
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Hoxhaj: Vota e Hungarisë kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është politikisht dhe moralisht e gabuar
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se është për të ardhur keq se si Hungaria votoi kundër pranimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Është për të ardhur keq që Hungaria ka ardhur në këtë pikë sa të mbështesë politikat hegjemoniste të Beogradit në rajon. Vota e Hungarisë në KE kundër Kosovës është politikisht dhe moralisht e gabuar! A do të ketë miku im, ministri i Jashtëm, Peter Szijjarto, një shpjegim se si përfundoi kështu?”- ka shkruar Hoxhaj në Twitter.
It’s unfortunate that Hungary has come to this point to support Belgrade’s hegemonic policies in the region. Hungary’s vote at @CoE against Kosovo is politically & morally wrong! Will my friend FM Péter Szijjártó have an explanation how it ended up like this?
— Enver Hoxhaj (@Enver_Hoxhaj) April 24, 2023
Sot Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës në një mbledhje të jashtëzakonshme mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Komiteti i Ministrave me më shumë se 2/3 e votave mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.