Ia Sheh Sherrin Udhëtimit në Amerikë
Lajmin për shkarkimin e bëri të ditur ky bord me anë të një komunikate për medie. Sipas komunikatës Gjelosh Vataj u shkarkua me votat e dy prej tre anëtarëve të bordit. Njëri nga anëtarët votoi kundër shkarkimit.
Në komunikatë u dhanë edhe arsyet e shkarkimit.
Bordi konsideron se Gjelosh Vataj vendimin për udhëtim drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka marrë krye në vete.
“Për një vendim të tillë nuk ka marrë aprovimin dhe lejimin e udhëtimit të tij nga Bordi i Drejtorëve që është organi i vetëm që e lejon ose e ndalon largimin e kryeshefit nga detyra për një kohë kaq të gjatë,” thuhet në komunikatën e nënshkruar nga kryesuesi i Bordit të Drejtorëve Ejup Hashani.
Bordi thotë se Vataj me këtë udhëtim e ka lënë të zbrazët pozitën e tij.
“Një akt i tillë [udhëtimi] paraqet shkelje të Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe Kodin e Qeverisjes Koorporative. Kryeshefi ekzekutiv ka lënë vakant vendin e tij të punës,” vijon komunikata.
Bordi i Drejtorëve të Ujësjellësit në komunikatë e konsideron më të dobët edhe performancën e Gjelosh Vatajt si kryeshef ekzekutiv në gjashtë muajt e parë të 2015-ës.
Ky bord përmend se Vataj nuk kishte marrëdhënie të mira as me institucionet me të cilat kërkohet bashkëpunim për funksionim të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.
“Ngrirja e plotë e marrëdhënieve me ZRrUK, ShUKOS, ftohja dhe acarimi i marrëdhënieve me NjMPNP-në, refuzimi i pagesës së taksës për shfrytëzimin e resurseve ujore për Ministrinë e Ambientit… ndërprerja e ujit për institucionet vitale,” janë të metat që bordi ia gjen punës së Gjelosh Vatajt.
ZRrUK është shkurtesa për Zyrën Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim, ShUKOS-Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimeve, ndërsa NjMPNP-ja Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike.
Një performancë e tillë sipas Bordit të Drejtorëve nuk është e mjaftueshme në kohën kur po ndërtohet fabrika në Shkabaj.
“Kryeshefi ekzekutiv nuk është transparent dhe nuk raporton në baza të rregullta mujore për rrjedhën e punimeve dhe investimeve të mëdha të cilat po bëhen në KUR ‘Prishtina’ këto dy vjetët e fundit dhe në vitin 2015 ku po investohet në ndërtimin e fabrikës së ujit në Shkabaj,” vijon komunikata.
Selatin Retkoceri, zyrtari i lartë financiar është emëruar nga bordi si ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.