Çka është MSA-ja?

Procesi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) me BE-në është një proces përgjatë të cilit vendi që ka dëshirë të krijojë marrëdhënie më të afërta me BE-në – sidomos në fushën e tregtisë së lirë – dhe kalon nëpër reforma legjislative dhe administrative për tu përgatitur për një gjë të tillë. BE-ja dërgon ekspertë teknikë në fusha të ndryshme që e udhëzojnë qeverinë e vendit se si ta kuptojë drejtë legjislacionin e BE-së, si ta aplikojë atë në legjislacionin vendor dhe si t’i krijojnë institucionet që duhet t’i zbatojnë ato ligje në praktikë.

MSA-ja dallon prej procesit të anëtarësimit në BE. Është proces tjetër, që rezulton në marrëdhënie më të mira tregtare, por që fokusohet në reformimin jo vetëm të fushave që do mundësojnë tregtinë e lirë me BE-në dhe rajonin, por edhe fushat që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal, dialogun politik rajonal, drejtësinë dhe punët e brendshme. Natyrisht, reformat e arritura përmes MSA-së kontribuojnë në lehtësimin e procesit të anëtarësimit. Por duhet të kuptohet që këto procese nuk janë të lidhura me njëra tjetrën.

Asistenca financiare që vjen nga BE-ja gjatë këtij procesi fokusohet në implementimin e reformave kryesore që identifikohen përgjatë fushave kryesore të MSA-së, që kanë të bëjnë me tregun e lirë dhe çështjet e drejtësisë/rendit dhe ligjit. Nëse, për shembull, Kosova nuk ka ligj të mirë për sigurinë e ushqimit dhe standardet fitosanitare, që do ta kontrollonin produktin e prodhuar në Kosovë para se të eksportohet në BE në mënyrë që të mbrohet konsumatori Europian prej helmimeve ushqimore, atëherë asistenca do të fokusohet në krijimin e këtij ligji dhe institucionit që e implementon atë.

Për vendet që eksportojnë në BE, MSA-ja ka qenë mjaft e rëndësishme. U ka mundësuar kompanive vendore qasje në tregun e BE-së, me kushte shumë të mira. Për Kosovën, rëndësia e kësaj marrëveshje është më e madhe në aspektin e vendosjes së marrëdhënies kontraktuale me BE-në, që (shpresoj se) do ta qartësojë ligjërisht relacionin Kosovë-BE.
Studimi i fizibilitetit, rekomandimet e së cilit arritën në Kosovë më 10 tetor, ka shikuar pra dy gjëra: 1) nëse institucionet e Kosovës janë të gatshme të fillojnë të negociojnë me BE-në për MSA-në, dhe 2) nëse Kosova, që nuk njihet si shtet nga BE-ja, mundet ligjërisht të hyjë në një proces kontraktual me BE-në.

Negociatat për MSA-në nuk janë negociata me plot kuptimin e fjalës. Së paku jo në fillim. Çka ndodhë gjatë negociatave është krijimi i grupeve politike dhe disa grupeve teknike ndërministrore që mundohen, me ndihmën e zyrtarëve nga Komisioni Europian, ta kuptojnë, adoptojnë dhe implementojnë ligjin e BE-së në Kosovë. Si dhe t’i kuptojnë dhe implementojnë kërkesat e ndryshme politike që BE-ja do t’i vendosë si kushte për Kosovën gjatë negociatave.

Pjesa ku në të vërtetë negociohet vjen pak më vonë në proces, kur Kosovës i vjen radha të kërkoj provizione të ndryshme në pjesët teknike të marrëveshjes me BE-në apo edhe me shtetet anëtare. Për shembull, po të kishte Kosova prodhimtari të sheqerit, gjatë negociatave pala kosovare do të kërkonte që kuotat për import të sheqerit në vendet e ndryshme të BE-së të rriten në mënyrë që Kosova të mund ta plasojë gjithë sheqerin që e ka në këto vende. Apo, nëse ka ndonjë artikull në MSA që e mundëson eksportimin e disa produkteve nga BE-ja në Kosovë me kushte shumë të volitshme, që do ta dëmtonte shitjen e prodhimeve vendore në Kosovë, pala kosovare do të duhej ta negocionte atë artikull.

Pjesa e negociatave, edhe pse sfiduese, nuk do të jetë e pamundur për institucionet e Kosovës që ta bëjnë. Krijimi i grupeve ndërministrore dhe bashkëbisedimi me BE-në është diçka që këtu bëhet tash e disa vjet. Dhe është diçka që mësohet. Studimi i fizibilitetit e konfirmon këtë, kur thotë se Kosova në masë të madhe është e gatshme të fillojë negociatat për MSA.

Pjesa tjetër, ajo e qartësimit të natyrës ligjore të kontratës në mes të BE-së dhe Kosovës, mbetet ende problematike. Pa marrë parasysh insistimin e Ministres Vlora Çitaku se tash të gjitha sfidat ligjore për të konkluduar MSA-në janë larguar, kjo nuk do të thotë se kjo do të ndodhë ashtu në praktikë. Studimi i fizibilitetit thotë se duke marrë parasysh që BE-ja ka arritur të konkludojë marrëveshje edhe me entitete jo-shtetërore, si Autoritetet Palestineze, ajo do të jetë në gjendje që ligjërisht të konkludojë marrëveshje edhe me Kosovën, të cilën nuk e njeh si shtet. Por në mënyrë që një marrëveshje e tillë të bëhet obliguese për të gjitha vendet e BE-së, secili shtet veç e veç duhet ta miratojë atë. Që në rastin e Kosovës do të thotë se shteteve që nuk e njohin Kosovën do tu jepet mundësia për ta bllokuar procesin dikur më vonë, në fazën e miratimit.

Në studimin e fizibilitetit thuhet: “natyra ligjore e marrëveshjes do të duhet të përcaktohet në fund të negociatave, duke marrë parasysh përmbajtjen e marrëveshjes dhe kontekstin ligjor në atë kohë.”

Në përmbledhje, studimi i fizibilitetit për Kosovën thotë se: 1) Kosova në parim ka kapacitet që në të ardhmen të inkuadrohet në negocim të MSA-së, 2) BE-ja në parim nuk ka pengesa ligjore për konkludimin e MSA-së me Kosovën, por që natyra ligjore e saj është diskutabile, dhe 3) nisja e negociatave do të rekomandohet tek kur Kosova t’i ketë plotësuar edhe një numër të kushteve që përcaktohen aty.

Konkludimi i MSA-së do të jetë i rëndësishëm për Kosovën sepse do ta definojë marrëdhënien kontraktuale me BE-në. Por duhet ta kuptojmë se Kosova është shumë larg prej atij momenti.