Ilustrim nga BIRN

Hapësira e pamjaftueshme për të vepruar, sfida e radhës për OJQ-të në Kosovë

“Një nga sfidat kryesore që aktualisht kemi është problemi i zyrës, jemi në kushte të vështira sa i përket zyrës”.

Për të kryer një punë të mirë, duhet të sigurohen edhe disa kushte. E për t`u plotësuar këto kushte duhet të ketë fonde të mjaftueshme.

Fondet që po u mungojnë organizatave jo qeveritare që merren me barazinë gjinore bëjnë që të ballafaqohen me vështirësi.

Me një problem të tillë po ballafaqohet edhe organizata joqeveritare “Bliri”, që drejtohet nga Mahije Smajli në Drenas, e që është aktive nga viti 2010.

Kjo OJQ tash e një kohë ka filluar të ketë problem me fonde, duke e bërë të pamundur që të  sigurohet një zyre për të vepruar.

Njëjtë si “Bliri” janë me dhjetëra organizata të tjera qeveritare të cilat çdo ditë ballafaqohen me probleme të njëjta.

E zgjidhje për pjesën e sigurimit të hapësirës për të vepruar OJQ-të që promovojnë të drejtat e grave gjendet shumë rrallë.

Në anën tjetër, rrallëherë vërehet edhe dora e shtetit në këtë drejtim.

Në raportin e monitorimit dhe vlerësimit të arritjes së caqeve për indikatorët dhe zbatimit të aktiviteteve të planit të veprimit të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2022 u fol edhe për ndikimin e qeverisjes qendrore e lokale në këtë drejtim.

Me aq sa është parë, në pjesën e rritjes së punësimit dhe përmirësimin e kushteve të punës, janë dy komuna që kanë veçuar gratë.

Sipas informatave që u publikuan në këtë raport, Komuna e Prishtinës dhe ajo e Gjakovës ofruan hapësirë të veçantë për bizneset e grave në tregjet mobile.

 

Mungesa e zyrës – problem për zhvillimin e OJQ-ve

Misioni i organizatës “Bliri” është që të kontribuoj drejtë emancipimit të grave dhe vajzave të të gjitha komuniteteve me qëllim të fuqizimit të tyre për edukimin shëndetësor dhe sa më cilësorë.

Qëllim i “Blirit” është edhe ngritja e rolit të grave në parandalimin e sëmundjeve në familje si dhe shoqëri, ngritja e vetëdijes në lidhje me ruajtjen e shëndetit si dhe realizimi i programeve konkrete tek gratë për një qasje më të mirë dhe më kualitative në shëndetin e tyre.

Përpos problemit të fondeve të pamjaftueshme, organizata në fjalë tregon se po ballafaqohen edhe me problemin e mungesës së një zyre.

“OJQ është aktive ende. Një nga sfidat kryesore që aktualisht kemi është problemi i zyrës, jemi në kushte të vështira sa i përket zyrës”- ka thënë për KALLXO.com drejtoresha e organizatës, Mahije Smajli.

Ajo tregon se aktivitetet e tyre zakonisht zhvillohen në fshatra, në pjesë rurale, e kjo po bën që përpos fondeve e problemit të zyrës të shtohet edhe problemi i transportit.

Smajli shton se ka pasur disa herë kërkesa në institucione lokale që të kenë pak ndihmë lidhur me transportin, mirëpo sipas saj ende nuk kanë gjetur një zgjidhje.

“Besoj që nëse kishim pas financim të mjaftueshëm nuk kishim pas probleme as me zyre as me transport, jemi në pritje për me marr ndonjë projekt për me bë zgjidhje pastaj”- thotë ajo.

Smajli tregon se ka vërejtur që me po të njëjtat probleme po ballafaqohen edhe organizata e tjera që kanë qëllim të njëjtë si organizata që ajo drejton.

“Në takimet, në aktivitetet që i kemi në bashkëpunim me OJQ-të tjera po vërehet që ka fillu me pas mbyllje të këtyre organizatave, më herët ka pas ma shumë”- tregon Smajli.

“Po mbyllen se nuk po respektohen, nuk po përkrahen sa duhet, nuk po ka mjete të mjaftueshme, nuk ka respekt të mjaftueshëm ndaj tyre. Ka gra të zonja, punëtore, po na duhet financimi”- shton ajo tutje.

E për mbylljen e OJQ-ve, KALLXO.com kishte raportuar para disa muajve. Ky raportim kishte bërë të ditur se sfidat e përditshme të organizatave po rrezikojnë barazinë gjinore në Kosovë.

Kemi probleme me fonde”, “nuk kemi zyre për të vepruar”, “nuk e kemi përkrahjen e mjaftueshme” – ishin vetëm disa nga përgjigjet që kanë treguar nga organizata joqeveritare kur pyeten se pse nuk janë më aktive.

Me probleme të njëjta po ballafaqohen edhe organizata të tjera që ende zhvillojnë aktivitete në bazë të mundësive që i kanë, e të cilat thonë se vetën po e shohin veten drejt mbylljes, ndonëse kjo nuk është ajo se çfarë dëshirojnë.

Në Kosovë, sipas të dhënave të departamentit për Organizata Joqeveritare në Ministrinë e Punëve të Brendshme, janë 12 mijë e 433 organizata aktive – që përfshin shoqata, fondacione dhe institute.

Përderisa të dhënat tregojnë se janë afër 200 organizata joqeveritare të cila avokojnë në fushën e të drejtave të grave dhe vajzave në Kosovë, e të cilat ballafaqohen me mungesë të mjeteve financiare për të ushtruar veprimtarinë e tyre..

E mungesa e përkrahjes financiare për këto organizata është një sfidë për ta përmbushur misionin e tyre.

 

Me zyre e objekt, por me rreziqe të tjera

Përderisa çdo ditë shihen me dhjetëra raste të dhunës në familje që ndodhin brenda 24 orëve, vërtetohet se thirrjeve për barazi gjinore ende nuk iu ka ardhur fundi.

Vetëm në vitin 2022 janë gjithsej 2 mijë e 757 raste të dhunës në familje, totali i viktimave kapë numrin 2 mijë e 793. Sipas Policisë, nga ky numër total, 515 viktima janë të gjinisë mashkullore, përderisa pjesa tjetër janë të gjinisë femërore.

Disa nga viktimat, për shkak të pamundësisë për të vazhduar bashkëjetesën me dhunuesit, jetën e tyre e zhvendosin në qendrat strehimore, që shpeshherë hynë në kuadër të OJQ-ve e bashkëpunojnë me këto të fundit.

Prishtina, Prizreni, Peja, Gjilani, Ferizaj, Gjakova, Mitrovica e Novobërda janë tetë qytete të Kosovës ku funksionojnë qendra të tilla që vazhdimisht pranojnë viktima e përkujdesen për to.

Strehimi i viktimave bëhet në çdo kohë, e koha e jetesës së tyre në qendra të tilla është e pacaktuar, ku gjithçka shkon në bazë të nevojës së viktimës e në bazë të kapaciteteve të vet strehimoreve.

Në Kosovë, sistemi është i rregulluar në atë mënyrë që qeveria kontrakton strehimore joqeveritare për të ofruar shërbime ndaj viktimave të tilla.

Aktualisht, shumica e strehimoreve u shërbejnë grave dhe fëmijëve që kanë vuajtur nga dhuna në familje dhe trafikimi. Drejtueset e këtyre qendrave kanë treguar për KALLXO.com se fatmirësisht deri më tani nuk kanë patur raste të cilat nuk kanë mundur t`i menaxhojnë dhe se në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës kanë evituar situatat më të rënda të cenimit të sigurisë së viktimave dhe të vet stafit.

Strehimoret në fjalë, përpos që ia japin një vend për të jetuar viktimave, ato edhe i ndihmojnë viktimat në procesin e rekuperimit nga dhuna në familje dhe riintegrimit e fuqizimit për të vazhduar jetesën në mënyrë sa më të pavarur në shoqëri.

“Kemi kamera të sigurisë”, “Kemi kujdestare gjatë natës”, “I kemi dy qenë në oborrin e objektit”, “Policia na qëndron afër”, “I gënjejmë keqtrajtuesit se jemi shtëpi private”, “Këtu jemi vetëm administrata”… por “Nuk kemi roje”.

Këto janë përgjigjet që u dhanë nga strehimoret e rajoneve të Kosovës kur flitet për sigurinë fizike që kanë ato. E përpos kësaj, drejtuesit e strehimoreve në Kosovë kanë bërë të ditur se kanë edhe sfida të tjera, përfshirë këtu edhe mungesën e fondeve.

 

Organizata të ndryshme, me qëllim e me sfida të tjera

Organizatat jo qeveritare që merren me të drejtat e grave e me promovimin e tyre në mesin se sfidave që kanë po vlerësojnë se largësia me qendrat e qyteteve e me kryeqytetin e Kosovës po bën që puna e grave të mos njihet e vlerësohet aq sa duhet.

Kjo më pas po ndikon edhe në probleme me sigurimin e zyrave për të kryer aktivitetet që këto OJQ kanë.

Madje këto OJQ po vlerësojnë se fokusi më i madh i donatorëve është tek organizatat që janë më të mëdha e që zakonisht të njëjtat janë në zona urbane e fare pak në ato rurale.

Është Marte Prekpalaj nga organizata jo qeveritare “Gratë Vizionare të Shekullit XXI” që si pak kolege të saj pati guximin të punoj me gratë e qendrën të mos e ketë në zonë urbane.

Vështirësitë i shtohen pasi puna e saj fokus kryesor ka gratë në fshatra, e qendrën e OJQ-së ku ajo punon e kanë në Has të Prizrenit.

“Jemi në Has në Prizren. Në përgjithësi OJQ-të qendrat i kanë në qytete, unë jam ndër të rrallat që qendrën e kam në Has këtu, larg nga qyteti” – thotë Prekpalaj.

Ajo, si shumë bashkëpunëtore të saj, mendon se organizatat që janë në qytet, më afër qendrës, e kanë punën më të lehtë.

Mirëpo, Prekpalaj prapë thotë se falë dëshirës për të punuar në të mirë të grave, bën që ajo të vazhdojë punën e në fund të dal fitimtare.

“Edhe unë kur kam apliku në projekte, nuk e kam pas të vështirë se tash teknologjia po na i jep mundësitë, mirëpo po qëndron edhe ajo që OJQ-të në qendër kanë lehtësira”- shprehet ajo.

Për të drejtat e grave janë angazhuar edhe nga Peja. Nga organizata jo qeveritare “Alma” për KALLXO.com kanë thënë se në mesin e problemeve të tjera që sfidojnë edhe mbylljen e organizatës është që fondet janë fokusuar në qytet, në OJQ-të e mëdha.

“Na kanë ngulfat OJQ-të e mëdha, shumë e thjeshtë, unë bëjë apel edhe nuk do të ndalem deri sa OJQ-të e mëdha mos t’i thithin krejt fondet, mos t’i lënë organizatat që kanë punu me vite me u mbyllë dhe ato e marrin kapacitetin tonë, e marrin punë prej neve, marrin vullnetarizëm”- thotë Shemsie Seferi, drejtuese e “Shoqatës për Emancipimin e Femrës – Alma”.

Seferi thotë se është aktive në formë vullnetare për OJQ-të e mëdha që fokusin e kanë në qytet, e që sipas saj këto organizata në fund përfitojnë fonde.

 

Nga kush dhe sa po ndihmohen OJQ-të?

Rrjeti i Grave të Kosovës që si mision ka të përkrahë, të mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, në vazhdimësi bashkëpunon me OJQ në të gjithë Kosovën.

Ky Rrjet tregon se anëtaret e tyre janë të grupeve të ndryshme etnike, moshe, aftësie, dhe zone gjeografike dhe punojnë për çështje të rëndësishme për njerëzit, veçanërisht për gratë dhe vajzat, brenda komuniteteve të tyre.

Madje RRGK për të përkrahur edhe më tej OJQ-të ka krijuar edhe një fond të quajtur “Fondi i Grave”.

Ky fond ofron grante të vogla për organizatat e grave që nuk kanë qasje në burime të tjera të financimit dhe të cilat kërkojnë të punojnë për të drejtat e grave, veçanërisht në mesin e grupeve nga vendet rurale dhe/apo grupeve të margjinalizuara.

Që nga viti 2012, FGK ka ndarë 289 grante, duke përkrahur 153 organizata, në një shumë të përgjithshme prej 1,771,249.96 euro.

Vlera totale e këtyre granteve është deri më tani 1 milion e 11 mijë e 387 euro.

Përderisa, mbështetje organizatat kanë edhe nga Ministria e Drejtësisë, por që OJQ-të në vazhdimësi ankohen se kjo mbështetje institucionale nuk është e mjaftueshme për aktivitet që ata kanë.

Ministria e Drejtësisë, në përbërjen e saj ka Departamentin për Politika të Shërbimeve Sociale, i cili deri në dhjetor të vitit 2022 kishte funksionuar në kuadër të Ministrisë së Financave.

Në fillim të 2023-ës, Ministria e Drejtësisë, në përputhje me përgjegjësitë, kishte hapur thirrjen për subvencionim të OJQ-ve të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare për qytetarë në nevojë sociale.

Për vitin 2023, sipas MD-së, Qeveria e Kosovës, ka mbështetur subjektet juridike gjegjësisht OJQ-të, për periudhën janar-prill 2023 në vlerë prej 500 mijë euro.

Ministria e Drejtësisë kishte thënë se janë në proces e sipër të mbështetjes financiare në vlerë prej 1 milion e 500 mijë euro periudhë maj-dhjetor 2023 deri në shkurt 2024.

Përgjigjet e MD-së kishin bërë të ditur se në vitin 2022, Ministria e Financave, kishte mbështetur financiarisht organizatat në vlerë prej 1 milion euro. Ku prej kësaj shume, 400 mijë euro ishin ndarë për strehimoret, ndërsa 600 mijë për OJQ-të tjera të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.

Pra nga kjo vlerë monetare në 2022 janë mbështetur 44 Subjekte Juridike, prej tyre 10 strehimore dhe 34 OJQ tjera në të gjithë territorin e vendit.

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.