Foto: Freepik

AIP për kamerat e sigurisë në Prishtinë: Monitorimin do ta bëjë Policia e Kosovës

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka bërë një sqarim publik lidhur me vendosjen e kamerave të sigurisë në kryeqytet.

AIP ka njoftuar se monitorimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë do ta bëjë Policia e Kosovës dhe po ashtu infrastruktura teknike e pajisjeve, ruajtja dhe mbikëqyrja do të sigurohen nga Policia.

Në njoftim është  thënë se me qëllim të koordinimit ndërinstitucional, përkatësisht sigurimin e mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve sot është mbajtur një takim mes Krenare Sogojeva-Dermakut, komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), Basri Shabanit, drejtor i Drejtorisë Rajonale në Prishtinë të Policisë së Kosovës dhe Lulzim Fushticës, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në  Komunën e Prishtinës.

Në njoftim thuhet se kërkesa për blerjen dhe vendosjen e kamerave në hapësira publike në kryeqytet, që ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin dhe zbulimin e veprave penale, identifikimin, gjetjen dhe kapjen e kryesve të veprave penale si dhe arritjen e objektivave të tjera të ligjshme policore, është bërë nga Policia e Kosovës drejtuar Komunës.

“Projekti me specifikat teknike është përgatitur nga Grupi Punues në përbërje të anëtarëve nga Policia e Kosovës dhe Kryeqytetit” – thuhet në këtë sqarim.

Po ashtu u njoftua se sistemi i regjistrimit të të dhënave, që do të bëhet nga këto kamera, do të krijojë mundësinë e vlerësimeve statistikore, pa përfshirë përpunimin e karakteristikave biometrike dhe menaxhimi i tyre do të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës mbi bazën e autorizimeve ligjore të saj.

Agjencia për Informim dhe Privatësi tha se siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se bazuar në mandatin ligjor do të bëjë monitorimin e zbatimit të këtij projekti për të siguruar zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke përfshirë edhe inspektimin e realizimit të projektit.