Deputetja e LVV-së: Nëse Xhamajka s'e ka njohur Kosovën, të shkarkohet ambasadorja Çitaku

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka kërkuar shkarkimin e Ambasadores së Kosovës në SHBA , Vlora Çitakut, nëse lajmi se shteti i Xhamajkës nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës del të jetë i vërtetë.

“Siç po duket shumë shpejt aksioni për pastrimin e Shërbimit të Jashtëm do të prek edhe Ambasadorë. Nëse informatën e pavërtetë për njohje ka dhënë Ambasadorja Çitaku ajo duhet të mbahet përgjegjëse e duhet menjëherë të jap llogari. Kosovës tani i duhen Ambasadorë kompetent, profesional, të përgjegjshëm e në shërbim për të mirën e shtetit”, ka shkruar deputetja në Facebook.

Pacolli ka shtuar se Kosova nuk ka nevojë për ambasadorë që shpërndajnë informata të pavërteta.

“Nëse vërtetë lajmi për njohje nga Xhamajka është i pavërtetë, Ambasadorja Çitaku duhet të shkarkohet menjëherë dhe t’i kërkohet llogari”, thuhet në publikimin e saj.

 

Por një ditë më parë, kur presidenti Hashim Thaçi deklaroi se Xhamajka e ka njohur pavarësinë e Kosovës, deputetja Pacolli ishte deklaruar se “Era e ndryshimit politik në Kosovë po ndihet edhe jashtë saj”, për shkak të qeverisjes aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Viti 2020 filloi mbarë. Në 2018 kishim vetëm një njohje e në 2019 kishim 0 njohje. Sot, Xhamajka e ka njohur Republikën e Kosovës. Era e ndryshimit politik në Kosovë po ndihet edhe jashtë saj. Ky ndryshim do të sjellë njohje të reja, investime e edhe Liberalizimin e vizave. Erdhi dita për ty Kosovë!”, kishte shkruar Pacolli në Facebook.

Mediat vendore, duke iu refereuar një publikimi në Twitter kane raportuar se Kamina Smith, ministrja e Jashtme e Xhamajkës, ka reaguar mëngjesin e sotëm në Twitter duke thënë se vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën.

“Deri më sot, Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur”, thuhet në antë publikim.

Lajmi për njohjen e Xhamajkës është bërë i ditur mbrëmë, ndërsa kreu i shtetit Hashim Thaçi i dha meritat ambasadores Vlora Çitaku dhe senatorit amerikan Eliot Engel.

Njohja ishte përshëndetur nga krerët institucionalë të Kosovës.

Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti si dhe ministri i Jashtëm Glauk Konjufca i është gëzuar lajmit për njohje.

Kryeministri Albin Kurti e cilësoi si fillim të mbarë njohjen.

“Një lajm shumë i mirë sot. Xhamjka një vend i rëndësishëm i Karaibeve dhe një pjesë e rëndësishme e Komonuelthit të Kombeve njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës. Një fillim i mbarë i vitit 2020 për diplomacinë e Kosovës dhe qeverinë e re”, kishte shkruar ai në Twitter.

Kurse ministri i Jashtëm Glauk Konjufrca e ka falënderuar shtetin e Xhamajkës për njohjen e Republikës së Kosovës.

“Njohja e Republikës së Kosovës është një moment i veçantë i miqësisë në mes të vendeve tona. Qeveria e Republikës së Kosovës do të përcjellë, përmes kanaleve diplomatike, gatishmërinë për të inicuar lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve tona dhe për të thelluar miqësinë dhe bashkëpunimin në mes të dy shteteve dhe popujve tanë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.