Reshat Sahitaj. Foto: Facebook.

Reshat Sahitaj: Historike, botimi i antologjisë së poezisë bashkëkohore shqipe në Francë

Për pak ditë në Paris të Francë do të botohet antologjia e poezisë shqipe, “La poesie contemporaine albanaise” (Poezia bashkëkohore shqipe).

Kjo antologji do të botohet nga Shtëpia Botues “L’Harmattan”, ndërsa ideja dhe përzgjedhja e autorëve të përfshirë në këtë antologji është bërë nga Unioni i Shkrimtarëve Shqiptarë.

 Në këtë antologjie do të prezantohen 75 autorë me nga një poezi.

Reshat Sahitaj, kryetar i USHKSH, në një bisedë për KALLXO.com ka thënë se në botimin “La poesie contemporaine albanaise” janë përfshirë poetë shqiptarë të të gjitha trevave, poetë të gjeneratës së vjetër dhe të re.

 Botimi i antologjisë

Shkrimtari Sahitaj ka thënë se më së largu ky libër do të dalë nga shtypi deri më 5 shkurt 2024, ndërsa promovimin e parë do ta ketë në Ditën Botërore të Poezisë në Paris.

“Më rastin e Ditës Botërore të Poezisë në terë Francën është festë në çdo rrugë të Parisit dhe qyteteve tjera franceze, andaj e kemi zgjedhur ketë ditë të promovojmë antologjinë tonë. Ka disa ditë që kam kontaktuar ambasadorin e Kosovës në Paris në mënyrë që promovimin ta bëjmë në lokalet e ambasadës dhe jemi në pritje të një përgjigje nga ambasada. Kemi kontaktuar disa gazeta qendrore prestigjioze dhe dy nga ato na kanë konfirmuar ardhjen në promovim që për ne dhe për Kosovën ka shumë rëndësi kur një gazetë franceze shkruan librin tonë”- ka thënë Sahitaj, duke lënë mundësinë që libri të promovohet edhe në Kosovë.

Ai e konsideron historike për kulturën shqiptare botimin e antologjisë “La poesie contemporaine albanaise”, në gjuhën frënge. “Antologji  të poezisë shqipe në gjuhen frënge gjerë më sot unë nuk kam lexuar. Edhe nëse ka e unë nuk kam njohur, por e di që një antologji me autorët e të gjitha trojeve shqiptare nuk ka. Antologjia është përpiluar nga ekipi i Unionit të Shkrimtarëve dhe ekipit tonë në Paris”- ka pohuar ai.

Sahitaj ka thënë se qëllimi i themelimit të Unionit të Shkrimtarëve më 2008, ishte që të afirmojnë autorët dhe letërsinë shqiptare nëpër botë.

Ai ka thënë se gjatë organizimeve të simpoziumeve ndërkombëtare të Unionit të Shkrimtarëve kanë marrë pjesë krijues nga vende të ndershme, si: Franca, Izraeli, Spanja, Portugalia, etj. dhe secili prej këtyre ka shkruar poezi, tregime për Prishtinën e Kosovën, siç thotë Sahitaj, për historinë e dhimbshme të të pagjeturve, etj.

“Nëse dikur kemi pasur një Lord Bajron, Edi Durham, sot ne kemi krijuar mbi të tillë të cilët kanë shkruar për Kosovën. Kjo është pjesë e historisë se letërsisë që pas 100 vitesh gjeneratat e ardhshme do ta vlerësojnë objektivisht. Duke ftuar në Kosovë dhe duke na ftuar në Paris, Spanjë, Itali etj., ne kemi krijuar një bashkëpunim dhe një shkëmbim të letërsive shqiptare me franceze e tjera. Pra në këtë mënyrë ka lindur ideja për përpilimin e një antologjie te poezisë shqipe në Francë”- ka thënë ai.

Fillimisht, ka thënë ai se është filluar me botimin e një përmbledhje tregimesh shqiptare që është botuar në Paris më 2020, e cila po ashtu është antologjia e tregimit të shkurtër shqiptar.

“Gjëja më fenomenale dhe fakti më evident është se në Francë është bërë një dokumentar me 26 seri për 26 shtete evropiane e në këtë mes është edhe Kosova. Në këtë dokumentar për 26 shtete evropiane kur flitet për Kosovën, historinë dhe pavarësinë, libri ynë ‘Nu vers l’independence’ shquhet se vepra më emblematike. Kjo është mrekulli! Lexuesit tanë këtë fakt, këtë vlerësim të librit tonë munden ta lexojnë këtu: ..Lectures Européennes #24: Kosovopar Booky Mary | Sep 10, 2021 | Lectures Européennes | 0 commentaires”- është shprehur Sahitaj.

Reshat Sahitaj. Foto: Facebook.

Kush është përfshirë në antologji?

Sahitaj ka thënë se pjesë e antologjisë së poezisë shqipe në gjuhën frënge janë 75 poetë, siç ka thënë ai, të gjeneratës së vjetër dhe të re.

Përzgjedhja e tyre është bërë përmes një konkursi publik nga ana e Unionit të Shkrimtarëve të publikuar në nëntor të vitit 2022, e që është përsëritur edhe gjatë marsit 2023.

“Kanë konkurruar mbi 200 autorë. Shtëpisë botuese në Francë ia kemi dërguar 140 autorë, e në libër janë përfshirë 75 autorë. Specifike është se në këtë antologji janë përfshirë krijuesit e gjeneratës se vjetër si: Agim Gjakova, Sadik Bejko, etj. dhe të gjeneratës së re. Në këtë mënyrë është hera e parë në histori të letërsisë që ne u kemi dhënë hapësirë më të madhe gjeneratës së re, se sa asaj të vjetër”- ka thënë Sahitaj.

Sipas tij, në Kosovë e Shqipëri krijuesit e gjeneratës së re janë të injoruar, të margjinalizuar e të lënë pas dore nga klanet e ndryshme të moshës se vjetër.

Siaps tij, kjo antologji do të dalë nga shtypi deri në fillim të shkurtit, 1 deri më 5 shkurt 2024.

Botimin e antologjisë së poezisë bashkëkohore shqipe në Francë, “La poesie contemporaine albanaise”, Sahitaj e sheh edhe si rast që lexuesi francez të njihet më mirë me letërsinë dhe krijuesit tanë.

Botimi i librit me poezi në Francë, “La poesie contemporaine albanaise” është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës.

 

Ballina e librit ‘La poesie contemporaine albanaise’. Foto: Facebook/Reshat Sahitaj.