Hakmarrja Ndaj Sekiraqës- Rasti II

Një hakmarrje e zyrtarëve policorë për kolegun e tyre, Triumf Riza, që besohet që është vrarë nga njerëz të Enver Sekiraqës, la të vdekur Naim Muratin dhe Pleurat Sllamnikun, pas shpërthimit të një bombe në lokalin e quajtur “Sekiraqa”.

Sekiraqa dhe Riza kishin inate personale.Të dy kishin pasur lidhje intime me këngëtaren Adelina Ismajli.

Eksplozivi kishte shpërthyer më 27 shtator 2007 në lokalin e lartpërmendur, që ndodhet në lagjen “Dardania” në Prishtinë, nga i cili ishin plagosur edhe njëmbëdhjetë vetë, si Xhelal Sinani, Vigan Zeneli, Liridon Nishevci, Gëzim Syla, Esat Nishevci, Naim Hyseni, Fadil Berisha, Luan Kadriu, Shkëlqim Syla, Milot Kadriu dhe Teuta Kadriu. 

Një proces gjyqësor i dytë pritet të fillojë lidhur me shpërthimin në këtë lokal, pasi që Prokuroria Speciale e Kosovës dyshon se tetë persona të moshës 34 deri në 43 vjeç janë organizuar të hakmerreshin ndaj Enver Sekiraqës për vrasjen e oficerit policor, Triumf Riza.

Lidhur me shpërthimin në fjalë, Besnik Hasani, pjesëtar i Njësisë Speciale të Kosovës dhe Shpend Qerimi, pjesëtar i Njësisë Antidrogë, që në këtë aktakuzë janë dëshmitarë, në shtator të vitit 2009, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 25 vjet burgim për vepra penale, vrasje e rëndë, lëndim i rëndë trupor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Ndërsa, Nysret Cena ishte liruar nga akuzat.

Të gjithë të pandehurit e tanishëm ishin pjesë të hetimeve në procesin e parë, por kundër tyre nuk u gjetën prova, shkruan aktakuza.

Dyshimet për kryerjen e veprave të njëjta penale rëndojnë edhe mbi policët Bejtullah Mehmeti (1979), Luan Qerkini (1977), Bekim Suma (1970), Fadil Sadiku (1979), ish policët Arbresh Dalipi (1981) e Mehmet Mehmeti (1975), ish pjesëtarin e TMK-së, Nusret Cenën (1975) dhe Afet Dalloshin (1978).

Shpërthimi në kafenenë “Sekiraqa” kishte ndodhur rreth një muaj pas vrasjes së policit Riza, ndërsa policia atëkohë besonte se përgjegjës për vrasjen e tij ishte një bashkëpunëtor i afërt i Sekiraqës.

Sipas aktakuzës, polici Triumf Riza dhe Enver Sekiraqa, që njihet si “gangsteri” i Prishtinës, kishin marrëdhënie të tendosura për shkak se Riza ishte në lidhje intime me këngëtaren Adelina Ismajli, që kishte qenë ish-e dashura e Sekiraqës.

Enver Sekiraqa, është i dyshuar edhe për një sulm ndaj personit zyrtar në vitin 2005, dhe aktualisht po gjykohet në burgun e Dubravës, ku po e vuan një dënim tjetër për të njëjtën vepër penale dhe për kërcënim ndaj zyrtarëve policorë. Në vitin 2007 ai ishte konfrontuar me policë të Njësisë Speciale të Policisë në Ferizaj, dhe dyshohet se në gusht të atij viti ai e ka organizuar vrasjen e policit Triumf Riza.

Siç shkruan aktakuza, një fjalosje në mes të Rizës dhe Sekiraqës më 2006 në Swiss Cassino, eskaloi në shkëmbim me armë zjarri mes tyre, ku u lënduan dy persona, njëri nga ta anëtar i grupit të Sekiraqës. Riza ndjehej i kërcënuar nga grupi i tij, prandaj edhe i kishte informuar eprorët e tij.

Më 24 shtator, rreth orës 02:10 të mëngjesit të hershëm, tetë të pandehurit vendosën eksploziv poshtë shkallëve që të shpinin në kafenenë “Sekiraqa”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit ishin në dijeni që mund të shkaktonin vdekjen e disa personave. 

“Të pandehurit e dinin se shpërthimi mund t’i vriste klientët, por ata e vazhduan planin e tyre. Këta klientë u bënë viktima të zemërimit dhe hakmarrjes së të pandehurve kundër Enver Sekiraqës”, thuhet në aktakuzë. 

Disa nga të akuzuarit kanë mohuar përfshirjen e tyre në shpërthim, e disa nga ta nuk kujtojnë se çfarë ka ndodhur.

Në aktakuzën e 30 shtatorit 2013, prokurorja kërkon paraburgim për tre prej tetë të pandehurve: Luan Qerkini, Afet Dalloshi dhe Nusret Cena. Kurse për pesë të tjerët: Bejtullah Mehmeti, Fadil Sadiki, Bekim Suma, Arbredh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti, ka bërë kërkesë që t’u caktohet masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh. 

Sipas arsyetimit, ekziston rreziku i bashkëpunimit dhe i arratisjes nga vendi, meqë të tetë personat njihen mirë, ata mund të bashkëpunojnë në mes vete. 

Bomba u montua në fermën e deleve

Mjeti shpërthyes ishte montuar në një fermë të deleve në fshatin Rakaj të Komunës së Kaçanikut. 

Për këtë kishte dëshmuar edhe Basri Sejdiu, i cili ka treguar se punonte në fermën e deleve në këtë fshat. Ai kujdesej për fermën e deleve dhe punonte në një zyrë te porta, ku edhe flinte. 

Sejdiu ka deklaruar në prokurori se kishte parë dy vetura policie që kishin mbërritur brenda 15 minutave njëra pas njëra-tjetrës natën në këtë fermë dhe gjithashtu, kishte parë të vinte me to edhe një veturë civile. 

Një automjet vozitej nga Besnik Hasani, i cili i kishte thënë atij të futej brenda dhe të flinte.

Të pandehurit, sipas aktakuzës, nuk arritën të vinin bombën brenda lokalit “Sekiraqa”, ashtu siç ishte planifikuar.

“Bari “Sekiraqa” ndodhet në katin e parë të ndërtesës. Në atë kohë, porta prej hekuri para derës së barit ishte e mbyllur, dhe ata nuk mundën ta këpusnin drynin. Kështu që, të pandehurit nuk arritën të hyjnë në bar. Prandaj, ata vendosën ta vinin bombën poshtë shkallëve që të shpinin në të”, shpjegohet në aktakuzë. 

Ndërkaq, bomba e vendosur te dera e lokalit kishte shkaktuar edhe dëme materiale te të paktën tetë biznese, që ishin në afërsi të këtij lokali. Ata akuzohen edhe për shkaktim të dëmit të madh pasuror në pronën dhe pasurinë e disa bizneseve, si: “Ciko”, “Besa”, “Uran Shped”, “Oslo”, “Pasazh”, “Noti”, “Kojota”, “FitnessClub”.

Dëshminë e vet prokurorja e mbështet edhe në bazë të korrespodencave përmes telefonave të këtyre personave, në atë kohë dhe në atë natë. 

I pandehuri Arbresh Dalipi, më 23 gusht 2013, ka deklaruar në prokurori se nga të pandehurit njihte vetëm Luan Qerkinin dhe Bekim Sumën, por se nuk mban mend numrin e tij të telefonit që e mbante më 2007, e as që ka shkuar në Prishtinë në atë kohë për ta takuar Besnik Hasanin, Nusret Cenën, ose Bejtullah Hasanin.

Ndërkaq, i pandehuri Mehmet Mehmeti, fillimisht para prokurorisë kishte mohuar takimin me Besnik Hasanin një ditë para shpërthimit. Por, kur prokuroria i tha se kishte njohuri se ai kishte qenë në Prishtinë, Mehmeti kishte deklaruar “se mund të ketë qenë duke e dërguar gruan për në Prishtinë dhe nuk e di pse Shpend Qerimi e ka përmendur”.

I pandehuri tjetër Afet Dalloshi ka mohuar përfshirjen në vënien e bombës në lokalin “Sekiraqa”, ashtu siç kanë bërë edhe të pandehurit Luan Qerkini dhe Besnik Suma. 

Kurse Nysret Cena është paraqitur pa avokat dhe ka shfrytëzuar të drejtën e tij të qëndrimit në heshtje, ndërkaq Fadil Sadiku kishte deklaruar se pas gjshtë vjetësh nuk i kujtoheshin rrethanat e asaj kohe. 

Derisa Bejtullah Mehmeti deklaronte se i kishte thënë policisë se po shihte serialin “Familja Moderne”. Por, ai nuk mund ta shpjegonte se si mobili i tij ishte ndodhur në Prishtinë në një kohë kur ai thoshte se ishte në shtëpi duke parë televizion.