Parakalimi i Ushtrisë së Kosovës në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës – 12.06.2024 Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com
55 milionë euro më shumë priten për buxhetin për mbrojtjen
Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila po ashtu ka nën menaxhim Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), është rritur dukshëm nga viti në vit. Kështu pritet të jetë edhe për vitin 2025 me një rritje prej 55 milionë euro më shumë se këtë vit.
Për vitin 2025 janë projektuar 208 milionë buxhet për këtë Ministri. Ndërsa për vitin 2024 ishin ndarë gjithsej 153 milionë euro.
Përveç saj, gjatë vitit 2024 pati takime, vizita e marrëveshje të nënshkruara që në fokus patën mbrojtjen, teksa në anën tjetër fundi i vitit u karakterizua edhe me problemet për ushqimin e ushtarëve.
Për vitin 2025 janë planifikuar 208 milionë buxhet për këtë Ministri. Ndërsa për vitin 2024 ishin ndarë gjithsej 153 milionë euro.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë, më 30.10.2024, tha që për vitin 2025, që në fillim buxheti i Mbrojtjes do të shënojë nivelin prej 2 për qind të Bruto Produktit Vendor me nivelin prej 208 milionë euro.
Kurti tha se buxhetin për mbrojtjen e kanë rritur, përderisa në dy vitet paraprake nivelin prej 2 për qind të Bruto Produktit Vendor e kanë arritur tek pas ndarjeve të reja gjatë vitit me vendime të Qeverisë.
“Për vitin 2025 që në fillim buxheti i mbrojtjes do të shënojë nivelin prej 2 për qind të Bruto Produktit Vendor me nivelin prej 208 milionë euro”- tha Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Shefi i ekzekutivit, u shpreh se një gjë e tillë nënkupton që me ndarjet shtesë gjatë vitit kjo do të tejkalojë edhe “dy përqindshin që është edhe standard i NATO-s nga Samiti i saj para një dekade në Uells”.
Kurti në mbledhjen e Qeverisë prezantoi disa nga planifikimet e tyre për buxhetin e vitit 2025, që gjithsej pritet të jetë 3 miliardë e 608 e milionë euro, apo rreth 300 milionë euro më i lartë se në vitin 2024.
Përndryshe, në vitin 2024 buxheti i tërësishëm i Kosovës ishte 3 miliardë e 314 euro, kurse 3 miliardë e 212 milionë euro në vitin 2023. Ndryshe prej rritjes 100 milionëshe që ndodhi në vitin 2024, rritja për vitin 2025 do të jetë 294.
Buxheti i vitit për vitin e ardhshëm nuk është miratuar ende në Kuvendin e Kosovës, dhe pritet të dërgohet në këtë institucion.
Problemi me ushqimin e ushtarëve të Kosovës është krijuar pasi që kontrata për tenderin e fundit të shpallur për këtë qëllim ende nuk është nënshkruar dhe rrjedhimisht ende nuk ka filluar të zbatohet. Në anën tjetër, tenderit paraprak i ka skaduar kontrata më 30.09.2024. Ushtarakët e Kosovës aktualisht janë duke u ushqyer nga kuzhinierët e Qendrës Studentore dhe nga ata të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Përderisa në Kosovë po diskutohej ky problem, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, vizitoi Turqinë ku zhvilloi takime me drejtuesit e Agjencisë së Industrisë të Mbrojtjes së Turqisë si dhe me prodhues të sistemeve ushtarake.
Me disa prej tyre, siç njoftoi Ministria, janë prokuruar sisteme të armatimit dhe pajisje ushtarake.
Ministri Maqedonci ishte takuar edhe me homologun e tij turk, Jashar Gyler, me të cilin kanë nënshkruar marrëveshje në fushën e mjekësisë ushtarake. Palët janë marrë vesh për rritje të kuotave për trajtimin e ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në institucionet mjekësore ushtarake të Turqisë.
Përveç marrëveshjeve, një fokus i veçantë i është dhënë blerjes së armatimit.
Ministri Maqedonci kishte thënë në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, më 12.02.2024, se gjatë vitit 2023 janë shfrytëzuar 108 milionë euro për blerje të armatimit.
Rritja prej 100% e buxhetit për armatim, sipas tij, kishte bërë të shfrytëzohen 108 milionë nga 115 milionë sa ishin ndarë për blerje të sistemit të avancuar të armatimit.
Ndërsa, më 11.01.2024, Ejup Maqedonci, kishte konfirmuar se Kosova i ka nisur kërkesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të blerë sistemin raketor kundërtank “Javelin”.
“Për sistemin ‘Javelin’ është dërguar kërkesa dhe e njëjta është pranuar nga SHBA”– tha Maqedonci.
Ai më pas, më 12/02/2024, sqaroi se ka përfunduar periudha 30-ditore (arkiva) e njoftimit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth kërkesës së Kosovës për blerjen e sistemit anti-tank “Javelin”, e se tashmë është hapur rruga që të vazhdohet me hapat e tjerë.
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) kishte konfirmuar më 11 janar se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë 246 raketa Javelin, në vlerë prej 75 milionë dollarësh.
Raketat Javelin u prodhuan dhe zhvilluan për ushtrinë amerikane dhe trupat detare të saj.
Në korrik të vitit 2023, Kosova kishte blerë dronë “Bayraktar”.
Kryeministri Albin Kurti kishte prezantuar dronët “Bayraktar TB-2” të cilat i janë shtuar arsenalit të ushtrisë.
“Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt, përveçse gjithnjë krenare” – pati shkruar Kurti në Facebook.
Në vitin 2022, Qeveria e Kosovës kishte themeluar Fondin e Sigurisë, në të cilin qytetarë dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes përmes një xhirollogarie bankare.
Në vitin 2018, nga SHBA-ja, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.
Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).