Bordet Politike Konfliktojnë Qeverinë me Donatorët

Një vendim kontrovers i bordit të ri të Ujësjellësit Rajonal Prishtina ka shkaktuar përplasje institucionale ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe donatorëve kryesorë të sektorit të ujërave.

Bordi i ri, i emëruar nga qeveria e Kosovës në fund të vitit 2015, vendosi shkarkimin e kreut aktual të ujësjellësit, çka solli reagimin e dy ambasadave.

Përmes një letre zyrtare – një kopje të së cilës Gazeta Jeta në Kosovë e ka siguruar – Ambasada e Gjermanisë dhe ajo e Zvicrës i kanë drejtuar një ultimatum qeverisë së Kosovës mbi këtë çështje.

“Ne jemi të vendosur të ndihmojmë qeverinë në ndërtimin e një sektori profesional të ujërave dhe jemi të shqetësuar se veprime të tilla do ta rrezikojnë qëndrueshmërinë e sektorit në tërësi, çka do të ishte fatkeqësi”, shkruhet në komunikimin zyrtar të ambasadave.

Më 24 nëntor 2015, letra e nënshkruar nga ambasadorja e Zvicrës Krystyna Marty Lang dhe nga ambasadorja e Gjermanisë Angelika Viets i është dërguar personalisht Kryeministrit Isa Mustafa.

Dy amabasadoret, në cilësinë e dy donatorëve kryesorë të projekteve zhvillimore në sektorin e ujërave në Kosovës, kanë shprehur brengat dhe pakënaqësitë e tyre rreth caktimit të bordit të ri të kompanisë së ujësjellësit Rajonal Prishtina.

Ambasadoret janë shprehur të zhgënjyera për shkarkimin e Selatin Retkocerit nga pozita e ushtruesit të detyrës të kryeshefit të ujësjellësit.

ujesjellesi_720

“Është i pakuptueshëm vendimi i një bordi të sapoemëruar… që në mbledhjen e tij të parë zyrtare, si aktivitet të parë ta bëjë zëvendësimin e ushtruesit të detyrës të Kryeshefit Ekzekutiv dhe rivendosjen në pozitë të ish-Kryeshefit i cili ishte liruar nga detyrat e tij nga Bordi i kaluar legjitim për një numër arsyesh e që janë të listuara”, shkruhet në letër.

I shkarkuar nga bordi i mëparshëm i ujësjellësit, Gjelosh Vataj u rivendos në krye të këtij institucioni më 6 nëntor 2015, data e mbledhjes së parë të bordit të ri.

“Mënyra se si Bordi i ri e ka zhvilluar takimin e tij të parë dhe mënyra se si e ka marrë një vendim jetik për të ardhmen e funksionimit të Ndërmarrjes së Ujësjellësit në fjalë, jep përshtypjen se kjo ka qenë një lëvizje e pastër e ndërhyrjes politike, gjë që qeveria është zotuar ta shmangë me zgjedhjen e Bordit të ri të Drejtorëve”, thuhet në letrën e ambasadoreve.

Tërhiquni nga vendimi!

Vetë Kryeministri Isa Mustafa, i cili kur ishte në opozitë premtonte borde profesionale dhe jopolitike gjatë fushatës zgjedhore 2014, deklaroi më vonë se ishte e pamundur të krijohen borde apolitike sepse gjithçka ishte politike në Kosovë.

Mustafa thotë se Janë të Pamundura Bordet Jopolitike

Por pranimi i Kryeministrit se ishte humbur beteja ndaj politizimit, rezulton të jetë justifikim i pamjaftueshëm për dy ambasadoret, të cilat nuk janë mjaftuar me kritika, por kanë kaluar tek ultimatumet.

“Si donatorët më të mëdhenj në sektorin e ujërave, ne kërkojmë shkarkimin e Bordit të Drejtorëve të KUR “Prishtina” dhe rivendosjen në pozitë të ushtruesit të kaluar të detyrës ose një zgjidhje të përkohshme deri në ndërmarrjen e një procesi transparent dhe të rregullt të përzgjedhjes së Kryeshefit të ri, në mënyrë që të mund të rishikojmë bashkëpunimin në të ardhmen me KUR “Prishtina” dhe përtej tij”, thuhet në letrën e ambasadoreve zvicerane dhe gjermane.

Gazeta JNK kontaktoi ambasadoren gjermane, e cila ndonëse refuzoi të komentojë mbi çdo rrjedhje komunikimesh konfidenciale, siç është rasti i letrës në fjalë, tha se vendimmarrja e përgjegjshme ishte parakusht për ata sektorë të zhvillimit në Kosovë ku Gjermania jep ndihmën e saj.

“Është synimi ynë që pas më shumë se 15 vitesh bashkëpunimi për zhvillim, çështjet e qeverisjes të marrin vëmendjen e duhur. Në interes të zhvillimit afatgjatë të Kosovës në rrugëtimin e saj të integrimit evropian, vendimet me impakt mbi performancën duhet të bëhen rregull në projektet tona”, tha Viets.

Gjithashtu, Esther Gravenkötter, drejtore për Kosovën dhe Maqedoninë e KfW-së – donatori më i madh gjerman në sektorin e ujërave – shprehu besimin që “institucionet e Kosovës do ta mbështesin zbatimin e suksesshëm të projekteve”.

KfW nuk dha një përgjigje eksplicite për letrën e ambasadorëve drejtuar qeverisë së Kosovës.

E kontaktuar nga gJNK, zyra e kryeministrit Isa Mustafa tha se përgjigjen mbi shqetësimet e ngritura në letrën e ambasadoreve do ta jepte Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

“Sa i përket çështjeve të cekura në letrën e dy ambasadoreve (asaj të Gjermanisë dhe të Zvicrës në Kosovë) për rastin e Ujësjellësit Rajonal Prishtina, respektivisht për Bordin e kësaj ndërmarrjeje, ne kemi pasur takime sqaruese dhe aktualisht jemi duke analizuar situatën. Ndërkohë, pritet të mbahen edhe takime të tjera dhe sapo ta kemi një vlerësim përfundimtar do të njoftoheni”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Historia e një konflikti

E tëra filloi në muajin gusht 2015 kur bordi i mëparshëm Ujësjellësit Rajonal Prishtina kishte shkarkuar drejtorin Gjelosh Vataj për keqmenaxhim dhe një udhëtim të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke e lënë pozitën e tij.

“Një akt i tillë [udhëtimi] paraqet shkelje të Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe Kodin e Qeverisjes Koorporative. Kryeshefi ekzekutiv ka lënë vakant vendin e tij të punës”, thuhej në komunikatën e bordit.

Ia Sheh Sherrin Udhëtimit në Amerikë

Po ashtu, në shkarkimin e Vataj, bordi i Drejtorëve e kishte konsideruar performancën e tij si kryeshef ekzekutiv në gjashtë muajt e parë të 2015-ës, si më më të dobtën, krahasuar me të njëjtën periudhë për vitet e mëhershme.

Sipas ish-anëtarëve të bordit, Vataj nuk kishte marrëdhënie të mira as me institucionet me të cilat kërkohet bashkëpunim për funksionimin e vetë ujësjellësit.

“Ngrirja e plotë e marrëdhënieve me ZRrUK, ShUKOS, ftohja dhe acarimi i marrëdhënieve me NjMPNP-në, refuzimi i pagesës së taksës për shfrytëzimin e resurseve ujore për Ministrinë e Ambientit… ndërprerja e ujit për institucionet vitale”, janë të metat që bordi kishte përmendur për punën e Gjelosh Vataj.

Gjelosh_Vataj_720
Gjelosh Vataj | Foto: gJNK

Gjithashtu, mungesa e informimit dhe transparencës ishin ndër problemet e tjera të vërejtura nga bordi.

“Kryeshefi ekzekutiv nuk është transparent dhe nuk raporton në baza të rregullta mujore për rrjedhën e punimeve dhe investimeve të mëdha të cilat po bëhen në KUR ‘Prishtina’ këto dy vjetët e fundit dhe në vitin 2015 ku po investohet në ndërtimin e fabrikës së ujit në Shkabaj”, vijon komunikata.

Ndërkaq, pas shkarkimit të Vataj, bordi emëroi zyrtarin e lartë financiar Selatin Retkoceri në krye të ndërmarrjes.

Sealtin Ratkoceri | Foto: gJNK
Selatin Ratkoceri | Foto: gJNK

Bordi i ri i emëruar nga qeveria e arsyeton largimin e Retkocerit si të ligjshëm dhe të bazuar në dokumente të institucioneve relevante.

Amir Gashi, kryesues i bordit tha për Jeta në Kosovë se ata vetëm e kanë shfuqizuar një vendim jolegjitim të bordit të mëparshëm, pas shkresave që kanë ardhur nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe në konstatimin e Inspektoratit të Punës.

Por, Selatin Retkoceri vlerëson se kjo ka ndodhur për shkak të presioneve politike që kanë ndodhur në bordin e ri, duke shtuar se shkarkimi i paraardhësit të tij ka qenë krejtësisht i rregullt.

“Arsyeja kryesore e shkarkimit të zt. Vataj ishte keqmenaxhimi”, tha Retkoceri.

Në anën tjetër Gjelosh Vataj, sërish drejtor i ujësjellësit, thotë se ai e ka ditur që diçka e tillë do të ndodhë sepse vendimi për shkarkimin e tij ishte i bazuar jo në fakte por në aspekte personale edhe nuk kishte bazë ligjore.

Kryeministri Isa Mustafa dhe zv.Kryeministri Hashim Thaçi konsultohen mes tyre | Foto: KALLXO.com
Kryeministri Isa Mustafa dhe zv.Kryeministri Hashim Thaçi konsultohen mes tyre | Foto: KALLXO.com

Politizimi i skajshëm i bordeve publike

Paralajmërimi i ambasadoreve nuk ndalet te sektori që vendet e tyre mbështesin në mënyrë të përkushtuar, por shtrihet përtej, në vendimmarrjen që prek interesin publik në Kosovë.

“Jemi, gjithashtu, të shqetësuar për mesazhin që ky veprim mund t’u dërgojë bordeve të kompanive të tjera publike përtej sektorit të ujërave”, theksohet në letër.

Politizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura ka qenë objekt i një sërë raportimesh dhe hulumtimesh mbi këtë problem.

Përkundër faktit që shoqëria civile ka kritikuar për këto vite qeveritë për politizimin e bordeve, situata nuk ka ndryshuar.

Për më tepër, deklarata e Kryeministrit se është e pamundur ekzistenca e bordeve jopolitike të ndërmarrjeve dhe agjencive publike, mbështetur mbi arsyetimin se gjithçka në Kosovë është e politizuar, ka dërguar një mesazh shqetësues për sferën jopolitike në vend dhe përtej kufijve.

Gazeta Jeta në Kosovë gjatë muajve dhjetor 2015 e janar 2016 ka analizuar shumicën e bordeve të reja, duke zbuluar shkelje të ligjit në emërimet e njerëzve të lidhur me partitë apo të afërt me drejtuesit e partive në pushtet, PDK dhe LDK.

Bordi i ARKEP, Pikëpyetje për Politizimin dhe Kualifikimet

Bordet si Mundësi e Militantëve Politikë

ZRrE e Pushtuar nga Partitë në Pushtet

[interaction id=”56bdad78e55f8d3b22bf836a”]