Komuna e Ferizajt: Zyrtari i arrestuar sot ka të bëjë me një projekt të qeverisjes së kaluar, po tentohet të mashtrohet publiku

Komuna e Ferizajt ka bërë të ditur se zyrtari komunal i arrestuar sot për keqpërdorim detyre dyshohet për projektin e vitit 2016 për rregullimin e stadiumit “Ismet Shabani” në Ferizaj.

Komuna ka sqaruar se dyshimet janë për kohën e qeverisjes së kaluar dhe se “dezinformimet në lidhje me këtë arrestim janë tentativë për mashtrim të opinionit”.

“Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës ka arrestuar zyrtarin komunal, S.B nën dyshimet e organeve të ndjekjes për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në lidhje me projektin e vitit 2016, të rregullimit të Stadiumit Futbollistik të Qytetit “Ismet Shabani” në Ferizaj”- thekson Komuna.

“Komuna e Ferizajt, përmes kësaj deklarate, sqaron qytetarët, opinionin publik, se dyshimet mbi të cilat është bërë arrestimi i zyrtarit komunal të lartcekur, janë për një investim të vitit 2016, pra të qeverisjes së kaluar, andaj çdo dezinformim apo lidhje me qeverisjen e tanishme, nga qarqe e eksponentë politik opozitar, është tentativë e hapur për mashtrim të opinionit publik, për pak vëmendje mediatike apo politike”- ka sqaruar më tej Komuna.

Në njoftim Komuna potencon se rezervohet të komentojë çfarëdoqoftë mbi ecurinë e zhvillimet e hetimeve mbi këtë rast, duke mundësuar organet hetimore dhe të drejtësisë të bëjnë punën e tyre, konform legjislacionit në fuqi.

Policia në Ferizaj ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe – keqpërdorimi dhe mashtrimi me prokurim publik.

Njëri nga të arrestuarit është arkitekt në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mjedisit të Komunës së Ferizajt.

Ai po dyshohet se ka nënshkruar situacionet dhe një aneks-kontratë pa bërë verifikimin  e punëve të kryera në terren.

“S.B. në rastin konkret i caktuar si Menaxher i një projekti, dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, konkretisht ka nënshkruar situacionet dhe një aneks kontratë pa bërë verifikimin  e punëve të kryera në teren, duke i mundësuar përfitim material të dyshuarit H.H., m/k viti I lindjes 1963”- thuhet në njoftim.

Ndërsa, i dyshuari H.H. si përfitues i tenderit dyshohet që në bashkëpunim me menaxherin e projektit, ka ofruar fatura dhe situacione për projektin e caktuar pa u kryer punimet në terren.

Kështu, ai dyshohet se i ka shkaktuar dëme buxhetit të Komunës së Ferizajt dhe buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë 67.659.41 euro.

Policia ka njoftuar se të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit kujdestar janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Arrestohet një arkitekt në Drejtorinë e Urbanizmit në Ferizaj, dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare