Foto: Facebook

Shpresat e vjetra: Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor në vitin 2020

Viti 2019 do të mbahet në mend me shumë pak momente pozitive sa i përket perspektivës së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Përkundër pritjeve, BE nuk i dha mundësinë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë që t’i hapë negociatat e pranimit në BE, Bosnje dhe Hercegovinës nuk iu dha statusi i kandidatit ndërkohë që Kosova nuk e mori liberalizimin e shumëpritur të vizave.

Në Serbi dhe Mal të Zi procesi i reformave pati një ngecje gjatë gjithë vitit kurse procesi tjetër i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk u rinis fare qysh nga nëntori i vitit 2018 kur Kosova vendosi taksë kundër mallrave të Serbisë  dhe Bosnje e Hercegovinës.

Megjithatë, pati edhe disa lëvizje të cilat meritojnë të përmenden.

Ursula Von der Leyen mori detyrën e kryetares së re të Komisionit Evropian pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian të vitit 2019 dhe frika e gjithmbarshme për ardhjen e një të djathte ekstreme në krye të institucioneve të BE, megjithatë, nuk u materializua.

Maqedonia e Veriut pritet që së shpejti të bëhet anëtare e NATO-s ndërkohë vendimi diskutabil nga BE për të mos hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka ngjallur polemika të shumta por edhe shumë të nevojshme për të ardhmen e procesit të zgjerimit të BE-së.

Disa nga pikëpamjet e pritura që potencialisht mund të shënojnë vitin 2020 janë paraqitur si më poshtë nga bordi editorial i European Western Balkans, portal rajonal i specializuar në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

  1. Një mjet i ri për zgjerim

Refuzimi francez për të hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në muajin tetor mbase përfaqësonte një prej lajmeve më negative në lidhje me zgjerimin e BE në vitin 2019 dhe, njëkohësisht, ishte një sinjal i mungesës së një konsensusi brenda vetë shteteve anëtare të BE-së në lidhje me procesin e zgjerimit.

Refuzimi francez pjesërisht justifikohej me pretendimin se procesi i zgjerimit ka nevojë për reformim ndërkohë që diç më vonë Franca doli me propozimin e saj se si do të duhej të vazhdohej tutje me këtë proces.

Refuzimi francez u pasua pastaj edhe me një tjetër dokument refuzues për reformimin e procesit të zgjerimit, i paraqitur nga nëntë shtete të tjera anëtare.

Në ndërkohë, Komisioneri i ri Evropian për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, deklaroi se Komisioni Evropian do të paraqesë propozimet e veta në janarin e vitit 2020.

Ajo çfarë pritet tani, është fakti nëse këto reforma – të cilat nuk janë qartësuar sa duhet – për zgjerimin e BE-së do të ndikojnë dhe nëse do të jenë obliguese edhe për Serbinë dhe Malin e Zi, vende këto të cilat tashmë i kanë filluar negociatat për anëtarësim në institucionin e BE-së.

  1. Presidenca Kroate dhe Samiti BE-Ballkani Përendimor në Zagreb

Prej 1 Janarit të vitit 2020, Kroacia ka marrë për herë të parë kryesimin e presidencës së BE-së nën moton “Një Evropë e fortë në një botë me sfida”. Presidenca e shtetit më të fundit anëtar të BE-së do të përqendrohet në katër shtylla: Një Evropë që zhvillohet, Një Evropë që bashkon, Një Evropë që mbron dhe një Evropë që ka ndikim.

Kroacia është shtet fqinj me tri vende të Ballkanit Perëndimor dhe është një nga vendet anëtare të BE-së që në mënyrë të drejtpërdrejtë preket nga zgjerimi i BE-së në rajon. Megjithë paqartësitë në lidhje me mosmarrëveshjet bilaterale me këto vende, Kroacia mbështet zgjerimin e BE-së dhe Kryeministri Andrej Plenković duket se është i interesuar të luajë një rol të rëndësishëm në zhbllokimin e procesit të zgjerimit që erdhi si rezultat i refuzimit francez në tetorin që lëmë pas.

Një mundësi për ta bërë këtë Kroacia do ta ketë gjatë Samitit të Zagrebit 2020 BE – Ballkan Perëndimor, i planifikuar të mbahet në muajin maj të këtij viti ku pritet të mblidhen udhëheqës të vendeve anëtare të BE-së dhe udhëheqës të vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim nxitjen e procesit të mëtejshëm të zgjerimit të Ballkanit Perëndimor.

  1. Hapja e negociatave për pranim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

Përkundër mungesës së hapjes së negociatave të pranimit në muajin tetor dhe fillimit të debatit për reformën e zgjerimit, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, megjithatë, shpresojnë për një vendim tjetër, në favor të tyre, që pritet të merret gjatë gjysmës së parë të vitit 2020.

Menjëherë pas vendimit negativ për të mos hapur negociatat për pranim të këtyre dy vendeve në BE, shumë zyrtarë të BE e dënuan fuqimisht këtë vendim dhe e quajtën atë si një “gabim historik“, ndërkohë që Parlamenti Evropian madje miratoi një rezolutë në mbështetje të hapjes së bisedimeve.

Marrë parasysh faktin se një perspektivë e re e BE-së për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mbetet pezull nga mundësia e arritjes së një konsensusi mbi reformën e procesit të zgjerimit, me gjasë, mund të ketë një mundësi për një skenar të tillë edhe gjatë vitit 2020 me ose pa një rregullim të rëndësishëm brenda institucionit të BE-së. Secili opsion tjetër do të ishte një fatkeqësi e llojit të vet nëse do të na nevojitej të bazohemi në kredibilitetin që ka të bëjë me procesin e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së.

  1. Maqedonia e Veriut bëhet anëtare e NATO-s

Ftesa zyrtare për anëtarësim në NATO iu dërgua Maqedonisë së Veriut menjëherë pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë në lidhje me emrin e saj në atë që quhet Marrëveshje e Prespës, në vitin 2018. Pas ratifikimit të kësaj marrëveshjeje nga ana e të dy parlamenteve, të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë në fillim të vitit 2019, dhe pasi marrëveshja u ratifikua në parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë në fillim të vitit 2019, vendi që tani edhe zyrtarisht njihet me emrin e ri Maqedonia e Veriut  do të bëhet anëtare e kësaj aleance nga fundi i vitit 2020.

Protokolli për pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO u nënshkrua në muajin shkurt të vitit 2019, ku edhe kishte filluar procesi i ratifikimit të protokollit në parlamentet e vendeve anëtare të BE-së me përjashtim të Spanjës e cila ende nuk e ka bërë një gjë të tillë për shkak të krizës politike në këtë vend e jo pse Spanja ka ndonjë kundërshtim për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Me ratifikimin e plotë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, pra 29 sosh, gjatë këtij viti Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtari i 30-të i kësaj organizate.

  1. Zgjedhjet parlamentare në Serbi, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që të trija vende të Ballkanit Perëndimor, pritet të mbajnë zgjedhjet parlamentare në vitin 2020. Këto zgjedhje konsiderohen me mjaft rëndësi pasi ato mund të rezultojnë me zgjidhjen e problemeve të shumta rajonale apo edhe të çojnë tutje në thellimin e krizave politike në secilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë gjithë vitit 2019 Serbia u karakterizua me një krizë të madhe politike për shkak se një pjesë e madhe opozitare i bojkotuan seancat parlamentare si dhe bënë të ditur vendimin e tyre se do ti bojkotojnë edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare që priten të mbahen në fund të Prillit apo në fillim të Majit 2020.

Edhe pse Bashkimi Evropian dërgoi një delegacion të sajin për ti ndërmjetësuar tek autoritetet politike në Serbi për ta tejkaluar këtë krizë dhe, marrë parasysh faktin se një pjesë e opozitës e ka bojkotuar edhe këtë delegacion evropian, mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Serbi është vënë në pikëpyetje tashmë.

Njëkohësisht, edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 që pritet të mbahen në Mal të Zi ka të ngjarë të jenë një çështje e polemikave dhe polarizimeve të shumta politike. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 në këtë vend ishin shënuar me një përpjekje për grushtet pikërisht në ditën e zgjedhjeve. Tentimi për grushtet në Mal të Zi ishte bërë me mbështetjen e Rusisë.

Tensionet e fundit rreth Ligjit të diskutueshëm të miratuar tash së voni për liritë fetare ka të ngjarë të rezultojë me tensione të mëtejshme edhe gjatë vitit 2020. Bojkotimi i zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi nga një pjesë e opozitës mbetet po ashtu një opsion real.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, të cilat do të mbahen në prill të vitit 2020, vijnë si pasojë e vendimit të kryeministrit Zoran Zaev për të dhënë dorëheqjen në muajin janar pasi refuzimit të Këshillit Evropian që të mos fillojë negociatat e pranimit në BE me këtë vend.

Duke pasur parasysh që qeveria e Zaev ndryshoi emrin e Maqedonisë kryesisht për hir të anëtarësimit në BE me gjithë kundërshtimet e ashpra nga blloku opozitar maqedonas, refuzimi  francez dhe dështimi potencial për ti filluar bisedimet e antëraësimit në BE gjatë vitit 2020, mund të shpie tek një ndryshim në qeverinë maqedonase e cila do të rezultonte me pasoja të paparashikueshme.

Kroacia, në ndërkohë, sapo doli nga rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale të cilat u mbajtën me 5 janar të vitit 2020, mirëpo edhe ky vend pritet ti mbajë zgjedhjet parlamentare deri në fund të këtij viti. Marrë pasur parasysh fitoren e kandidatit opozitar për President të vendit, Zoran Milanovic, mund të jemi dëshmitarë të disa zhvillimeve interesante politike në këtë vend në vitin 2020.

  1. Fazë e re në dialogun Prishtinë – Beograd

Dialogu Beograd-Prishtinë, i cili tashmë po shënon një rekord diskutabil të implementimit në vitet e fundit, është ndërprerë krejtësisht pasi Kosova vendosi taksën prej 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në nëntorin e vitit 2018.

Me qeverinë e re që pritet të formohet së shpejti në Kosovë dhe me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borell, ka të ngjarë të shohim një shtytje të madhe për vazhdimin e këtij dialogu gjatë vitin 2020. Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë emëruar të dërguarin e saj presidencial për procesin e normalizimit, ambasadorin Richard Grenell, ndërkohë që edhe BE mund ta bëjë të njëjtën gjë duke e emëruar një të dërguar të sajin special për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi apo për dialogun Beograd-Prishtinë në veçanti.

Vazhdimi i procesit të dialogut mund të rrezikohet ndjeshëm nga kriza politike në Serbi si dhe nga një prolongim i mëtejshëm i formimit të qeverisë në Kosovë, por edhe nga zhvillimet tjera që kanë të bëjnë me procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Sidoqoftë, pasi që procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka hasur në një bllokadë dhe aktorë të shumtë janë të interesuar që ta zhbllokojnë këtë proces, ky dialog pritet të rifillojë gjatë vitit 2020, në një mënyrë ose tjetër.

  1. Presidenca gjermane e BE-së

Në gjysmën e dytë të vitit 2020, Gjermania do të marrë përsipër nga Kroacia presidencën gjashtëmujore mbi Këshillin Evropian. Kjo do të shënojë edhe fillimin e treshes së re të presidencës e cila përfshin gjithashtu Portugalinë dhe Slloveninë.

Si një vend anëtar me ekonominë më të madhe në BE, me siguri si aktori më i rëndësishëm politik në BE e, mbase, edhe mbështetësi më i rëndësishëm i zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor, Gjermania është padyshim vendi që ka rëndësinë më të madhe për rajonin.

Ndërsa Gjermania nuk ka gjasa të riafirmojë në mënyrë të njëanshme zgjerimin e BE-së gjatë presidencës së saj gjashtëmujore të BE – në fund të fundit ishim dëshmitarë se as Gjermania nuk ia doli ta bindë Francën për një vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në tetorin e vitit 2019 – presidenca gjermane ka të ngjarë të përfaqësojë një mundësi të shkëlqyeshme për të shtyrë përpara agjendën së zgjerimit të BE-së edhe në Ballkanin Perëndimor.