botës digjitale e ka bërë të vetën, dhe janë krijuar lehtësime të paimagjinueshme më parë, shoqëria e dijes e ka lehtësuar këtë fushën e përkthimit”, potencon përkthyesja Ibishi.

Foto: Kaltrina Ibishi

Marrëdhënia me botuesin

Përveç problemeve të ndryshme edhe marrëveshjet me botuesit jo gjithherë shkojnë si duhet. Megjithatë Ibishi ka thënë se nuk ka pasur deri më tani ndonjë mosmarrëveshje me botuesit gjatë përkthimit të një vepre letrare.

“Nuk ka ndodhur që të kem mosmarrëveshje me botuesin, por ndonjëherë ndodh që kemi, d.m.th. thjesht acarime apo irritime për shkak të mosrespektimit të kohës, gjegjësisht kuadratit kohor”, ka pohuar ajo.

“Unë punoj me përgjegjësi dhe në kompani ndërkombëtare, përkthimi është profesioni im i dytë dhe hobi më i rëndësishëm jetësor, bashkë me udhëtimet. Jam nënë ‘single’ dhe kësisoj lufta për kohën është sfida më e rëndësishme, por jam e përgjegjshme, për çka del nga duart e mia”, thotë ajo.

Përkthimi i filmave 

Përveç veprave letrare Ibishi, ka përkthyer (dhe përkthen) filma të ndryshëm dhe dokumente zyrtare. Ajo është edhe përkthyese simulante.

Deri më tani ajo ka përkthyer dhe përshtatur nga gjuha shqipe në gjuhën frënge filma të metrazhit të gjatë, ndër ta filmin e regjisorit Isa Qosja, përkthim dhe përshtatje e skenarit të filmit “Skype”, pastaj të skenarit të filmit “Flutura” të regjisorit Shkëlzen Sylejmani, dokumentarin e filmit “Zgjoi” të Blerta Bashollit etj. Gjithashtu ajo ka përkthyer sinopsise e dokumente për shtëpi filmike e në konferenca të ndryshme të organizuar nga Ambasadat e Kuintit në Kosovë, për gazetat elektronike frankofone, televizionin prestigjioz francez “France 24”, atë të Zvicrës Radio Télévision Suisse etj.

Sipas saj, materialet – dokumentet zyrtare administrative janë më të lehta për t’u përkthyer, për shkak se mund të shërbehet nga modelet, nga templatet të cilët veçse janë të përgatitura paraprakisht.

“Përkthimi i një vepre letrare është më i vështirë, për shkak se kërkon shqipërimin, përkushtim dhe më tepër kohë. Ndërsa, në filma shërbehemi vetëm me një fushë të caktuar të fjalorit apo të fjalëve dhe mbase kjo e bën më të lehtë përkthimin nga një vepër letrare”, shprehet ajo për KALLXO.com.

Kaltrina Ibishi është edhe gazetare e pavarur, dhe ka intervistuar në frëngjisht dhe anglisht figura të rëndësishme ndërkombëtare që janë të lidhur me historinë moderne të Kosovës si Bernard Kushner dhe Kristofer Hill, aktualisht i nominuar për ambasador i SHBA-së në Serbi, ashtu si dhe shkrimtarin e madh kombëtar, Ismail Kadare etj. Shkruan kolume për çështje të ndryshme.

Kaltrina Ibishi ka lindur dhe është shkolluar në Prishtinë, e më pastaj edhe në Francë. Ka përfunduar studimet universitare, Bachelor e Master në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ka zhvilluar trajnime të ndryshme, si bursiste nga Qeveria franceze, bursë gjuhësore dhe pedagogjike.

Ajo është e autorizuar për korrigjimin e provimeve me shkrim dhe me gojë të provimet, ekzaminere e testeve, DELF DALF A1, A2, B1, B2, certifikatë e lëshuar nga Republika Franceze, Ministria e Arsimit Kombëtar, Arsimi i Lartë dhe Kërkimit dhe Qendra Ndërkombëtare për Studime Pedagogjike (CIEP).  Është sekretare e përgjithshme e Shoqatës së Profesorëve të Frëngjishtes të Kosovës – APFK/SHPFK

Ajo është në pritje të akreditimit për përkthim të veprës së best seller-it të shkrimtarit francez David Foenkinos, për të cilin vite më herët ka qenë përkthyese për disa media audio-vizuele vendore, dhe nga ajo kohë ruan komunikimin me të.

Foto: Kaltrina Ibishi