Diplomacia e Kosovës jashtë binarëve

Skandaleve të shumta të politikës së jashtme të Kosovës iu shtua edhe një i tillë pas demantimit që iu bë njoftimit për njohje të pavarësisë së Kosovës nga shteti i Xhamajkës.

Mbrëmjen e së enjtes, liderët politikë vendorë iu gëzuan një njoftimi se shteti ishullor i Karaibeve, Xhamajka e ka njohur shtetësinë e Kosovës, një njohje që do të vinte pas dy vitesh nga ajo e fundit që erdhi nga Barbadosi.

Ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili përmes një publikimi në rrjetin social Twitter, bëri të ditur se vendit i është shtuar edhe një njohje, duke iu referuar një njoftimi që e kishte marr nga ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.

“Lajm i madh! Sapo jam njoftuar nga ambasadorja jonë, Vlora Çitaku, që Xhamajka e ka njohur Republikën e Kosovës si sovrane dhe të pavarur. E di që kjo është rezultat i punës së palodhur dhe lobimit të disa viteve, përfshirë punës së Eliot Engel. Punë e mirë. Faleminderit miq të dashur nga Kingstoni” shkroi Thaçi.

Menjëherë pas njoftimit pasuan urimet dhe falënderimet edhe nga kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Galuk Konjufca si dhe nga kryeparlamentarja, Vjosa Osmani.

Madje pati edhe zyrtarë politik në pushtet, të cilët këtë njohje e ndërlidhen me ardhjen e qeverisë së re dhe pritjeve për ndryshime pozitive.

Kryeministri Albin Kurti e cilësoi si fillim të mbarë njohjen. Kurse ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca e ka falënderuar shtetin e Xhamajkës për njohjen e Republikës së Kosovës.

Ndërsa, kryeparlamentarja ka thënë se Xhamajka ka bërë një vendim të drejtë pa asnjë dyshim.

Por një ditë më pas, mëngjesin e së premtes në mediat vendore u raportua se Kamina Smith, ministrja e Jashtme e Xhamajkës e ka mohuar njohjen e shtetit të saj kundrejt pavarësisë së Kosovës.

“Deri më sot, Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur”, thuhet në një publikim në Twitter të Smith, së cilit iu referuan mediat.

Pas kësaj, ka reaguar ministri i Jashtëm dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i cili tha se se janë duke biseduar me Ambasadën e Kosovës, në Amerikë për të sqaruar situatën e krijuar.

Ai ka thënë se kanë pranuar një informatë zyrtare nga ambasadorja Çitaku mbrëmë.

“Mbrëmë, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, znj. Vlora Çitaku, përmes postës elektronike e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për njohjen nga Xhamajka. Në rrafshin profesional, informata zyrtare e një Ambasadori/eje, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, konsiderohet si akt i mirëqenë dhe merret në konsideratë si e tillë”, ka thënë Konjufca.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën tonë në SHBA, për të sqaruar situatë e krijuar”, ka shtuar ai.

Kurse, Zyra e Presidentit e ka hedhur fajin në drejtim të MPJ-së, pavarësisht se ishin të parët që e dhanë lajmin për njohje.

”Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është njoftuar mbrëmë zyrtarisht nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës. Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme. Presidenti këtë njoftim e ka bërë publik përmes profilit të tij në Twitter. Për informacione tjera, luteni t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigje.

Gjatë ditës, KALLXO.com ka telefonuar në Ambasadën e Kosovës në ShBA, si dhe ka dërguar pyetje ambasadores Çitaku, për të marr një qëndrim nga ajo, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Lidhur me këtë çështje, analisti politik Blerim Vela ka thënë se duhet të ketë koordinim mes institucioneve të vendit për verifikim të njohjeve nga shtetet tjera.

“Për të sqaruar rrethanat e skandalit me ‘njohjen’ nga Xhamajka dhe parandalimin e përsëritjes së fenomenit të tillë në të ardhmen, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme duhet të mbajnë takim me Presidentin e vendit në mënyrë që të  pajtohen rreth: – Koordinimit ndërinstitucional për verifikim të njohjeve nga shtetet tjera, si dhe – Krijimit të mekanizmave për komunikim dhe verifikim të njohjes me shtetet tjera”, ka shkruar ai në Facebook.

Si rrjedhojë e koordinimit të tillë, siç thotë Vela, personat përgjegjës për këtë duhet të japin llogari për lëshimet e bëra, qoftë në Presidencë, Qeveri, MPJ apo Ambasadën e Kosovës në SHBA.

Në anën tjetër, pavarësinë e Kosovës, sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, nuk e ka njohur asnjë shtet që prej vitit 2018, ndërsa figurojnë 116 shtete të cilat e pranojnë Kosovën si shtet.

Në vitet e fundit, diplomacia kosovare ka pasur probleme jo vetëm me sigurimin e njohjeve nga shtete të reja, për shkak të fushatës së Serbisë për çnjohje, por edhe në lobimet për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

Kosova nuk ka arritur të anëtarësohet as në organizata të mëdha ndërkombëtare si INTERPOL dhe UNESCO.

Me shumë kritika është përcjell  veçanërisht puna gjatë mandatit të ish-ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Gjatë dy viteve nën qeverisjen e tij Kosova i pranoi vetëm dy njohje të reja.

Ndërkaq, skandale të tjera u bën publike edhe përmes rrëfimeve të kallxuesve, të cilat janë shfaqur në Emisionin “Jeta në Kosovë”.