Çfarë do të thotë për Kosovën vizita e Shefit të NATO-s?

Zbarkimi i Shefit të NATO-s, Mark Rutte në Kosovë së bashku me një ekip të madh nga aleanca ushtarake, erdhi si rikonfirmim i angazhimit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Por cilat ishin mesazhet kryesore që u dhanë nga kjo vizitë, sipas këndvështrimit të njohësve të politikës ndërkombëtare dhe të sigurisë?

Në hovin e zhvillimeve gjeopolitike në botë, vizita në Kosovë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, erdhi si mesazh i tërthortë që ripohon angazhimin e Aleancës Veri-Atlantike për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Kjo vizitë, si një ndër më të rëndësishmet në Kosovë në vitet e fundit, u zhvillua në një momentum zhvillimesh që ndërlidhen me rolin e SHBA-së në Europë dhe me qasjen ndaj Ukrainës, pas rikthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Ardhja e të parit të NATO-s, mori më shumë rëndësi për faktin se u zhvillua në kuadër të një vizite në Prishtinë dhe në Sarajevë. Në fjalimin e tij në Prishtinë, Rutte theksoi disa aspekte kyçe: nevojën për “fleksibilitet dhe kompromise nga të dyja palët për përparimin e Dialogut Kosovë-Serbi”; shpresën për “bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it”; dhe konfirmimin që “trupat e NATO-s janë të angazhuara për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm”.

Nën masa të larta të sigurisë, ish-kryeministri i Holandës, zhvilloi takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. I shoqëruar nga një delegacion i Këshillit të Atlantikut Verior dhe Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s, Rutte u prit me ceremoni shtetërore në institucionet qendrore kosovare.

Profesori amerikan, Daniel Serwer, ende pa ardhur Rutte në Kosovë, supozoi se ai do të nënvizojë përkushtimin e NATO-s për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Por, duke pasur parasysh qasjen transaksionale të presidentit Trump, ai ka dhënë një sinjal jo të mirë që lidhet me praninë e trupave amerikane në Kosovë, përkatësisht me mundësinë e tërheqjes së këtyre trupave nga shteti më i ri në Europë.

“Amerikanët do të duan të tërheqin trupat, por mendoj se ata e dinë se kjo do të ishte marrëzi përpara se Serbia dhe Kosova të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre”- tha Serwer për KALLXO.com, i pyetur nëse ekziston mundësia që trupat amerikane të KFOR-it të tërhiqen nga Kosova.

Frika për prezencën ushtarake amerikane në NATO është nxitur prej kur Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se europianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë. Ai në muajin shkurt kishte bërë thirrje shteteve europiane që t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje.

Vizita e Rutte-s, si dëshmi që NATO-ja i kushton rëndësi Kosovës

Eksperti i sigurisë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Ramadan Ilazi, vlerëson se vizita e Shefit të NATO-s në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë përcjell dy mesazhe kryesore.

Mesazhi i parë, sipas tij është që pavarësisht luftës në Ukrainë, Ballkani Perëndimor mbetet një përparësi strategjike për NATO-n në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të Europës. Ndërsa, i dyti, se NATO po i vëzhgon nga afër zhvillimet në rajonin tonë dhe është e gatshme të përgjigjet ndaj çdo përpjekjeje që synon destabilizimin.

Ilazi thotë se në kontekstin më të gjerë të përplasjeve gjeopolitike, kjo vizitë dërgon një sinjal të drejtpërdrejtë ndaj përpjekjeve destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

“Kosova është i vetmi vend në rajon ku NATO ka mandat të drejtpërdrejtë sigurie, dhe kjo e thekson përkushtimin e Aleancës ndaj stabilitetit të vendit tonë”- tha ai për KALLXO.com.

Ilazi përkujton se Sekretari i Përgjithshëm ka nënvizuar se zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë përmes dialogut të normalizimit duke bërë edhe thirrje për kompromis.

Rutte tha se Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura.

“Për ta lëvizur këtë dialog përpara, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen në përfitimet afatgjatë”-  tha ai.

Një gjë e tillë u tha edhe në raportin me rekomandime që QKSS publikoi një ditë para kësaj vizite, që: “Dialogu i normalizimit i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë është një nga elementet thelbësore veçanërisht për Kosovën për të ndërtuar besimin e shteteve skeptike anëtare të NATO-s dhe partnerëve ndërkombëtarë kur bëhet fjalë për procesin e integrimit euroatlantik të vendit”.

Gjithashtu, Ilazi shtoi se është e rëndësishme të theksohet se në Prishtinë, Shefi i NATO-s, udhëhoqi një delegacion të Këshillit të Atlantikut Verior, duke dëshmuar rëndësinë e lartë që NATO i kushton Kosovës.

Megjithatë, ai thotë se fatkeqësisht, kjo vizitë ishte një mundësi e humbur për institucionet e Kosovës që të paraqisnin një qëndrim të përbashkët.

“Përkundër faktit që ekziston një konsensus i gjerë politik për forcimin e marrëdhënieve me NATO-n, nuk iu prezantua ndonjë propozim i përbashkët dhe konkret Sekretarit Rutte për përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve”- u shpreh ai.

Sipas tij, hapi i fundit i rëndësishëm në këtë drejtim ndodhi në vitin 2016, gjatë Qeverisë së kryeministrit Isa Mustafa, kur u themelua Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT).

Fatkeqësisht, sipas Ilazit, “vizita kryesisht u shfrytëzua për mesazhe politike të brendshme nga ana e udhëheqjes kosovare, në vend që të përdorej për angazhim strategjik me NATO-n”.

Bashkëpunimi me ShBA-të në fushën e mbrojtjes

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë rreth 100.000 trupa në Europë. 600 prej tyre janë të vendosur në Kosovë, në kuadër të misionit të KFOR-it i cili gjendet në Kosovë që nga viti 1999. Ky mision gjithsej ka rreth 4 mijë e 600 pjesëtarë.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë. Reaguesi i parë është Policia e Kosovës, e pasuar nga Misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se i është konfirmuar që ushtria amerikane do të jetë e pranishme në kuadër të KFOR-it, dhe se përveç kësaj, Qeveria është e interesuar që të vazhdojë diskutimet ‘‘pikërisht me SHBA për prezencë ushtarake amerikane edhe jashtë mandatit të KFOR-it’’.

‘‘Sa i përket çështjes së trupave amerikane në Kosovë, ne po vazhdojmë të kemi konfirmim që ushtria amerikane do të jetë prezent në kuadër të KFOR-it”- ka thënë ai në konferencë për media më 12.03.2025.

Ai tha se përveç prezencës ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it, janë të interesuar dhe po vazhdojnë të diskutojnë me SHBA-të për prezencë ushtarake amerikane edhe jashtë mandatit të KFOR-it.

Një ditë pas kësaj vizite, ministri Maqedonci, njoftoi se është takuar me komandantin e ushtrisë së SHBA-së për Europë dhe Afrikë, me të cilin ka diskutuar rreth vendimit të Qeverisë për miratimin e nismës për marrëveshjen kornizë në fushën e mbrojtjes mes ShBA-së dhe Kosovës.

“Janë pesë pika kryesore që u dakorduam që të bashkëpunojmë: planifikimi dhe qeverisja e mbrojtjes, menaxhimi i resurseve humane dhe resurseve të mbrojtjes, si dhe ndërtimi i kapaciteteve strategjike ushtarake që do të marrim si mbështetje nga ShBA” – tha Maqedonci.

Mesazhi tjetër, FSK-ja të mbajë rolin e saj

Ramadan Ilazi e konsideron si thelbësore që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të përqendrohet në zbatimin e plotë të planit 10-vjeçar të tranzicionit, të rrisë pjesëmarrjen në nismat e NATO-s dhe të forcojë besueshmërinë e saj si partner i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm, sidomos në raport me NATO dhe KFOR.

“Kjo besueshmëri varet jo vetëm nga zhvillimi profesional i FSK-së, por gjithashtu nga qasja dhe retorika politike e qeverisë”- thotë ai.

Rekomandimi i Qendrës ku ai punon është që të krijohet “Iniciativa për Bashkëpunim të Rritur të Kosovës”, një version i përshtatur i mekanizmave të partneritetit të NATO-s (p.sh., Partneriteti për Paqe, Procesi i Planifikimit dhe Rishikimit, dhe Qendra Euro-Atlantike e Koordinimit të Reagimit ndaj Fatkeqësive) –  që të forcojë institucionet e mbrojtjes së Kosovës.

Rutte gjatë qëndrimit në Prishtinë, përmendi edhe Marrëveshjen mes Kosovës dhe NATO-s që nuk ia lejon Forcës së Sigurisë së Kosovës që të shkojë në veriun e vendit pa e dhënë NATO-ja dritën e gjelbër.

“Për aq kohë sa nuk ka një Marrëveshje të re, duhet të respektojmë marrëveshjen ekzistuese. Marrëveshja thotë se nëse FSK-ja dëshiron të dislokohet diku, veçmas në veri, duhet të ketë dakordim paraprak me KFOR-in”- tha Rutte.

Presidentja Vjosa Osmani, gjatë konferencës së përbashkët me Rutten, tha se për shkak se katër vende të NATO-s nuk e njohin Kosovën, procesi i avancimit të raporteve të aleancës ushtarake perëndimore me FSK-në është një çështje e ndërlikuar.

“Megjithatë, kjo nuk nënkupton që FSK-ja nuk e ka mandatin e plotë ashtu siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e miratuara si forcë e cila e mbron sovranitetin dhe integritetin territorial dhe të gjithë qytetarët e vendit tonë”- tha Osmani.

Në lidhje me këto deklarime të Ruttes, ministri Maqedonci, deklaroi se NATO e KFOR-i janë neutral ndaj ndryshimeve ligjore të vitit 2018 që i dhanë FSK-së mandatin e ushtrisë. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk e ka ndaluar FSK-në që të ngris kapacitetet e saj përmes bashkëpunimit dypalësh me vendet anëtare të NATO-s.

“KFOR e njeh FSK-në sipas mandatit, sipas ligjeve para vitit 2018. Ky mandat u pranua nga pothuajse të gjitha vendet e NATO-s në aspektin bilateral” – ka thënë Maqedonci.

Ministri tha se po i ndërtojnë kapacitetet ushtarake të FSK-së, pikërisht duke iu referuar raporteve bilaterale me ShBA-të, Britaninë e Madhe, Turqinë, Gjermaninë, Italinë dhe me vendet e tjera që i njohin ndryshimet ligjore të cilat i kanë dhënë mandat ushtarak FSK-së.

Procesi i transformimit i FSK-së në forcë me kapacitete ushtarake ka hyrë në vitin e shtatë të Planit dhjetëvjeçar.

Procesi i transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës nisi në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për ta ndryshuar mandatin e FSK-së. Ky proces pritet të zgjasë deri në vitin 2028.

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila po ashtu ka nën menaxhim Forcën e Sigurisë së Kosovës, është rritur dukshëm nga viti në vit. Për vitin 2025 ka një rritje prej 55 milionë euro më shumë, krahasuar me vitin e kaluar.

Bisedimet për Ukrainën, sinjalet për Kosovën