Komuna e Hanit të Elezit bëhet kampione me numrin e grave në krye të drejtorive komunale

Komuna e Hanit të Elezit e ka themeluar një drejtori të re komunale.

Në fakt, Komuna ka ndarë Drejtorinë e Arsimit, Kulturë, Rini dhe Sport në dy drejtori: Drejtoria e Arsimit dhe Shkencës, dhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Drejtorinë e Arsimit e udhëheq drejtori i njëjtë, Hisni Luri.

Ndërsa, në pozitën udhëheqëse të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit kryetari i Komunës, Mehmet Ballazhi, e ka emëruar Arbenita Bajramaliun.

Me formimin e Drejtorisë së re, Komuna tani ka 9 drejtori.

Ndërsa, me emërimin në pozitën e drejtoreshës të Arbenita Bajramaliut, Komuna e Hanit të Elezit bëhet kampione në nivel të Kosovës sa i përket udhëheqjes së drejtorive komunale nga gratë.

Nga 9 drejtoritë komunale, 5 udhëhiqen nga gratë, ose, përkthyer në përqindje 55.5%, duke dalë para Komunës së Kamenicës, ku 54.5% e drejtorive udhëhiqen nga gratë.

Vendimin për emërimin e drejtoreshës së re e ka marrë kryetari Ballazhi dje.

Foto: KALLXO.com

Në një prononcim për KALLXO.com, kryetari Ballazhi ka treguar arsyen e emërimit të Arbenita Bajramaliut në krye të Drejtorisë së re.

‘’Arsyeja që e kam emëruar një grua drejtoreshë është për të dhënë një mesazh që edhe gruaja është e barabartë në marrjen e vendimeve dhe ajo ka drejtë në proceset e vendimmarrjes dhe më këtë vendim dua që si Komunë të jemi shembull i barazisë gjinore dhe respektimit të të drejtave të grave” – tha kryetari i Komunës Mehmet Ballazhi.

Ai gjithashtu tregoi edhe profilin e drejtoreshës së re të emëruar.

“Drejtoresha e re me profesion është profesoreshë e edukatës fizike dhe deri tash ka punuar në shkollën fillore “Ilaz Thaçi” në drejtimin e njëjtë si profesoreshë e edukatës fizike dhe ka punuar me aktivitete të ndryshme të kulturës dhe sportit” – shtoi ai.

KALLXO.com kishte raportuar që kryetari i Komunës së Hanit të Elezit kishte mbajtur premtimin që e kishte dhënë, duke emëruar gratë në krye të gjysmës së drejtorive.

https://kallxo.com/krypometer/ballazhi-mban-premtimin-per-emerimin-e-grave-ne-krye-te-gjysmes-se-drejtorive/

www.kallxo.com