Makron po e rrezikon ndikimin e BE-së në Ballkan 

Kundërshtimi i pandërprerë i Francës ndaj zgjerimit ka vënë në rrezik ndikimin e mbetur të BE-së në vetë pragun e saj si dhe aftësinë e saj për të formësuar zhvillimin strategjik dhe stabilitetin në Evropën Juglindore. 

 

Vendimi i njëanshëm i Presidentit të Francës Emmanuel Macron për të bllokuar nisjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe – me mbështetjen vetëm të Danimarkës dhe Holandës – edhe bllokimin e Shqipërisë, ka befasuar shumë prej atyre që punojnë në institucionet e BE-së. Ky vendim ishte një tronditje e thellë për rajonin e Ballkanit, i cili shpresonte të riafirmonte perspektivën e saj në BE.

Franca fillimisht bllokoi nisjen e negociatave për anëtarësim me të dy këto vende kandidate në qershorin e vitit 2018. Atëherë ishte arritur një kompromis për një shtyrje njëvjeçare, bazuar në kushte të mëtejshme. Shumë vëzhgues besuan se hezitimi i Francës për të hapur negociatat e anëtarësimit ishte nxitur duke marrë parasysh zgjedhjet, të paraprira me zgjedhjet evropiane në muajin maj.

Këtë herë, megjithatë, Makron bllokoi perspektivën e negociatave për anëtarësim, pa i parë edhe rezultatet e vendeve kandidate për kushtet e përcaktuara vitin e kaluar.

Vëzhguesit tani duhet të kundërshtojnë faktin se hezitimi francez është i rrënjosur thellë në idenë se Evropa tashmë është mjaft jofunksionale në konfigurimin e saj aktual. Franca beson se BE nuk mund të mirëpresë anëtarë të rinj dhe njëkohësisht të thellojë integrimin për të cilën beson se nevojitet një shpresë për zgjerim në të ardhmen.

Makron ka paraqitur argumentin thelbësor se i gjithë procesi i zgjerimit të BE-së duhet të reformohet përpara se Franca të japë miratimin e saj për secilin vend që të fillojë negociatat e anëtarësimit – proces ky i cili pastaj do të zgjasë për – të paktën – një dekadë.

Ai jo vetëm që nuk ofroi ndonjë qasje alternative të BE-së për Ballkanin Perëndimor, por gjithashtu nuk arriti të përshkruajë se cilat masa specifike të brendshme duhet të merren për të përgatitur BE-në për përfshirjen e anëtarëve të ardhshëm.

Pozicioni i Makron e qet jashtë binarëve strategjinë afatgjate të BE për Ballkanin, i cili vjen me një çmim shumë të lartë për rajonin. Franca është duke rrezikuar ndikimin e mbetur të BE-së në portën e saj dhe aftësinë e saj për të formësuar zhvillimin strategjik dhe për të promovuar stabilitetin politik në Evropën juglindore.

Tash e një kohë Franca është e mendimit se zgjerimi është thelbësisht në kontradiktë me integrimin më të madh evropian. Mospajtimet në rritje me Evropën Lindore për migracionin dhe çështjet që lidhen me sundimin e ligjit dhe mbrojtjen – si dhe menaxhimin e dobët në lidhje me krizat rreth euros dhe refuzimin e hapur të të gjitha propozimeve për thellimin e bashkimit monetar – e kanë rrënjosur pikëpamjen franceze se cikli i zgjerimit 2004 ishte një gabim i jashtëzakonshëm. Në retrospektivë, ai e margjinalizoi Francën dhe bllokoi integrimin e mëtejshëm.

Por gatishmëria e Francës për të sakrifikuar Maqedoninë Veriore, e cila tani udhëhiqet nga një qeveri pro-BE, e orientuar drejt reformës nën qeverisjen e Zoran Zaev, do të merret në konsideratë nga të gjithë liderët e tjerë në këtë rajon pas konfliktit.

Disa do ta shohin atë si një justifikim për një strategji alternative që ka të bëjë me bashkëpunimin gjeopolitik me fuqitë jashtë BE dhe që ka të bëjë me mosmarrëveshje të pazgjidhura bilaterale jashtë kornizës së integrimit në BE.

Pse, për shembull, kryeministri shqiptar Edi Rama duhet të heqë dorë nga strategjia e tij etno-integruese me Kosovën – me gjithë faktin se kjo më vonë mund të ketë efekt në atë se vendet e tjera fqinje, pjesë të të cilave janë etnikisht shqiptare, të shkëputen? Pse Presidenti serb Aleksandar Vuçiq duhet të rrezikojë të përballet me telashe të brendshme duke arritur një marrëveshje kompromisi që njeh pavarësinë e ish krahinës së Serbisë, Kosovën?

Mesazhi i Francës për krerët e Ballkanit është i qartë: Nuk ka rëndësi nëse vendet tuaja bashkëpunojnë së bashku me BE-në, pavarësisht rrezikut të destabilizimit serioz në rajon.

Vendimi i BE që t’i mbajë dyert e saj të mbyllura për dy vendet e Ballkanit është një sinjal për regjionin ballkanik se nuk mund të mbështetet vetëm te fqinjët e saj perëndimorë. Presidenti serb Vuçiç deklaroi se refuzimi i BE-së për të nisur negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë e shfajësonte politikën e tij për krijimin e lidhjeve më të ngushta me Kinën dhe Rusinë. Në fund të tetorit, Beogradi nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, një bashkim doganor i udhëhequr nga Moska.

Presidentja e caktuar e Komisionit Evropian, Ursula Von den Leyen, i ofroi një kandidati nga Hungaria pozitën e komisionerit për zgjerim dhe fqinjësi, një favorit sa i përket regresit demokratik dhe autoritarizmit brenda BE.

Të marra së bashku, vendimi i saj dhe vendimi i Presidentit Macron për të bllokuar negociatat do të inkurajojnë më shumë sjellje transaksionale, aventurizëm politik dhe pasiguri – si dhe më pak parashikueshmëri – në fqinjësinë e BE-së.

Mbajtja pezull e procesit të zgjerimit do të parandalojë udhëheqësit e caktuar të institucioneve të BE-së, përfshirë Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, të fitojnë përparësi në kryeqytetet e Ballkanit që, përndryshe, mund të ketë qenë e mundur në fillimin e mandateve të tyre.

Për të kufizuar dëmin, BE duhet të bëjë si në vijim: ato vende që mbështesin zgjerimin e Ballkanit duhet të angazhohen politikisht me vendet e anëtarësuara dhe vendet kandidate. Një rol të veçantë këtu mund të marrin Austria, Gjermania, Greqia, Italia dhe Suedia, si dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

E dyta, takimi i Këshillit Evropian në muajin dhjetor duhet të përfshijë një diskutim më të thellë mbi të ardhmen e zgjerimit dhe të detyrojë Presidentin e Komisionit të përgatisë një qasje të re.

E treta, Komisioni Evropian duhet t’i kundërvihet Francës duke e planifikuar një shteg drejt një integrimi më të thellë politik. Konferenca për të ardhmen e Evropës e propozuar nga Makron mund të jetë një prelud i konventave të reja dhe reformave ambicioze të traktatit. Në të vërtetë, vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga BE dhe krizat në eurozonë e kanë konfirmuar nevojën që BE të rishikojë bazamentin e saj institucional dhe të marrë në konsideratë një formë më fleksibile dhe më të diferencuar të integrimit.

Përderisa kjo do të kërkonte reforma institucionale dhe reforma të traktateve, padyshim që do të adresonte nevojën për integrim më të fortë fiskal dhe politik të eurozonës, si dhe do të lehtësonte pranimin e një niveli të dytë të integrimit ekonomik dhe rregullator të ndërtuar rreth një tregu unik dhe të nivelit të tretë rreth një bashkimi doganor.

Këto hapa duhet të harmonizohen nga një grup marrëveshjesh vullnetare për mbrojtjen, migracionin dhe çështje të tjera me rëndësi. Ndërtimi i këtij kuadri të ri institucional shumë-shtresor nuk është i domosdoshëm vetëm për të mbrojtur arritjet e integrimit evropian deri më tani. Është, po ashtu, mënyra e vetme për të harmonizuar nevojën për integrimin e mëtejshëm të BE-së duke marrë parasysh nevojën për zgjerim – dhe për të mbajtur gjallë një perspektivë evropiane për Ballkanin. Pa këtë, do të jetë e vështirë të ruhet paqja dhe stabiliteti apo të kundërshtohet rritja e ndikimit nga jashtë.

 

Daniela Schwarzer është Drejtore e Këshillit Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë (DGAP).

Milan Nič është drejtues i Qendrës Robert Bosch për Evropën Qendrore dhe Lindore, Rusinë dhe Azinë Qendrore në DGAP.

Shahin Vallée është bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Alfred von Oppenheim për Studime të Politikave Evropiane në DGAP.

Mendimet e shprehura janë ato të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të BIRN.