Faton Hajrizi Arratiset Sërish nga Burgu

Policia në Prizren ka njoftuar se Faton Hajrizi, këtë vikend, derisa po shëtiste në shëtitoren e Qendrës së Paraburgimit në Prizren, ka arritur që të ngjitet në murin e oborrit, duke u kapur për një ulluk të ujit të shirave dhe përmes telave gjemborë disa rrathësh, ka kërcyer nga muri i lartë disa metra.

Sakaq roja e kishte hetuar dhe e kishte urdhëruar që të ndalet, mirëpo i burgosuri nuk e ka përfillur urdhrin.

“Tri krisma nga pistoleta ‘Glock 19’ e gardianit kanë alarmuar situatën dhe shumë shpejt gardianë e policë janë vënë në ndjekje të të arratisurit”, ka bërë të ditur Hazir Berisha, zëdhënës i policisë rajonale në Prizren.

Drejtori i Burgut, Miftar Zyba, e ka informuar drejtorin e Policisë Rajonale të Prizrenit me urgjencë, dhe të dy kanë dalë në vendin e ngjarjes për të organizuar “Unazën e Çeliktë”.

Pas një hetimi dhe kontrolli të detajuar të zonës është arritur që të identifikohet podrumi i një qebaptoreje se ku fshihej i arratisuri.

Një epror i policisë ia ka rivënë prangat Faton Hajrizit, i cili menjëherë është përcjell nga Njësia Speciale në një vend më të sigurt, saktëson policia.

Hajrizi (1985), edhe disa herë më parë është arratisur nga burgjet e Kosovës. Në korrik 2007, ai ishte arratisur nga Burgu i Dubravës, së bashku me gjashtë të burgosur të tjerë, të dënuar për krime të rënda.

Të arratisurit e tjerë ishin Burim Basha (1981), nga Prizreni, i dënuar me disa vjet burgim për veprën e grabitjes; Amir Sopa (1978) nga Prishtinë, për terrorizëm; Astrit Shabani (1981) nga Prishtina, i dënuar për vrasje; Xhavit Morina (1963) nga Malishevë, i dënuar për terrorizëm; Ramadan Shyti (1983) nga Hani i Elezit, për terrorizëm dhe Lirim Jakupi (1979) nga Gjilani, i dënuar për rrëmbim.

Pasi kishin kaluar rrethojat e burgut, shtatë të burgosurit janë pritur nga persona të tjerë, të cilat kanë filluar të shtënat kundër rojave të burgut. Pas hetimeve ishin arrestuar disa punonjës të Burgut të Dubravës dhe disa persona të tjerë që dyshohej se kishin ndihmuar arratisjen.

Pak muaj pas arratisjes, në shtator 2007, ka ndodhur një grabitje me armë në Drenas, ku katër persona me armë dhe maska kishin grabitur një argjendari dhe gjatë ikjes kishin plagosur me armë zjarri dy policë dhe pronarin e dyqanit. Vlera e arit të grabitur ishte rreth 63 mijë euro.

Gjatë vazhdimit të kërkimit të grabitësve, në fshatin Bruznik-Vushtrri, një patrullë e policisë kishte tentuar ta ndalojë një veturë të dyshuar.  Të dyshuarit nga ajo veturë kishin shtënë në drejtim të policisë dhe kishin plagosur me armë zjarri dy policët dhe kishin arritur për të ikur në këmbë. Dyshohet se të njëjtit kanë kryer grabitjen dhe plagosjen në Drenas.

Faton Hajrizi dhe Burim Basha ishin arrestuar në tetor 2007 në një shtëpi në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Gjatë bastisjes janë gjetur disa armë. Kurse Lirim Jakupi ishte kapur pas tre vjetësh në arrati.