Richard Grenell
ShBA intensifikon angazhimin për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi
Ditë më parë, presidenti amerikan Donald Trump e ka emëruar Richard Grenellin si të dërguarin special amerikan për negociatat Kosovë-Serbi.
Aktualisht, Grenell është ambasador i ShBA-së në Gjermani.
Më herët ai ka qenë këshilltar kryesor i komunikimit për zyrtarët në nivelin federal, shtetëror, lokal dhe ndërkombëtar për gati dy dekada.
Duke qenë njohës i mirë i situatës në Gjermani, përzgjedhja e tij si i dërguar special amerikan në dialogun Kosovë – Serbi, është mjaft interesante duke pasur parasysh faktin se qëndrimet e Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara për korrigjim të kufijve të Kosovës janë diametralisht të kundërta – Berlini e kundërshton publikisht një opsion të tillë ndërkohë që Uashingtoni është në favor të një opsioni të tillë.
Puna e Grenellit si ambasador në Gjermani është përcjellë me mjaft polemika. Ai ka provokuar një lloj zemërimi publik në Gjermani për shkak të ndërhyrjeve të tij në politikën gjermane ndërkohë që nënkryetari i Liberalëve (FDP) Wolfgang Kubicki madje ka kërkuar edhe dëbimin e tij nga Gjermania.
Me të ardhur në Berlin, ai u kritikua shumë në lidhje me deklarat e tij se kompanitë gjermane do të duhej ta ndërpresin të bërit biznes me Iranin, pasi që Trump e tërhoqi ShBA-në nga marrëveshja ndërkombëtare bërthamore e vitit 2015.
Në një intervistë për një media të krahut të djathtë, Breitbart News, Grenell kishte deklaruar se ai dëshironte të “forconte” të drejtën europiane, pas së cilës ai u kritikua nga politikanë nga koalicioni qeverisës gjerman dhe opozita, dhe Qeveria gjermane njoftoi se do të kërkojë sqarim zyrtar për një qëndrim të tillë.
Kubicki ka deklaruar se ministri i Jashtëm duhet të shpallë menjëherë Richard Grenellin ‘person non grata’ sepse “ai që si diplomat amerikan vepron si një komisioner i lartë i një force okupuese, ai duhet të mësojë se durimi ynë ka kufi”.
Për më tepër, Grenell tërhoqi vëmendjen me deklaratat e tij se ai do të donte t’i forconte “konservatorët në të gjithë Europën”, deklaratë kjo e cila u gjykua të ishte një paralajmërim i qartë se ai kishte si qëllim të inkurajonte partitë populiste të krahut të djathtë.
Grenell gjithashtu u përfshi në debatin për ndërtimin e tubacionit të gazit North Stream 2, dhe përmes një letre ai i kërcënoi kompanitë pjesëmarrëse me sanksione amerikane, pasi ky projekt, sipas tij, e vendos Ukrainën në disavantazh dhe rrit rrezikun e ndërhyrjes ruse.
Kush është Richard Grenell?
Grenell mban një diplomë bachelor nga Universiteti Evandel dhe ka një diplomë masteri nga Universiteti i Harvardit.
Sipas një njoftimi për media nga Shtëpia e Bardhë, Grenell ishte zëdhënës i ShBA-së në Kombet e Bashkuara me kohëzgjatjen më të gjatë, nga viti 2001 deri në vitin 2008, duke e kryer këtë punë gjatë madatit të katër ambasadorëve amerikanë.
Gjatë qëndrimit në OKB, Grenell ishte në krye të strategjisë së komunikimit për çështje të tilla si lufta kundër terrorizmit, operacionet paqeruajtëse globale dhe programet e armëve bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut.
Para angazhimit të tij në OKB, ai ishte këshilltar politik për një numër republikanësh me nam, përfshirë George Pataki dhe Dave Kemp.
Grenell, i njohur edhe si një komentues i politikave të jashtme dhe ekspert i mediave, në vitin 2009 ka themeluar kompaninë Capitol Media Partners, një kompani ndërkombëtare për konsulenca strategjike për media si dhe konsulencë për marrëdhëniet me publikun me selinë Los Angeles, San Francisco, New York dhe Washington.
Grenell ka lindur në vitin 1966.
Përveç faktit që njihet si një njeri i besueshëm i presidentit Trump, Richard Grenell është po ashtu një prej politikanëve i cili e ka bërë publik edhe orientimin e tij homoseksual dhe një prej atyre i cili në mënyrë aktive anagzhohet për të drejtat e komunitetit LGBT.
Që nga muaji shkurt i këtij viti, Trump ia ka besuar Grenellit rolin udhëheqës për iniciativën e dekriminalizimit global. Se fjalia “njeri i besueshëm i Trumpit” është e vërtete e thotë edhe fakti se përkundër polemikave dhe prezantimit të tij ashpër që e përcjell atë në lidhje me vendet tjera, në radhë të parë si ambasador i ShBA-së në Gjermani, ai, sipas mediave amerikane, ka qenë në garë për këshilltar për Siguri Kombëtare.
Për të mos hequr dorë nga roli që Trump i ka besuar, që nga muaji korrik i këtij viti Grenell ka mbajtur një panel diskutimi me anëtarë tjerë të komunitetit LGBT në Ambasadën amerikane në Gjermani se si do të duhej inkurajuar shtete tjera europiane që të luftojnë kundër diskriminimit të personave me orientim homoseksual.
Grenell ka qenë ndër të parët i cili e ka kritikuar vendimin e shtetit të Bruneit për ta bërë dënimin me vdekje një ndëshkim për marrëdhëniet konsensuale të të njëjtit seks në këtë shtet.
Megjithatë, nga ana tjetër, administrata Trump vazhdon të përballet me kritika publike për fushatën e saj anti-LGBT dhe për politikën e jashtme të shtetit në përgjithësi.
Qindra aktivistë dhe organizata të ndryshme joqeveritare kanë protestuar jashtë Departamentit të Shtetit për të shpërndarë Komisionin “e diskutueshëm” për të drejtat e njeriut dhe për të shprehur dyshime në lidhje me iniciativën e udhëhequr nga Grenell.
Sidoqoftë, përkundër gjithë kësaj, Grenell vazhdon së angazhuari në fushatën e tij për komunitetin LGBT, dhe, përveç flamurit amerikan që rri i varur në ndërtesën e Ambasadës së ShBA-së në Berlin, krahas tij, në të njëjtën kohë, mund të shihet edhe flamuri shumëngjyrësh, respektivisht flamuri me ngjyra ylberi. Kjo, ndoshta, mund të mos jetë aspak e çuditshme po qe se administrata amerikane nuk do t’i kishte urdhëruar të gjitha ambasadat në krejt botën që të mos i ngrisin flamujt e komunitetit LGBT sipër flamurit të ShBA-së.
Megjithatë, i përballur me një situatë të tillë, Grenell e ka gjetur një zgjidhje kreative duke e vendosur flamurin shumëngjyrësh në një shtizë më të vogël e jo në të njëjtën me atë të flamurit amerikan.
Sipas njoftimeve të mediave, vendimi i Trumpit për ta vendosur Grenellin si një individ me orientim homoseksual në krye të administratës së tij është një strategji e tij taktike për të fituar votuesit e rinj, dhe meqenëse Grenell ka qenë republikan që nga karriera e tij politike, kjo i jep përparësi zgjerimit të ndikimit amerikan në Gjermani.
Kjo është pikërisht arsyeja pse mënyra se si vepron Grenell është “refuzuar” plotësisht në Gjermani, apo, siç karakterizohet nga publiku gjerman si “të izoluar politikisht”. Ai vazhdimisht u kritikua nga mediat gjermane për ndërhyrjen në temat e brendshme të Gjermanisë, dhe shumë prej tyre kanë deklaruar se, në fakt, “roli i ambasadorit nuk është që të lidhë dy shtete, por të zgjerojë ndikimin e vendit të tij në vendin nga ku është caktuar si ambasador”.
Grenell dhe Kosova
Më herët, Grenell ka qenë i njohur për publikun edhe në lidhje me Kosovën, por edhe si ambasador aktual amerikan në Gjermani, dhe megjithëse i ri, ka qenë në ujërat politike për një kohë të gjatë dhe konsiderohet një njeri i besuar i Trump.
Zgjedhja e Grenell, pas emërimit të mëparshëm të diplomatit Matthew Palmer si i dërguar special në Ballkan, flet në favor të aspiratave të gjata të ShBA për të rritur ndikimin në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Grenell, megjithatë, nuk është një figurë krejt e re kur bëhet fjalë për Kosovën. Emri i tij u shfaq në kontekst të dialogut në dhjetorin e kaluar kur, siç shkruante Washington Post, ai u takua në Berlin me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin,
Në atë artikull gazeta në fjalë e ka quajtur Grenellin një “njëri të besueshëm” të presidentit Trump, dhe Thaçi i ka premtuar atij atëherë se ai do ta suspendonte vendimin për taksën ndaj mallrave serbe, “Thaçi ishte zotuar për Grenell këtë vit se do të punojë për të suspenduar taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe BeH të vendosur në nëntorin e vitit 2018, mirëpo rivali i brendshëm politik i Thaçit, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ish-drejtuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është pajtuar me një gjë të tillë.”
Megjithatë, Prishtina zyrtare nuk e ka bërë zyrtare takimin, në të cilin Grenell, sipas zyrtarëve amerikanë, ka bërë thirrje për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë përmes negociatave të drejtpërdrejta.
Takimi i Thaçit dhe Grenellit u bë pak ditë pasi presidenti Trump i dërgoi letra Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të ndihmonin “për të arritur një marrëveshje që do të respektonte interesat e Kosovës dhe të Serbisë”.
Reagimet në lidhje me emërimin e Grenell
Vendimi i presidentit Trump për të emëruar një të dërguar special u mirëprit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili përmes një postimi në Twitter, deklaroi se mezi pret të punojë me Richard Grenell për të “siguruar paqen finale në Ballkan, duke e futur Kosovën në NATO dhe në familjen e BE-së”.
Emërimin e Grenell e ka përshëndetur edhe kryeminstri në dorëheqje Ramush Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Analisti amerikan, Daniel Serwer, e ka quajtur “tragjik” këtë emërim në një artikull të botuar në blogun e tij.
“Disa gjëra janë të qarta. Grenell është person i favorizuar i (John) Bolton dhe avokues i të djathtës ekstreme që ka shkuar aq larg duke ofenduar nikoqirët gjermanë. Nëse doni një kauzë të përbashkët me Europën në Ballkan, Grenell është amerikani i fundit që mund ta kishit zgjedhur për ta emëruar”, ka shkruar Serwer.
“Gjermanët e kanë bërë të qartë se nuk do të pranojnë shkëmbim territoresh në Ballkan. Bolton ishte avokues i shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Logjika ishte imponuese për një nacionalist etnik: serbët duan të qeverisen nga serbët dhe shqiptarët nga shqiptarët. Gjithçka tjetër është shumë e vështirë. Të drejtat e barabarta janë kurthe të demokracisë liberale, brenda dhe jashtë”, ka thënë Daniel Serwer.
Ekspertët për Ballkanin, Florian Bieber dhe Tim Judah shprehen të habitur për emërimin e paralajmëruar të Richard Grenell si të dërguar special për bisedimet Kosovë-Serbi.
Florian Bieber nga Universiteti i Grazit ka pyetur se cili do të jetë roli i Matthew Palmer tani, i cili muaj më parë u emërua si Përfaqësues Special i Sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Përendimor.
“Nëse Trump e emëron Richard Grenell si të dërguar special për Serbinë dhe Kosovën, cili është roli i Matthew Palmer atëherë?” – ka shkruar Biber në Twitter.
Ndërsa Tim Judah, po ashtu përmes një postimi në Twitter, ka deklaruar se “ky emërim është i çuditshëm. Së pari, ShBA e ka emëruar Matthew Palmerin si të dërguar për Ballkanin Përendimor i cili është njohës i mirë i këtij regjioni dhe i udhëheqësve të tij dhe tani dikush tjetër pa asnjë rekord apo njohuri për Ballkanin dhe, po aq sa dimë, pa asnjë njohuri edhe për bisedimet Serbi-Kosovë. Kjo tregon një mospërputhje totale.
Bisedimet në bllokadë
Në ndërkohë, zgjedhja e Grenellit si i dërguar special vjen në një moment kur bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit kanë hyrë në një rrugë pa kthim që një kohë të gjatë.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë stopuar nëntorin e kaluar kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 % ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnnjë-Hercegovinës. Pala beogradase e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me heqejn e taksës. Bashkimi Europian i cili deri më tani kishte rolin e lehtësuesit, disa herë u ka bërë thirrje institucioneve kosovare që të suspendojnë taksën në mënyrë që të mundësojë vazhdimin e dialogut.
Negociatat midis Kosovës dhe Serbisë u ndërprenë nëntorin e kaluar pasi qeveria e Kosovës vendosi taksën prej 100 përqind kundër mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Serbia e kushtëzoi vazhdimin e dialogut me heqjen e kësaj takse. Bashkimi Europian, i cili deri më tani ka luajtur rolin e lehtësuesit në dialog, në disa raste u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që ta pezullojnë këtë vendim, duke bërë të mundur në këtë mënyrë që bisedimet të vazhdojnë. Një kërkesë e tillë u përsërit nga të gjithë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare megjithatë kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, asnjëherë nuk u zmbraps nga një vendim i tillë.
Të dielën, më 6 tetor, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe, ndërkohë që pritet të konfirmohen rezultatet zyrtare, Brukseli dhe Uashingtoni presin që një prej vendimeve kryesore të Qeverisë së re të Kosovës do të jetë pikërisht heqja e taksës e cila do të mundësonte vazhdimin e dialogut.
Bazuar në zhvillimet e fundit, Bashkimi Europian do ta emërojë një përfaqësues të saj i cili, krahas Grenellit, do të merret ekskluzivisht me bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që flet në favor të faktit se lufta për pushtet në këtë rajon do të bëhet më intensive.
Bazuar në mediat e huaja, Richard Grenell është i afërt me ish-këshilltarin e Trumpit për Siguri Kombëtare, John Bolton, i cili vitin e kaluar kishte deklaruar se ShBA nuk do të kundërshtonte një shkëmbim territoresh po qe se Beogradi dhe Prishtina do të dakordoheshin për këtë paraprakisht.
Disa analistë supozojnë se edhe Grenell është përkrahës i një ideje të tillë, të cilën Gjermania dhe kancelarja Merkel e kundërshtojnë fuqishëm.
Analisti amerikan, Daniel Serwer, beson se Grenell nuk do të pranojë argumentet e Gjermanisë, por do të përpiqet të imponojë idenë e shkëmbimit të territoreve.
Richard Grenell do ta vizitojë Kosovën të enjten.