Politika nis vitin 2020 aty ku e la në 2019, sot disa takime rreth koalicionit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të takohen sot në Zyrën e Presidencës, pas ftesës së tretë për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë nga ana e kreut të vendit.

“E mirëpres paktin që pas ftesës së tretë, zotëri Kurti i është përgjigjur ftesës për datën 6 janar në orën 15.00. Do ta pres në zyrën time, nuk mund të sillemi as me hatër. Mirë se vjen e mirëpres”, kishte thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se pret që në javët e para të janarit të arrihet një marrëveshje në mes partisë fituese dhe partnerit qeverisës, duke vënë kështu në vend vullnetin e qytetarëve.

Ndërsa, Kurti ditë më parë ka thënë se do të takohet me presidentin Thaçi, por ai nuk e përcakton datën e formimit të qeverisë.

“Mua vetëm LDK më përcakton datën e formimit të qeverisë”, ka thënë ai. Përndryshe, para këtij takimi LDK do të mbajë dy mbledhje të rëndësishme, atë të kryesisë dhe të grupit parlamentar, e cila thuhet se do të jetë edhe lëvizja e fundit e LDK-së për të qartësuar qëndrimin e saj, karshi koalicionit me VV-në. Mediat kanë raportuar se VV tanimë i ka bërë një ofertë LDK-së, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar të Kuvendit, duke ofruar LDK-së t’i merr gjashtë ministri, kundrejt katër sa do t’i kishte Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa, në ofertë parashihet që presidenti t’i takojë LDK-së, dhe në momentin e zgjedhjes së kësaj pozite, atëherë partia e Isa Mustafës t’ia kthejë një ministri VV-së, duke u barazuar 5-5 sa i përket ministrive.

Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), ka njoftuar se sot në ora 13:00 në selinë e saj do të mbajë mbledhjen e grupit parlamentar, ndërsa gjysmë ore para takimit të paralajmëruar ndërmjet presidentit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, përkatësisht në ora 14:30 do të mbajë mbledhjen e kryesisë.

Gjatë fillimit të këtij muaji pritet të vazhdojnë takimet në mes LDK-së dhe VV-së për mundësinë e arritjes së marrëveshjes së koalicionit.

Zyrtarët e LDK-së, mundësinë e arritjes së një marrëveshje e kanë lënë në duar të VV-së, pasi kanë thënë se kjo e fundit pasi ka zgjedhur Glauk Konufcën, kryetar të Kuvendit të Kosovës, duhet ta japë një arsye të fortë për vazhdimin e bisedimeve për koalicionin qeverisës.

Glauk Konjufca është zgjedhur Kryetar i Kuvendit të Kosovës në seancën konstituive të 26 dhjetorit të vitit 2019. /21Media