FOTO: MPJD
(Mos)Suksesi diplomacisë kosovare
Dokumenti për themelimin e Asociacionit duhet t’i ofrojë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit komunitetit serb në Kosovë.
Mes tjerash, ai parasheh qartë mundësinë e mbështetjes financiare të Asociacionit nga ana e Serbisë, si dhe “një kanal efikas dhe të drejtpërdrejtë të komunikimit ndërmjet komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale”.
Kompetencat e tij (Asociacionit) janë arsyet përse autoritetet në Kosovë kanë refuzuar, deri më tash ta formojnë Asociacionin.
Për të, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshje në Bruksel, në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në emisionin #KallxoPërnime.
Ajo ka thënë se drafti i fundit i Asociacionit është më i miri deri më tash.
“Topi është te bashkësia ndërkombëtare, pra më së paku varet nga ne. Ata na kanë prezantuar një draft për të cilin thonë se nuk krijon asnjë nivel ekzekutiv dhe as nuk e cenon shtetin e Kosovës. Meqë na e kanë sjellë atë draft, kryeministri ka qenë i interesuar ta nënshkruaj, nëse Serbia është e gatshme t`i nënshkruaj të tri dokumentet gjë që nuk ka ndodhur atë ditë. Prandaj unë nuk mendoj që drafti që kemi marrë është i shkëlqyeshëm, por mendoj që është shumë më i mirë se sa shumë të tjera që kemi pasur në tavolinë, duke përfshirë edhe atë që është arritur marrëveshja e që e ka shkelur Kushtetutën”- tha Gërvalla.
Gërvalla ka thënë se Asociacioni është një prej çështjeve të cilat Serbia në vazhdimësi e trajton si kryesoren.
“Ata e marrin një temë psh para një viti ka qenë çështja e targave, e vendosin atë temë si më të rëndësishmen e mundshme, dmth si ekzistenciale dhe fillojnë debatojnë rreth asaj teme pa asnjë synim minimal”- ka shtuar tutje ajo.
Asociacioni sipas Gërvallës po shtrohet si temë kryesore, por që thotë se Beogradit nuk i intereson fare kjo.
“Beogradi për ta kërkuar Asociacionin duhet ta di se nga kush e kërkon, nëse e kërkon nga shteti i pavarur i Kosovës, për qytetarët serb të Kosovës, atëherë jemi shumë dakord që të flasim, mirëpo këtë hap Serbia nuk e bën andaj kemi këto negociata ecejake që nuk po sjellin kurrfarë rezultati”- thotë Gërvalla.
Premtimi elektoral i VV-së që s’do të ketë Asociacion
“Unë nuk e di se kënd jeni duke e cituar, unë e di se Asociacioni i vitit 2013 dhe s’kemi pasur mundësi të flasim për ndonjë tjetër sepse ai ka qenë ai Asociacion të cilin e kemi përmendur. Jo ne që e kemi thënë por e ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese”- tha Gërvalla në emisionin #KallxoPërnime.
Gërvalla ka thënë se secili që do të ketë mundësi t`i krahasojë dy draftet, këtë të fundit me marrëveshjen e vitit 2013, do të mund të shoh që janë të kundërta.
“Rezultati i asaj marrëveshje (2013), krijon një nivel të tretë ekzekutiv, i cili krijon predispozita të ngjashme me republikën serbe që kemi në Bosnjë e Hercegovinë, ky dokument që e kemi tash unë jam e fundit që duhet ta mbroj sepse jam kritike ndaj këtij dokumenti dhe unë kërkoj që ai dokument të bisedohet me partnerët tanë dhe të ketë ndryshime thelbësore”- thotë Gërvalla.
Kritikë për draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka shprehur kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.
Ai ka thënë se dokumenti e mundëson një autonomi të zgjeruar territoriale me tendencë drejt federalizmit. E njohës të çështjeve politike bën thirrje që Qeveria të mos pranojë përmbajtje që del jashtë kushtetutshmërisë së Kosovës.
Ndërsa në intervistën për emisionin #KallxoPërnime, Gërvalla ka thënë se kjo që ka thënë Abdixhiku nuk është e vërtetë.
“Është një propagandë që opozita e ka bërë”- thotë Gërvalla.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pakrahasimisht më i avancuar se sa ai i vitit 2013.
Këtë deklaratë Kurti e tha para gazetarëve teksa shtoi se vërejtjet dhe kritikat e tij ia ka përcjellë edhe emisarit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.
Ndryshe në dhjetor të 2015-ës, Atifete Jahjaga, atëherë presidente e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, marrëveshjen për Asociacionin.
Në vendimin e Kushtetueses thuhet që parimet e përgjithshme, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.
Projektet që BE ia ndali Kosovës me vendosjen e sanksioneve
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka folur rreth projekteve që BE-ja i ka ndalur Kosovës, si pasojë e masave ndaj saj.
Gërvalla ka thënë se janë kryesisht projekte të IPA-s, por që sipas saj Qeveria po punon që t’i kthejë ato.
“Por shumë më e madhe është shuma e cila është vonuar nga mosvotimi në Kuvend i marrëveshjeve ndërkombëtare, edhe ato nga shtetet e Bashkimit Evropian sesa shuma me të cilën dëmtohet buxheti dhe projektet e ndryshme në Kosovë, të prekura nga masat e BE-së”- ka thënë Gërvalla.
Ndryshe, deputetja britanike, Alicia Kearns, në një intervistë për KALLXO.com ka folur për letrën dërguar Bashkimit Evropian përmes të cilës kërkohet t’u jepet fund “masave negative” ndaj Kosovës.
Ajo gjatë intervistës shpjegoi se cili është qëllimi i kësaj letre, e po ashtu foli edhe për fletarrestin ndërkombëtar ndaj Millan Radoiçiqit, e për hetimet e ndërkombëtareve lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
Cilat janë ‘masat kufizuese’ që Bashkimi Evropian i vendosi ndaj Kosovës
Pse BE në raportin e Progresit nuk i referohet si ‘terrorist’, sulmit në Banjskë?
Gërvalla ka folur edhe për raportin e Komisionit Evropian, i cili nuk i referohet si ‘terrorist’ sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.
Për këtë Gërvalla tha se ka kërkuar mbështetjen e të gjithë spektrit politik e shoqëror që të gjithë me një zë t`i paraqesin kërkesat e Kosovës.
“Jo njëri t`i bjen gozhdës e tjetri patkoit, sepse një gjë që është e dukshme nuk ka nevojë për interpretimin tim apo tuajin për t`u ditur se çfarë ka ndodhur. Natyrisht ne i kemi provat, i ka KFOR-i i kanë SHBA, i ka BE-ja i kanë të gjitha kryeqytetet madje në biseda me kamera të mbyllura të gjithë na e konfirmojnë përgjegjësinë direkte të Serbisë në sulmin e 24-shtatorit. Ai është sulm ushtarak sepse ka pasur armatim për 400 persona”- tha Gërvalla.
Sipas saj, diplomacia kosovare ka vepruar për t’i bindur të gjithë që sulmi i 24-shtatorit të quhet terrorist.
“Të gjitha ambasadat tona qysh ditën e nesërme, mbas 24 shtatorit me dokumente të përgatitura kanë kërkuar takime dhe në vazhdimësi deri në përfundimet preliminare që janë përafërsisht 54 faqe që janë shpërndarë në të gjitha kryeqytetet”- thotë Gërvalla.
Më tej, ajo ka shtuar se BE-ja i ka pasur të gjitha faktet për atë se çfarë ka ndodhur më 24 shtator në Banjskë.
“KFOR-i dhe EULEX-i kanë qenë në një koordinim të cilin e kanë konfirmuar edhe vet, pra nuk mund të akuzohet Qeveria e Kosovës pse BE, heziton të marr masa ndaj Serbisë”- shton tutje Gërvalla.
Ajo ka thënë tutje se të gjithë përfaqësuesit shtetëror e paraqesin sulmin e 24-shtatorit si terrorist.
“Nëse flasim për një dokument dhe injorojmë faktin që ka shumë ministra, kryetarë shtetesh që bëjnë pikërisht të kundërtën e asaj që shkruan në raport, atëherë pyetja do të duhet të ishte pse nuk ka unitet në BE”- thotë ajo.
Në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit u vra Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm.
Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist. Konfiskimi i armëve të tjera vazhdoi edhe pas asaj dite.
Tre persona nga grupi terrorist u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.
Përgjegjësinë për këtë sulm e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Radoiçiq përmes një letre të cilën e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq, tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar.
E gjithë diplomacia kosovare, sipas Gërvallës ka lobuar që sulmi i 24 shtatorit të quhet terrorist.
“Të gjitha ambasadat tona pas 24 shtatorit me dokumente të përgatitura kanë kërkuar takime, kanë zhvilluar takime dhe në vazhdimësi deri në përfundimet preliminare që janë përafërsisht 54 faqe, të cilat janë shpërndarë në të gjitha kryeqytetet”- tha tutje Gërvalla.
Ajo shtoi se BE-ja nuk ka unitet rreth këtij fenomeni (sulmit në Banjskë).
“Pyetja do të duhej të shtrohej se pse në BE nuk ka unitet rreth këtij fenomeni që ka ndodhur. Ku qëndron dobësia e BE-së?”- shtoi ajo.
Por sa ka unitet brenda Kosovës që ky sulm të quhet terrorist?
“Nëse edhe për këtë çfarë ka ndodhur më 24 shtator nuk kemi unitet të brendshëm. Edhe unë e them sulm terrorist me mjete ushtarake ose paraushtarake, paramilitar në kuadër të një sulmi terrorist, pra mënyra e sulmit ka qenë terroriste, por sfondi është paraushtarak. Ata persona që kanë shkuar atje, rreth 100 të armatosur me uniforma ta qojnë mallin e viteve të 90-a, nuk ka asgjë këtu në interpretimin as të kryeministrit, as të askujt në atë se çfarë ka ndodhur”- thotë Gërvalla.
Për 3 vjet në krye të diplomacisë, Gërvalla pa asnjë njohje
Gërvalla në intervistën dhënë për #KallxoPërnime, ka thënë se nëse “flasim për 5 shtetet brenda BE-së që nuk e kanë njohur pavarisinë e Kosovës, atëherë është një çështje e rëndësishme për Kosovën sepse është një prej parakushteve jo domosdo formale për rrugën tonë drejt BE-së”.
Pavarësisht kësaj, thotë se kanë punuar pa rreshtuar drejt këtyre 5 njohjeve.
“Unë s’mund t’ia imponoj vullnetin tim shteteve të tjera, çfarë mund të bëjë, është që mos të ndal punën asnjë ditë, të përpiqem në mënyra të ndryshme me argumente. Ka edhe shtete të tjera që kanë bërë goxha progres në këtë proces”- ka thënë ministrja e MPJD-së.
Gërvalla ka deklaruar se pa kaluar viti i ri Kosova do të ketë një zyre në një shtet që nuk “pritet”, por që sipas saj nuk mund ta përmend emrin e tij.
“Pa kaluar viti i ri, do të arrini të kuptoni se do të kemi një zyre të re të Republikës së Kosovës në një vend që nuk pritet. Ne po ashtu kemi krijuar marrëdhënie diplomatike me Poloninë, hapet konsullata në Varshavë, është marr pëlqimi tani ka mbetur vetëm të gjendet lokacioni se ku do të vendoset zyra”- thotë tutje ajo.
Gërvalla thotë po ashtu se Kosova është shumë afër të ketë njohje nga 5 shtetet e BE-së por habitet se pse kjo gjë ende nuk po ndodh.
“Habitemi se pse kjo s’po ndodh kur jemi shumë afër vazhdimisht, por nuk varet vetëm nga vullneti i Kosovës. Atë çfarë ne duhet të bëjmë, e bëjmë për çdo ditë por nuk varet vetëm nga ne”- ka thënë ministrja.
“Kemi punuar me të gjitha shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke përjashtuar Kinën edhe Rusinë”- shton ajo.
Në pyetjen se me çfarë duhet të matet puna 3 vjeçare e Gërvallës, ajo thotë se “me stabilitetin e vendit tonë”.
“Fakti që Kosova është një demokraci stabile, fakti që Kosova ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe të demokracisë….”- thotë Gërvalla.
Ligji për diasporën dhe ai për Shërbimin e Jashtëm ende nuk kanë shkuar në Kuvend
“Ligji për Shërbimin e Jashtëm është i gatshëm por ka arsye pse nuk është në Parlament dhe ligji i cili kushtëzon këtë ka qenë ende në Gjykatën Kushtetuese. Opozita e ka bërë zakon që çdo ligj që e aprovojmë me peshë në Parlament, nuk kalon vetëm këtu pa e çuar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Unë nuk mund t`i bëjë presion Kushtetueses vetëm se dua që ky ligj të miratohet”- ka thënë Gërvalla.
Ajo ka shpjeguar se Ligji për Shërbimin e Jashtëm është i varur drejtëpërdrejt me Ligjin për Zyrtarët Publik.
“Në tetor i është dhënë drita e gjëlber pjesërisht atij ligji nga Kushtetuesja. I kemi marr vërejtjet që kanë dalë nga Kushtetuesja”- ka thënë Gërvalla.
“Nuk dërgohet çdo ligj në Kushtetuese, po, po e kritikoj opozitën sepse parlamenti është instanca që miraton ligje. E të gjitha proceset po vonohen duke dërguar secilin ligj në Kushtetuese”- ka shtuar tutje ajo.
“S’është konflikt interesi që kryetari i listës ‘Guxo’ të përfitojë bursë nga Ministria e Punëve të Jashtme”
Kryetari i listës ‘Guxo’ në Gjermani, Berlind Gajraku, është përfitues i bursës në vlerë 10 mijë euro, i programit për “Diplomaci Qytetare 2023”, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka mohuar të ketë konflikt interesi në këtë proces si dhe sipas saj nuk ka ndonjë gjë të gabuar.
Ajo në një intervistë për emisionin #KallxoPërnime, ka thënë se nuk di fare për këtë program pasi sipas saj, përfitues të bursave kanë qenë 22 persona.
“Unë di një gjë, komisioni që ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve është i pavarur, i përbërë nga 5 veta, prej tyre dy janë nga MPJD dhe 3 të tjerë janë nga shoqëria civile edhe nga universiteti. Unë as nuk e di a e kanë ditur ata a është a jo ky kryetar dege. Unë për vete as nuk jam interesuar sepse nuk punoj për emra të përveçëm” – tha Gërvalla.
Ajo thotë që nuk mund ta penalizoj dikë, i cili ka hyrë në atë program në bazë të pikëve.
“Ky është program ekspertësh. Nëse ne skandalizojmë çdo proces i cili është zhvilluar nga akterë të pavarur mbi bazë të meritokracisë, atëherë do të vijmë në një moment kur do ta pyesim vetëm pse s’po na vjen më askush. Nëse ne intencë kryesore e kemi ekspozimin e njerëzve që deri sot nuk kanë bërë asnjë të keqe vendit dhe nuk kanë shkelur asnjë rregull. Ne kemi krijuar standard që ata më të mirët e ata që e meritojnë”- thotë Gërvalla.
Ajo shtoi se asnjëherë nuk është interesuar rreth këtij programi.
“Mund t`i ftoni nën betim këta anëtarë të komisionit dhe t`i pyesni nëse unë jam interesuar rreth atyre bursave. Është shumë e rëndësishme të kemi konsensus nacional se çfarë është dhe s’është skandal. Nëse ne skandalizojmë çdo proces, i cili është zhvilluar nga akterë të pavarur, mbi bazë të meritokracisë, atëherë do të vijmë në një moment që do të pyesim vetëm se pse s’po na vjen askush”- thotë Gërvalla.
Ajo ka thënë të mos e gjykojnë kryetarin e degës së “GUXO’, në Gjermani, por vet Gërvallën.
“Mos e gjykoni personin, mos e ekspozoni, më gjykoni mua. Është dashur të më ekspozoni mua, ministrinë, por jo personin”- thotë tutje ministrja e MPJD-së.
Çfarë lobimi po bën Gani Jakupi?
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se Gani Jakupi nuk paguhet 7500 euro në muaj ashtu siç është raportuar në media.
Ajo në emisionin #KallxoPërnime ka thënë se “për t’i mëshuar dikujt tjetër, ekspozohen në publik njerëz që nuk i kanë bërë asnjë të keqe këtij vendi”.
Ajo ka thënë se Jakupi është angazhuar në kuadër të një projekti me disa detyra specifike, por që refuzoi të tregojë se për çfarë saktësisht bëhet fjalë.
“Unë nuk mund të flas për detyrat e tij, nuk ka rrogë, ai nuk merr rrogë. Ai as nuk merr pagë, as nuk është këshilltar i Gërvallës, siç është paraqitur në publik. Gani Jakupi si një pjesë e madhe e njerëzve që jetojnë jashtë Kosovës dhe që kanë një qasje të caktuar nëpër qarqe të caktuara ku mund të ndihmojnë më shumë se të tjerët. Ka marrë detyra të vështira”- thotë Gërvalla.
Ajo ka shtuar se për të ditur se për çfarë detyrash bëhet fjalë duhet të presin derisa të përfundojë projekti.
“… po s’mund të flas për detyrat e tij, kur u publikua pseudo-skandali me Gani Jakupin, u përdor personaliteti i tij, u përdor projekti që ka për ta shkatërruar projektin sepse disa projekte të caktuara bëhen në suaza të caktuara”- shtoi tutje Gërvalla.
Ajo ka thënë gjithashtu se kontrata që ka Jakupi është me kohë të caktuar.
“Kontrata është me kohë të caktuar, në fund të vitit na pyesni ne ua japim kontratën, unë nuk e dëmtoj projektin për t`u arsyetuar para mediave, keni pak durim, z. Jakupi nuk e ka projektin që bëhet përmes thirrjeve publike. E keni ezauruar të gjithë potencialin e skandalizimit të kësaj teme. Ndoshta është sekret çështja e bisedave me persona që ne e kemi autorizuar të flasë. Pse doni t’ia cenoni mundësitë apo bllokoni për ta realizuar projektin që ka marr përsipër”- deklaroi ajo.