Shkeljet Ligjore që Rrezikuan Jetën e Qytetarëve

Komuna e Ferizajt ka qenë fatlume gjatë këtij dimri për shkak të reshjeve të pakta të borës. Ajo e ka kaluar dimrin pa pasur kompani të angazhuar për pastrimin e rrugëve. Kjo komunë nuk ka kontaktuar ende asnjë kompani për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve, për shkak të shkeljeve ligjore në tenderin për këtë çështje.

Komuna e Ferizajt me shumë vonesë e kishte iniciuar këtë tender, duke marrë parasysh kohën e nevojshme ligjore deri në kontraktimin e një kompanie për mirëmbajtje.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, Komuna e Ferizajt publikoi thirrjen për kontratë për tenderin për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve gjatë sezonit veror dhe dimëror në Komunën e Ferizajt, llot I dhe llot II. Komuna e Ferizajt arriti që me datën 18 dhjetor të publikojë njoftimin për dhënie të kontratës, duke e rekomanduar për kontratë operatorin ekonomik N.T. Rahovica Comerce; Damastion Project Sh.P.K me vlerë të kontratës prej 226 mijë e 138 euro e 40 centë për llotin e parë dhe 189 mijë e 48 euro e 95 centë për llotin e dytë në muajin dhjetor.

Kundër njoftimit për dhënie të kontratës kompania “El Bau” ishte ankuar fillimisht në Komunën e Ferizajt, e më pas edhe në OSHP. Bazuar në Ligjin e Prokurimit, OSHP-ja e pezullon aktivitetin e prokurimit në momentin që pranon ndonjë ankesë nga operatorët ekonomikë.

Pas pezullimit, Komuna e Ferizajt, me 11 janar, kishte kërkuar nga OSHP-ja që të lejonte atë të procedonte me nënshkrimin e kontratës, pasi rrezikoheshin qytetarët në rast se do të kishte reshje të borës.

Arsyetimi i komunës ishte që janë në stinën e dimrit dhe pritet që të ketë reshje atmosferike të borës dhe vështirësi të lëvizjes në komunikacion dhe se të njëjtit për momentin janë pa kontraktues për mirëmbajtjen e rrugëve.

Por, OShP vendosi që ta refuzojë kërkesën e Komunës së Ferizajt për heqjen  e pezullimit automatik të këtij tenderi.

OShP refuzoi kërkesën pasi komuna nuk kishte arritur të dëshmojë se interesi publik ishte më i madh se afati për shqyrtimin e ankesës. Gjithashtu OShP-ja përmes vendimit bën të ditur se do ta shqyrtojë ankesën e operatori ekonomik ankues në procedurë të rregullt sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Kompania “El-Bau” në ankesën e saj drejtuar në OShP-së pretendon se komuna e ka kufizuar konkurrencën duke favorizuar një kompani.

“Komuna e Ferizajt gjatë udhëheqjes së procedurës së vlerësimit dhe nxjerrjes së vendimeve të kundërshtuara është karakterizuar me kufizimin e konkurrencës së lirë dhe të drejtë të OE pjesëmarrës në kundërshtim me parimet bazike të prokurimit dhe parimeve kryesore të vlerësimit të hapur është favorizuar, orientuar dhënia e kontratës te OE ‘Rahovica Projekt & Damastion Projekt’, i cili nuk ka plotësuar kriteret e përzgjedhjes të kërkuara në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit”, Thuhet në ankesë.

Më tej në ankesë thuhet se komuna e ka shkelur ligjin e LPP-së duke i eliminuar për arsye të paqëndrueshme.

“E në anën tjetër që të realizohet dhënia e OE në fjalë ka diskriminuar-kufizuar, prekur të drejtat dhe interesat ligjore të ankuesit duke e eliminuar nga konkurrenca për arsye të paqëndrueshme dhe të pasakta në kontekst të gjendje faktike dhe ligjore andaj i ka shkelur dispozitat e LPP-së dhe akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji përfshirë rregullat e prokurimit….”, thuhet në ankesë.

Në ankesën e operatorit ekonomik thuhet se autoriteti  kontraktues e ka shqyrtuar kërkesën për rishqyrtim duke e refuzuar si të pabazuar vetëm pasi i është dërguar interpretimi ligjor nga KRPP.

Në anën tjetër, komuna përmes postës elektronike për Gazetën Jeta në Kosove mohon se ka favorizuar një kompani dhe operatori ekonomik ankues është eliminuar pasi nuk ka dorëzuar referenca të ngjashme me vlerë të mjaftueshme.

“Autoriteti kontraktues Komuna e Ferizajt, gjatë vlerësimit të tenderit: ‘Mirëmbajtja dhe Pastrimi i Rrugëve gjatë Sezonit Veror dhe Dimëror në Komunën e Ferizajt, llot I- Pastrimi i rrugëve (pjesa perëndimore) nga hekurudha dhe – llot II- Pastrimi i rrugëve (pjesa lindore) nga hekurudha nuk ka bërë kufizim apo favorizim të asnjë kompanie dhe kemi vepruar sipas Ligjit të Prokurimit, neni 59, pika 4. Operatori ankues është eliminuar pasi që nuk i ka përmbushur kërkesat e parapara në dosjen e tenderit,  ku nuk ka ofruar referenca të ngjashme me vlerë të mjaftueshme”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka konstatuar se Komuna e Ferizajit ka bërë shkelje ligjore në këtë tender duke eliminuar nga gara operatorin pa shqyrtimin e duhur të dokumentacioneve të tij, si dhe duke e shpërblyer me kontratë operatorin që nuk i plotësonte kushtet.

“Gjykata e Tenderëve” ka vendosur që të aprovojë si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “El-Bau” Sh.P.K. lidhur me këtë tender, duke anuluar kështu njoftimin për dhënie të kontratës të autoritetit kontraktues Komuna e Ferizajt.

Paneli shqyrtues konstatoi si të qëndrueshëm pretendimin e operatorit ekonomik ankues lidhur me kalkulimin e afateve kohore. Paneli shqyrtues i përbërë prej tre anëtarëve ka konstatuar se kompania e rekomanduar për kontratë nuk i ka përmbushur kushtet teknike dhe profesionale lidhur me mjete e punës. Paneli gjithashtu konstaton se qëndron pretendimi i operatorit ekonomik ankues për gabimet në llogaritje/kalkulimet e paramasës, duke tejkaluar kështu 2 për qind për gabime aritmetikore të parapara me ligj.

Në mes tjerash, në konstatimet e panelit thuhet se Komuna e Ferizajt ka bërë shkelje ligjore pasi nuk u ka ofruar qasje në dokumente publike operatorit ankues, duke shkelur ligjin për qasje në këto dokumente.

Për këtë aktivitet të prokurimit, paneli shqyrtues konstatoi se të gjitha kompanitë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me rastin e rivlerësimit të ofertave.

“Gjykata e Tenderëve” ka shpërfaqur një ‘lëshim’ në dosjen e tenderit prej të cilës ka përfituar vetë kompania e rekomanduar për kontratë, ashtu që ka dalë më e lira prej konkurrentëve.

“Paneli shqyrtues konstaton se në aktivitetin e prokurimit ‘Pastrimi i Rrugëve të Qytetit gjatë Sezonit Veror (15 mars deri me 15 nëntor , 2017-2018-2019)’ AK- Komuna e Ferizajt, në disa pozicione, ka paraparë sasinë, mirëpo shënimin në muaj në paramasë dhe parallogari për (disa rrugë te larja speciale dhe vetëm larja) në muaj e ka vendosur 0 (zero) shërbim ku në këto pozicione disa nga OE kanë vendosur vetvetiu çmim për muaj, ndërsa OE i rekomanduar për kontratë nuk ka ofruar çmim fare për këto pozicione. Andaj, duke u bazuar në të cekurat si më lart, paneli konstaton se me rastin e rivlerësimit të ofertave AK-ja, duhet të veprojë në pajtim me nenin 7 të LPP-se, duke i trajtuar në mënyre të barabartë të gjithë operatorët ekonomikë pjesëmarrës në këtë aktivitet të prokurimit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.