Mosnjohësi i paragjykuar: Josep Borrell, BE dhe Kosova

Pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian të BE-së të cilat u mbajtën në majin e kaluar e ku shumicën dërrmuese të ulëseve në Parlamentin evropian e fituan partitë proeuropiane, ditë më parë Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk njoftoi se ky institucion ka propozuar emrat e bartësve të pozitave kyçe të institucioneve të BE-së.

Në mesin e të nominuarve, Presidenti i Këshillit, Tusk, ka përmendur edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Spanjës, Josep Borrell, si Përfaqësues të Lartë për Politikë të Jashtme dhe  Siguri, për ta trashëguar pozitën që deri tani e mbante diplomatja italiane Federica Mogherini.

Zyrtarizimi i Borrell dhe pjesës tjetër të kabinetit ‘qeveritar’ të BE-së do të bëhet me votë në Parlamentin Europian. Data e këtij votimi nuk është caktuar ende.

Për Kosovën, nominimi i një spanjolli në krye të diplomacisë së BE-së ka zgjuar kontradikta të shumta jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë, për faktin se Borell njihet si një kundërshtar i pavarësisë së Kosovës.

Si përfaqësues i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Borrell me siguri se do të përballet me pyetjet rreth refuzimit të Spanjës për të njohur Kosovën, duke reflektuar një qëndrim që Madridi ka marrë kundër lëvizjeve separatiste për shkak të problemeve të brendshme me rajonin e Katalonjës që synon shkëputje nga Spanja. Borrell ka qenë një kritik i hapur i lëvizjes separatiste katalane, por si përfaqësuese e lartë për çështjet e jashtme, ai do të ishte përgjegjës për politikën ndaj Ballkanit, duke përfshirë një dialog të lehtësuar nga BE-ja midis Serbisë dhe Kosovës, që synonte normalizimin e marrëdhënieve.

Ministri i Jashtëm i Spanjës, shtet ky i cili nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, mund të jetë një ndërmjetës i ardhshëm në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Ky emërim mund të ngrejë çështje në Ballkan, thonë disa analistë, duke deklaruar se Josep Borrell mund të përballet me tensione politike në rolin e tij të ri në raport me Kosovën dhe Serbinë.

Në Kosovë, emërimi i spanjollit, Josep Borell, për Përfaqësues të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ka ngjallur reagime të ndryshme.

Deputetë dhe njohës të politikave të BE-së janë të ndarë në mendime sa i përket emërimit të një spanjolli si kryediplomat i institucionit të BE-së.

Ilir Deda, deputet i Kuvendit të Kosovës thotë se nominimi i Z. Josep Borel për Shef të Diplomacisë së BE-së është një befasi për të gjithë kosovarët.

“Nominimi i Ministrit të Jashtëm të Spanjës z. Josep Borrel për shef të diplomacisë së BE-së është befasi, dhe atë jo e mirë, për të gjithë ne në Kosovë. Por, duhet ta kemi te qartë që liderët e shteteve të BE-së duket që as që kanë menduar për dialogun Kosovë – Serbi kur e nominuan z. Borrel”, tha Deda për gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas tij, shqetësim në Kosovë do të duhej të përbënte qëndrimi i Francës kundër çfarëdo zgjerimi të BE-së e jo të jetë fokusi kryesor të pasardhësi i Mogherinit.

Por Deda sugjeron që në një pozitë në të cilën Borrell do të duhej të mbajë qëndrim ‘europian’, qëndrimi i shtetit prej nga vjen mund të mos duket i rëndësisë parësore.

“Mos të harrojmë që Borrel duhet ta përfaqësojë politikën e përbashkët të shteteve të BE-së në dialogun e Kosovës me Serbinë e që është “marrëveshje obligative ligjore për normalizim, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare” që do të thotë njohje e ndërsjellë Kosovë-Serbi dhe marrëveshje që aprovohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Mos të harrojmë që me baroneshën Ashton, që vinte nga Britania e Madhe, Kosova e nënshkroi Bashkësinë e Komunave Serbe, ndërsa me Mogherinin, nga Italia, për pak u evitua ndarja e Kosovës”, thotë Deda.

Gjithnjë sipas Dedës, marrëveshjet e Kosovës me Serbinë nuk varen edhe aq shumë se cili diplomat europian përfaqëson institucionin e BE-së por më shumë varet nga vetë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

“Kualiteti i marrëveshjeve me Serbinë nuk varet aq shumë nga përfaqësuesi/ja e politikës së jashtme të BE-së por nga udhëheqësia e Kosovës. E Kosova duhet të insistojë që dialogu me Serbinë të ketë parime të qarta të përbashkëta të BE-së dhe SHBA-ve, si dhe që vet Kosova të ketë kredibilitet në dialog, e që tash nuk ka. Dhe, patjetër që duhet involvim më i madh amerikan, pasi që BE po e humbë kredibilitetin jo vetëm në Kosovë, por në gjithë Ballkanin Perëndimor,” deklaron deputeti i kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, për gazetën Jeta në Kosovë.

Taulant Kryeziu, nga Instituti EPIK, thotë se nuk duhet nxituar me paragjykime sa i përket përzgjedhjes eventuale të Borrel si Përfaqësues i Lartë i BE-së.

“Konsideroj se nuk duhet nxituar me gjykime rreth qëndrimeve të tij në kohën sa shërbyer si Ministër i Jashtëm i Spanjës. Aso kohe, qëndrimi e lidershipit të Spanjës ndaj Kosovës ishte i qartë dhe puna e z. Borell ka qenë që t’i zbatojë këto qëndrime”, thotë Kryeziu.

Kryeziu po ashtu thotë  pozicioni politik i diplomatit Borell nuk do të jetë përfaqësimi i interesave te Spanjës por të BE-së si tërësi, union 28 shtetesh që mban qëndrim neutral ndaj pavarësisë së Kosovës për shkak se bashkë me Spanjën, janë edhe 4 shtete tjera (Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro) që ende nuk e kanë njohur atë.

“Ne rolin e tij të ri, si Përfaqësues i Jashtëm i BE-së, Borell nuk do të përfaqësojë interesat e Spanjës, por të 28 vendeve anëtare të BE-së. Si i tillë, Borell do të zbatojë politikat e përcaktuara nga liderët e 28 vendeve anëtare në mirëbesim”, shtoi Kryeziu.

Më tej, Kryeziu thotë se politikat e BE-së ndaj Kosovës janë të qarta dhe se Kosova ka perspektivë të zgjerimit, në harmoni me vendet e rajonit. Andaj, detyra e Borell do të jetë të gjejë mënyra të avancimit të kësaj perspektive.

“Në këtë drejtim, konsideroj se duhet të rezervojmë gjykimin ndaj Borell dhe t’i japim mundësinë e merituar”.

“Njëkohësisht, fakti qe z. Borell vjen nga një vend mosnjohës mund të shërbejë edhe si avantazh, pasi ai mund ushtrojë një ndikim më të theksuar drejt vendeve mosnjohëse të BE-së, duke u konsideruar si akter neutral dhe i besueshëm nga to”, nënvizon Taulant Kryeziu.

Ndërkohë, për Afrim Hotin, Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, emërimi i spanjollit Josep Borell si Zyrtar i Lartë i BE-së, nuk paraqet lajm të mirë për Kosovën.

“Nëse nisemi nga fakti që në diplomaci operohet me aftësi të veçanta dhe specifike, nominimi e mbase edhe zgjedhja e kandidatit për Shef të Politikës së Jashtme të BE-së e një personaliteti me qëndrim negativ dhe nga një vend mosnjohës i pavarësisë së vendit, pa dyshim që nuk paraqet lajm të mirë për Kosovën”, tha Hoti për gazetën Jeta në Kosovë.

Hoti vlerëson se “nëse objektivi i vendit tonë është anëtarësimi në BE, atëherë adresa e parë e komunikimit tonë të “përditshëm”, do të jetë Borell.

“Dhe disponimi i tij anti-Kosovë pa asnjë dilemë, nëse nuk do e bllokonte tërësisht, atëherë do e përballte vendin me problematika të ndryshme duke u nisur nga ato protokolare e deri te qëndrimet e tij dhe BE-së kundrejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi”, thotë Afrim Hoti.

Sipas Profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare, qëndrimi i BE-së, për shkak të pozicionit heterogjen të shteteve anëtare është dhe do të vazhdojë të jetë neutral dhe i padefinuar, prandaj “qasja dhe pozicioni personal i Shefit të Politikës së Jashtme është me shumë rëndësi”.

Krerët e institucioneve shtetërore në Kosovë, po ashtu patën reagimet e tyre në lidhje me nominimin e spanjollit Borell në krye të diplomacisë së BE-së.

Në gusht të vitit të kaluar, vetëm dy muaj pasi ishte zgjedhur në pozitën e ministrit të jashtëm, Borrell kishte kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, një opsion për të cilin presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, avokonin në vendet e tyre respektive dhe e shtynin përpara në dialogun e ndërmjetësuar nga ajo që tani mund të jetë paraardhëse e diplomatit spanjoll.

“Europa nuk është ndërtuar për të krijuar njësi monolite dhe homogjene në bazë të kulturës dhe etnisë, por për t’i ndihmuar popujt e ndryshëm të jetojnë së bashku”, kishte thënë Borrell.

Në një prononcim në llogarinë e  tij Facebook, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka përshëndetur udhëheqjen e re të BE-së duke deklaruar se Kosova mirëpret udhëheqjen e re të Bashkimit Evropian dhe se nuk beson se udhëheqja e institucioneve të BE-së do të varet nga origjina kombëtare.

Sipas tij  politika e jashtme e Bashkimit Evropian varet nga shtetet anëtare nga të cilat shumica e kanë njohur Kosovën.

Pacolli ka thënë se Kosova dëshiron të krijojë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, përfshirë Spanjën, e cila, “për shkaqe që nuk kanë të bëjnë me Kosovën, ka një pozicion të ashpër kundër Kosovës”.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se sa i përket zgjedhjes së diplomatit spanjoll, është shumë herët për të folur për fundin e dialogut, nëse dialogu  do të rinisë aty ku është ndalur, apo do t’i kthehet Komisionit Evropian.

Edhe në Serbi kishte reagime në lidhje me emërimin e spanjollit Josep Borell si Kryeshef i Diplomacisë së BE-së.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se se emërimi i Josep Borell si përfaqësues i lartë i BE-së është një lajm i mirë për Serbinë.

Por ai tha se situata mbetet e vështirë dhe “nuk zgjidhet duke pasur një ose dy vetë në anën tonë”.

Ai ka thënë se Beogradi kishte miqësi të shkëlqyeshme me presidentin e Komisionit Europian në largim Jean-Claude Juncker dhe presidentin në largim të Këshillit Europian Donald Tusk si dhe me ish përfaqësuesen Europiane për Politikën e Jashtme dhe Siguri dhe ndërmjetësen në dialogun Kosovë-Serbi, Federica Mogerini. Sipas tij Federica Mogherini “nuk ishte kundër nesh”.

Në mars të vitit 2019, në një vizitë që kishte në Beograd, Borell konfirmoi se Spanja “mbështet fuqishëm integritetin dhe sovranitetin e Serbisë dhe se nuk do të ndryshojë politikën e saj ndaj Serbisë kur është fjala për Kosovën”.

Sipas tij qëndrimi i Spanjës për mosnjohjen e pavarësisë së shpallur të njëanshme të Kosovës është e qartë dhe se Madridi beson se vetëm përmes dialogut mund të gjendet një zgjidhje e përhershme për këtë çështje.

Kush është Josep Borell?

I lindur më 24 prill 1947, në një fshat të vogël në Pyrenees Katalonje, Spanjë, Josep Borrell ishte një student shembullor dhe kishte fituar disa bursa që i kishin mundësuar atij të merrte një diplomë në inxhinieri aeronautike në Madrid, pastaj një diplomë masteri në Universitetin e Stanfordit në Shtetet e Bashkuara dhe një diplomë tjetër masteri në Paris.

Ai gjithashtu ka një diplomë doktoraturë në ekonomi.

Aktualisht Borrell është Ministër i Punëve të Jashtme nën qeverinë e Pedro Sanchezit në Spanjë.

Ai shërbeu si zëvendësministër i financave dhe më pas si ministër i shërbimeve publike nën ish-kryeministrin socialist Felipe Gonzalez, i cili ishte në pushtet midis 1982 dhe 1996.

Borrell u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste në vitin 1998, por hoqi dorë nga pozita  e zëvendësministrit të financave vitin pasues për shkak të një skandali financiar që përfshinte dy ish bashkëpunëtorët e tij në lidhje me shitblerje pronash.

Ai u bë kryetar i Parlamentit Europian në korrik 2004 dhe mbajti këtë post deri në janar 2007.

Me gjithë faktin që është katalunas, Josep Borell është një prej kundërshtarëve më të mëdhenj për pavarësinë e Katalonjës.