Fabrika e Çimentos para Qeverisë

Autoritetet serbe kanë refuzuar nismën e hapjes së një përfaqësie të Kosovës në Beograd. 

Oliver Ivanovic, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se ideja për të hapur një zyrë ndërlidhëse në Beograd ose zyrë informimi nuk duket reale, “e mos të flasim për zyrë të karakterit diplomatik e politik”.

“Duhet të ketë komunikim më të mirë se sa që kemi dhe kjo do të ishte pozitive dhe do të ndihmonte në mirëkuptim”, ka thënë Ivanovic për Gazeta Jeta në Kosovë. “Mirëpo, nuk mendoj se kjo është zgjidhje, ngase çdo nismë që vjen nga Prishtina e ka një të vetmin qëllimin e ai është pranimi direkt apo indirekt të pavarësisë së Kosovës”.

Sipas Ivanovicit, do të ishte e pranueshme që ndërmarrjet private nga Kosova të papolitizuara dhe pa përpjekje për të shtyrë çështje politike të mendojnë të hapnin përfaqësitë e tyre në Beograd pasi, shtoi ai, kryeqyteti serb është një treg i madh i shitblerjes

“Mundet, ta zëmë, fabrika e çimentos nga Hani i Elezit ose fabrika e Llamarinës nga Vushtrria të hapin përfaqësi dhe në këtë moment kur i kemi marrëdhëniet politike aq keq do ishte e shëndetshme të kemi marrëdhënie ekonomike më të mira dhe komunikim më të mirë ekonomik ngase kemi interesa të përbashkëta”, tha Ivanovic. “Përndryshe, për çdo aspekt politik që mund të shtyhet, serbët nuk janë naivë dhe nuk do ta hanë një ide të tillë”.

Nisma është rekomanduar haptazi nga diplomati i njohur amerikan, Daniel Serwer, i cili ka thënë se patriotët e ardhshëm të Kosovës do të jenë përfaqësuesit e saj në Beograd. Sipas tij, nuk ka rëndësi se çfarë formati do të kishte kjo përfaqësi, përderisa ajo t’i raportonte Qeverisë prapa në Prishtinë për zhvillimet në Serbi.

“Kosovarët duhen të jenë të përfaqësuar në Beograd në një formë ose tjetër – ashtu sikurse amerikanët që kanë pasur ambasadë në Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, ashtu edhe kosovarët duhet të kenë përfaqësim në Serbi, sepse keni nevojë nga afër të dini çka ndodhë në skenën serbe edhe nëse e konsideroni këtë vend armik”, ka thënë Serwer për Gazeta JnK.

Sipas tij, Kosova duhet të ketë zyrë të ngjashme në Moskë gjithashtu.

Burime të Gazetës në Qeverinë e Kosovës kanë treguar se bisedat për ta bërë këtë ide realitet nuk janë që nuk zhvillohen fare, por se kanë stagnuar ngase Qeveria nuk ka mundur të vijë me ndonjë propozim për emër të këtij përfaqësuesi i cili do të pranonte të shkonte në Beograd dhe që njëkohësisht do të ishte emër i pranueshëm për ekzekutivin dhe as modalitetet e mandatit.

Politikani me ndikim në Kosovë, deputeti i PDK’së në Parlament Xhavit Haliti, ka thënë se ideja për hapjen e kësaj përfaqësie është e mirë, ndonëse vështirë e realizueshme. 

“Kësaj ideje të z.Serwer do të duhet t’i përgjigjeshin pozitivisht të gjitha palët, por sidoqoftë kjo kërkon një vendim politik edhe në Kosovë edhe në Serbi. Nuk mund të vendoset të hapen zyre pa e ditur motivin e hapjes së tyre si dhe cili do të jetë funksioni përkatës”, ka thënë Haliti.

Kosovari i fuqishëm në kohën e ish-Jugosllavisë, avokati Azem Vllasi, do të kishte pranuar që ai të jetë ‘ambasador’ i shtetit të Kosovës në Serbi. 

Mirëpo, thotë ai, vështirë se kjo do të ndodhë tash për shkakun që Serbia nuk e pranon shtetin e Kosovës. Vllasi, tash 63 vjeçar, është realist. Ai thotë se kur ndoshta ndonjë herë do të vije mundësia të shkojë ai ambasador, atë ka mundësi të mos ia lejojë edhe shëndeti fizik pasi po bëhet ngadalë i shtyrë në moshë.

Vllasi e mirëpret hapjen potenciale të një përfaqësie në kryeqytetin serb. 

‘Ideja që Qeveria e Kosovës të hapë një zyrë ndërlidhëse, një zyrë për informim, në Beograd është ide e mirë. Qëllimi kryesor do të ishte që Qeveria për së afërmi t’i përcjell zhvillimet në Beograd dhe në Serbi që kanë të bëjnë me raportet me Kosovën dhe me procesin e normalizimit të raporteve ndërshtetërore’, thotë Vllasi .

Ish-lideri jugosllav thotë se këtë çështja duhet biseduar edhe në dialogun teknik mes shefes së delegacionit kosovar Edita Tahiri dhe atij serb Borislav Stefanovic.

“Në Bruksel ishte dashur të diskutohet për këtë punë se formë tjetër juridike nuk ka”, thotë Vllasi. “Ajo zyrë nuk mundet të regjistrohet në Beograd si OJQ, ilegalisht nuk mundet të qëndrojë, duhet ta sigurojë një formë dhe forma do të sigurohej vetëm si marrëveshje mes dy delegacioneve në Bruksel me arsyetim dhe pretekst kryesor se kjo do të kishte për detyrë angazhimin për implementimin e marrëveshjeve teknike-praktike që do të arrihen në vazhdimin e bisedimeve me Serbinë”.

Përkundër trysnisë së Bashkimit Europian që Prishtina dhe Beogradi përmes dialogut teknik të përmirësojnë marrëdhëniet ekzistuese, zhvillimet e fundit në veri vetëm sa kanë rënduar edhe më shumë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Beogradi ka kërcënuar se nuk do të ulet në tavolinë që të vazhdojë më bisedime teknike duke kërkuar që të shtrohet tema e veriut. Javën e kaluar në Prishtinë, një numër politikanësh me peshë sprovuan opinionin për zhvillime të mëtejme potenciale drejt fillimit të bisedimeve për ‘zgjidhje historike’ për Kosovën ose të paktën për veriun.