Foto: Albin Kurti/facebook

Politika e jashtme në gjumë, asnjë njohje e re për Kosovën

Kosova është gati ta përmbyll vitin 2023 pa as edhe një njohje të re të shtetësisë së saj. Hera e fundit kur Kosova kishte pranuar njohje, ishte para tri vitesh, derisa një hendek i tillë kohor pa asnjë njohje po shihet si dështim i diplomacisë kosovare, sa që vihet në pikëpyetje nëse në Kosovë ekziston politika e jashtme.

Edhe pse është përgjegjëse, askush nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nuk është përgjigjur për këtë sfidë të politikës së jashtme kosovare.

E vetmja e re që ndërlidhet me lobimin për njohje të reja në këtë vit është bërë publike nga mediat e është pritur më ngurrim nga Ministria përkatëse, është që Gani Jakupi është caktuar këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike, për të lobuar në vendet jonjohëse.

Gani Jakupi për një vit paguhet nga 7,500 euro në muaj për t’ia përmirësuar Kosovës imazhin nëpër vendet si Spanja. Ky rast trazoi ujërat.

Por çfarë është duke u bërë për të siguruar njohje të reja dhe pse po vijon një stagnim i tillë përderisa Kosovës i duhen sa më shumë shtete që t’ia njohin shtetësinë, në mënyrë që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, gjithashtu të jetë më e mbrojtur nga faktori ndërkombëtar.

Rrjedhimisht, mungesa e njohjeve e pengon Kosovën që të lëvizë përpara. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e njeh ende Serbia dhe as Bosnje dhe Hercegovina. Ndërsa nga vendet e Bashkimit Evropian janë pesëshja e shumë përfolur: Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qipro.

Sidoqoftë, në faqen e Ministrisë informatat e vetme për çështjen e njohjeve ka mbetur lista e shteteve që kanë njohur shtetësinë e Kosovës, dhe qëllimi shabllon i politikës së jashtme, që “mbetet fuqimisht e angazhuar për të lobuar…” Në listë janë të renditura 117 vende njohëse, e prirë nga Republika e Kosta Rikës më 17 shkurt 2008, deri te 1 shkurti 2021 nga Izraeli, kjo e fundit pas tri viteve pa asnjë njohje.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike që u kurorëzua më një ambasadë në Tel Aviv të Izraelit, ka qenë pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator, 2020.

Edhe pse ekziston një paragjykim publik se çfarë rëndësie ka për Kosovën një njohje nga një shtet i vogël në skaj të Afrikës, megjithatë sa më shumë shtete e njohin shtetësinë e Kosovës, aq më shumë rritet siguria dhe fuqizimi i saj.

Kosova nuk është as anëtare e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) e të tjera.

“Politika e jashtme në Kosovë nuk ekziston”

Fuqizimi i politikës së jashtme e diplomacisë dhe vënia në funksion e mekanizmave lobues është kyçe për të tërhequr njohje të reja.

Gëzim Visoka, profesor i asociuar i studimeve të paqes dhe konfliktit pranë Universitetit të Qytetit të Dublinit, vlerëson që lobimi për njohje diplomatike të Kosovës nuk duket se është prioritet kryesor i MPJD-së.

Duke u bazuar në aktivitetet publike të MPJD-së, Visokës i duket se kjo Ministri ka më shumë interesim për investim në diplomaci bilaterale dhe fuqizimit të marrëdhënieve më diasporën, se sa të sigurojë njohje.

“Mendoj se kjo ngecje sa është determinuar nga disa faktorë vendor por edhe nga zhvillimet ndërkombëtare” – tha Visoka për KALLXO.com, duke përmendur luftën në Ukrainë dhe në Lindje të Mesme që kanë shpërqendruar vëmendjen ndërkombëtare.

Në këndvështrimin e tij, në rrafshin vendor, humbja e momentumit për njohje ndërlidhet me mungesën e stabilitet politik në dekadën e fundit, si dhe ndërthurjen e njohjes ndërkombëtare të Kosovës me dialogun për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Përveç kësaj, në veçanti, kushtëzimi i përkrahjes së aleatëve të Kosovës me lëshime ndaj Serbisë ka luajtur rol negative në përkrahjen ndërkombëtare për njohje të reja, thotë Visoka.

“Po ashtu, prioritizimi i ndryshimeve kadrovike (kuadro) brenda MPJD-së ka shpërqendruar vëmendjen dhe ka ndikuar në mungesën e planifikimit strategjik dhe lobimit proaktiv për njohje” – shtoi ai.

Tre vite pa asnjë njohje të re, janë një hendek për diplomacinë kosovare, e sidomos kur merret parasysh që ndërmjet viteve 2008 dhe 2014, Kosova siguronte mesatarisht rreth 12 njohje në vit.

Vrulli i madh i njohjeve ka qenë menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë. Me kalimin e viteve ra edhe numri i tyre, edhe pse dy vite pas mëvetësisë, në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi në vitin 2010 se “pavarësia e Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare”.

SHBA-ja, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Afganistani janë disa nga shtetet e para që kishin njohur Kosovën në momentet e para pas shpalljes së pavarësisë.

Në anën tjetër, Arbresha Loxha nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), thotë që në këtë periudhë një vjeçare, politika e jashtme e Kosovës është karakterizuar pa ndonjë sukses substancial, përkundrazi ka çaluar në njohje ndërkombëtare, pa siguruar asnjë të tillë.

“Në njëfarë mënyre më shumë ka qenë e eklipsuar nga zhvillimet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, se sa që ka prodhuar rezultate në aspekte tjera” – tha ajo për KALLXO.com.

Loxha thotë që kanë hasur një përafrim të marrëdhënieve me Greqinë si një shtet mosnjohës, megjithatë njohja de-jure duhet të kërkohet dhe të mos hiqet dorë nga ajo.

Sipas saj, që nisma kryesore në kuadër të politikës së jashtme dhe MPJD-së si institucion, ka qenë aplikimi për anëtarësim në Këshill të Evropës – KE, dhe sukses përbën edhe kalimi i fazës së parë së aplikimit ku është votuar me 2/3 në Këshillin e Ministrave të KE-së.

Në anën tjetër, Albert Prenkaj, ish-drejtor i përgjithshëm për Amerikë në Ministrinë e Punëve të Jashtme deri në prill të këtij viti, thotë se në këtë periudhë politika e jashtme e Kosovës jo që është e padukshme në arenën ndërkombëtare, por sipas tij, “nuk ekziston fare”.

Prenkaj i cili më parë kishte qenë edhe ambasador në Itali, tha për KALLXO.com që në asnjë segment Ministria e Punëve të Jashtme nuk i plotëson as kriteret më minimale të institucionit që ushtron politikë të jashtme.

Sipas tij, politika e jashtme e Kosovës ka mungesë vizioni, pa-aftësi profesionale dhe politike për të zhvilluar politikë të jashtme, sjelljet jo diplomatike duke mos e vlerësuar pozicionin ndërkombëtar të vendit, duke bërë kështu që Kosova të jetë i vetmi vend në Evropë nën sanksione.

Ai fajëson ministren Donika Gërvalla- Schwarz dhe kabinetin e saj, që e kanë sjellë situatën deri në atë pikë sa vështirë të mendohet për lobim.

“Njohjet e reja nuk mund të arrihen derisa Kosova paraqitet si një vend i sanksionuar, me politikë të jashtme izolacioniste, me sharlatanizëm diplomatik, duke mos e naviguar interesin shtetëror dhe të qytetarëve të Republikës, me politikë revizioniste ngulfatëse” – thotë ai.

Sipas Prenkaj, lobimi për njohje përfshin një ndërmarrje dhe angazhim të përhershëm, koordinim dhe komunikim jo vetëm me shtetin në shënjestër, por me shumë ndërkulturor të vendeve, organizatave dhe entiteteve jo-shtetërore tjera.

Praktikat që ishin përdorur viteve të mëparshme, Prenkaj thotë se nuk ishin kufizuar vetëm brenda shtetit që kishin qëllim ta bindin për njohje, por përmes lobimit të koordinuar me vendet e fuqishme.

Në këtë formë, sipas tij, Kosova këshillohej dhe planifikonte, duke krijuar strategji lobimi, përmes forumeve të përbashkëta koordinimi me mes vendet e Quint (SHBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani, Itali), gjithashtu me Turqinë, e vendet e rajonit si Mali i Zi.

Në këtë rast, Prenkaj mori shembull komunikimet e gjata të njohjes së pasaportave nga Singapori, që solli edhe njohjen e shtetësisë së Kosovës më pas; njohjen nga Surinami e Togo, që sipas tij ishte një rrugëtim i gjatë për të siguruar njohje nga to.

“Kosova nuk është më një shtet i ri simpatik që paraqitej si storje e suksesit nga përkrahësit e saj që ndihmuan që ky projekt të jetë i suksesshëm”- thotë ai.

Ish-ambasadori në Emirate të Bashkuara, Avni Arifi tha për KALLXO.com që problemet e brendshme brenda MPJD, nuk e lënë këtë Ministri të merret me politikë të jashtme dhe se pa një reformë rrënjësore nuk mund të ketë rezultate.

Sipas tij, politika e jashtme ka nevojë për vizion të ri duke iu përshtatur konteksteve kulturore të vendeve mosnjohëse.

“Ekzistojnë forma të lobimit kur rekrutohen njerëz të fuqishëm që kanë ndikim për lobim, por jo njerëz që nuk i njeh askush” – tha ai, duke iu referuar politikave lobuese, krahasuar me kontraktimin e Gani Jakupit si faktor për ndikim në vendet jonjohëse.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në MPJD se çfarë hapash kanë ndërmarrë për lobim në vendet jonjohëse, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Serbia akoma është pengesa kryesore

Serbia vazhdon të jetë pengesa kryesore për njohjen e Kosovë.

Një ndër faktorët që ka ndikuar në këtë stagnim të njohjeve, sipas Gëzim Visokës është ndërlidhja e njohjes diplomatike të Kosovës me normalizmin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila ka ndikuar negativisht në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtare të Kosovës.

Në gjysmë dekadën e fundit, Kosova ishte ballafaquar me fushatën e Serbisë për çnjohje të Pavarësisë së Kosovës. Ato që e kishin tërhequr njohjen ishin kryesisht vende të Afrikës, si Burundi, Ishujt Solomon, Madagaskari, Gana, Sierra Leone e të tjera, ani pse institucionet e Kosovës nuk kanë konfirmuar ndonjë çnjohje.

Pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit ka qenë edhe një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e Serbisë për çnjohjen e Kosovës, ashtu si edhe një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare – moratorium që ka skaduar në vitin 2021.

Për këto kushtëzime ndaj Kosovës, Visoka thotë që Kosova është dashur ta diversifikoj politikën e jashtme dhe të refuzoj kushtëzimet ndërkombëtare dhe insistoj që këto procese të jenë të ndara, ngase si pasojë e këtij ndërthurje përkrahja ndërkombëtare për njohje është pushuar, dhe më keq Kosova është inkurajuar që të mos bëjë veprime që do të shiheni nga Serbia si dëmtim i procesit të dialogut”.

Pranimi i strategjisë së Serbisë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për të ndaluar njohjen ndërkombëtare të Kosovës derisa të zgjidhen mosmarrëveshjet mes dy vendeve, sipas Visokës, “është përdorur nga Serbia në mënyre dinake për të lobuar për çnjohjen e Kosovës ku në ndër vite ka arritur të bind rreth 20 shtete të ngrijnë, suspendojnë, apo tërheqin formalisht njohjen e Kosovës”.

Ndërkaq, Prenkaj i cili kishte qenë vet pjesë e MPJD- së, konsideron që ky proces ka marrë energji politike diplomatike-negociuese në arenën ndërkombëtare duke qenë se në anën e kundërt Serbia dhe aksi anti-Kosovë kishte investuar në anti-lobimin në formë politiko-diplomatike, financiare, kulturore.

Sipas tij, Serbia premtonte ndihma financiare për vende të varfra në botë dhe bashkëpunim të shumanshëm me të tjerë në këmbim të mosnjohjes, apo si e quan ai një “fletore çeçesh diplomaci” serbe.

Megjithatë, Visoka i cili është marrë vazhdimisht me këtë temë, thotë që ka edhe vende tjera që e shfrytëzojnë rastin e Kosovës për të avancuar interesat e tyre.

Sipas tij, Rusia e keqpërdor rastin e Kosovës për të mbajtur perëndimin e përçarë dhe shpërqendruar; ndërkaq, disa vende të BE-së nuk janë të interesuar ta zgjidhin problemin e Kosovës ngase do të detyrohen të përshpejtojnë integrimin e rajonit në BE.

Për të gjetur zgjidhje afatgjatë për lobim, Visoka rekomandon tri objektiva. E para sipas tij, Kosova duhet të përqendrohet në rikthimin e dinamikes së politikës së jashtme që ka pasur një dekadë më parë. Kjo do të thotë që të loboj tek vendet njohëse dhe jo-njohëse evropiane që Kosova të ketë trajtim të barabartë si vendet e rajonit dhe të përshpejtoj procesin integrues në BE dhe NATO.

“Duhet urgjentisht të binden vende individuale të BE-së që të ndërprejnë sanksionet ndaj Kosovës dhe të shkëputin ndërthurjen e diplomacisë bilaterale me dialogun me Serbinë,” – thotë ai.

Së dyti, Kosova duhet të punoj intenvizisht dhe kultivojë raportet bilaterale me vendet njohëse dhe çnjohëse jashtë Evropës përmes diplomacisë së bashkëpunimit teknik dhe sektoral. Në këtë mënyrë kthehen njohjet e humbura dhe “kthehet në binar trajektorja progresive të trajtimit të Kosovës ndërkombëtarisht.”

Dhe së treti, të përqendroj përpjekjet për të siguruar njohje të reja nga vendet që janë në agjendë të MPJD-së që një kohë të gjatë.

“Sa më shumë vende që e njohin Kosovën, aq më shumë mbrojtje ndërkombëtare do të ketë dhe më shumë mundësi për tejkalim të kërcënimeve të sigurisë nga forcat e jashtme. Ndërsa, sa më e izoluar apo e tkurrur që të jetë Kosova aq më shumë do të jetë e ekspozuar nga ndërhyrjet e jashtme”- shprehet Visoka.

A e ka zbehur njohja nga Izraeli ‘simpatinë’ e shteteve arabe ndaj Kosovës?

Për mungesën e njohjes nga shtetet arabe, ish-ambasadori në Emirate të Bashkuara, Avni Arifi fajësoi mungesën e politikave lobuese nga MPJD, që ai e quan dështim.

“Problemi është këtu që jo që është dështim, por degradim i politikës tonë lobuese. Ne edhe aty ku kemi qenë afër, kemi humbur. Vendet që na kanë njohur nuk po vendosin marrëdhënie diplomatike dhe këta nuk e kanë përcjellë se pse ata nuk po vendosin marrëdhënie diplomatike, Omani dhe Egjipti,” – shprehet Arifi për KALLXO.com.

Për Omanin, ai thotë që nuk ka marrëdhënie diplomatike për faktin që atje më Kosova nuk ka dërguar kurrfarë korrespodence në vitet e fundit.

Edhe pse më nuk merret me politike, Arifi thotë që përcjellë vazhdimisht zhvillimet politike, sidomos në fushën e politikës së jashtme. Megjithatë, ai konsideron që asnjëherë gjatë historisë së saj nuk ka qenë aq keq.

“MPJD aktuale është më pak funksionale, më pak efektive, me një imazh shumë të keq se sa Lidhja Demokratike e Kosovës e viteve të 90-ta. Atëkohë ka qenë shumë ma e respektuar edhe pse nuk kemi qenë shtet hiç, por ka qenë shumë më efektive se kjo tash” – shtoi ai.

Në opinion publik, pas njohjes nga Izraeli ishin ngritur zëra që janë zbehur marrëdhëniet mes Kosovës dhe shteteve arabe, qoftë për njohje, qoftë vendosje të marrëdhënieve diplomatike. Megjithatë, kjo teori po kundërshtohet.

“Absolut nuk ka ndikuar njohja e Izraelit. Unë atëherë si ambasador kam kërkuar një takim me ambasadorin për Evropë, drejtorin politik për çështje të jashtme, e kemi biseduar për këtë çështje. Të njëjtin koment që e kemi marrë ka qenë që ne kemi raporte shumë të mira me Kosovën, edhe ne jemi të interesuar që këto raporte t’i forcojmë më tutje” – tha Arifi.

Ndërkaq, Gëzim Visoka thotë që njohja e ndërsjellët mes Kosovës dhe Izraelit nuk ka qenë problematik, por aspekti më i ndjeshëm ka qenë dhe mbetet hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, që konsiderohet se nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe koncenzusin ndërkombëtar për statusin e qytetit të Jerusalemit.

Sipas tij, si pasojë e kësaj, vendet si Turqia, Xhordani dhe Pakistani kanë qenë të pakënaqur me vendimin kontrovers të Kosovës dhe për një kohë nuk kanë shfaqur vullnet të mirë për t’i ndihmuar Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, por me kalimin e kohës këto marrëdhënie janë ripërtrirë.