Reagon Konjufca: Po presim sqarime nga Ambasada në ShBA

Ministri i Jashtëm dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka reaguar ndaj deklaratave se Xhamajka në fakt nuk e ka njohur Kosovën.

Lajmi se Kosova u njoh edhe nga Xhamajka u dha fillimisht dje nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili tha se ishte njoftuar nga Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.

Por sot Kamina Smith, Ministrja e Jashtme e Xhamajkës, ka reaguar në Twitter duke thënë se vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën.

“Deri më sot, Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur”, shkroi ajo duke iu përgjigjur presidentit Hashim Thaçi.

Ministri i Jashtëm dhe Diasporës, Glauk Konjufca me anë të një njoftimi ka treguar se janë duke biseduar me Ambasadën e Kosovës, në Amerikë për të sqaruar situatën e krijuar.

Ai tutje tha edhe se lajmin për njohjen e ka marrë përmes postës elektronike nga Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.

Një informatë e tillë sipas Konjufcës që merret nga një ambasador konsiderohet si akt i mirëqenë.

Deri më tani nuk ka pasur reagim nga Ambasada e Kosovës në ShBA lidhur me këtë çështje.

Më poshtë lexoni postimin e plotë të Konjufcës:

Mbrëmë, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, znj. Vlora Çitaku, përmes postës elektronike e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për njohjen nga Xhamajka.

Në rrafshin profesional, informata zyrtare e një Ambasadori/eje, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, konsiderohet si akt i mirëqenë dhe merret në konsideratë si e tillë.

Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën tonë në SHBA, për të sqaruar situatë e krijuar.

Si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit.

Ministrja e Jashtme e Xhamajkës: Nuk e kemi njohur Kosovën