Besa Shahini

Besa Shahini thotë se nuk do të jetë pjesë e politikës në Shqipëri pas përfundimit të mandatit

Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini ka thënë se do të largohet nga aktiviteti politik në Shqipëri, pas përfundimit të mandatit.

Në një intervistë të dhënë për Euronews Albania, Shahini ka treguar se për këtë vendim ka njoftuar edhe kryeministrin Edi Rama.

“ Unë tashmë kam njoftuar kryeministrin Rama që kam marrë një vendim që nuk do të vazhdoj të qëndroj në Shqipëri përtej këtij mandati, rrjedhimisht ishte një vendim i vështirë, sepse realisht më pëlqen edhe angazhimi politik dhe e adhuroj Shqipërinë”, ka thënë Shahini.

Sipas saj, arsyeja e largimit nga Shqipëria është familja e saj, që jeton në Kosovë.

“Duke e marrë parasysh se e gjithë familja ime jeton në Kosovë dhe ne përkundër gjithë afrimit që e kemi bërë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, prapë jemi dy shtete të ndara. Në këto momente kur ka  probleme sikurse këto që jemi ballafaquar në Shqipëri, prapë se prapë e sheh se nëse jeton me familjen larg në dy vende të ndryshme është pak e vështirë që të mirëmbahet pastaj e gjithë kjo pjesa tjetër e punës që është shumë një ngarkesë e madhe”, ka thënë Shahini.