Emmanuel Macron - Foto: REL/Reuters

Propozimi i ri francez për Ballkanin: Partneritet special në vend të anëtarësimit

Franca i ka filluar disa konsultime jozyrtare diplomatike që disa vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u ofrojë partneritet të veçantë dhe të privilegjuar në vend të anëtarësimit të plotë, shkruan e përditshmja boshnjake Nezavisne Novine.

Sipas këtij propozimi, vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’u ofrohej ndihmë financiare, aranzhime të veçanta për qasje në tregjet evropiane si dhe disa përparësi tjera në këmbim të “një pranimi në heshtje” të anëtarësimit të plotë në BE.

Këtë e ka konfirmuar javën e kaluar edhe vetë Franca e cila doli kundër hapjes së bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE dhe, praktikisht, e vendosi një lloj bllokade deri në një kohë të pacaktuar sa i përket krejt procesit të zgjerimit të BE-së.

Ky vendim nga Franca, jo vetëm që ka shkaktuar një frustrim tek këto dy vende të lartcekuara, por edhe në vetë BE-në, anëtaret e së cilës ishin kritikuese ndaj këtij vendimi i cili bazohej në arsyetimin se fillimisht duheshin bërë reforma brenda BE-së e tek pastaj të vazhdohej me procesin e zgjerimit, shkruan tutje gazeta Nezavisne Novine.

Në ndërkohë, duhet shtuar se kjo “recetë” nuk është ndonjë risi, sepse pothuajse para një dekade një ofertë e njëjtë i ishte bërë edhe Turqisë nga ana e Gjermanisë, e cila në fakt ishte kuptuar si një mënyrë elegante për të hequr dorë nga pranimi i Turqisë në BE, shton tutje kjo gazetë.

Sipas kësaj gazete, Franca gjendet përballë një presioni nga partnerët evropianë që në samitin e ardhshëm në muajin Mars 2020, të heqë dorë nga qëndrimet e saja kryeneçe dhe ta japë miratimin e saj për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe se të gjitha problemet tjera pastaj të zgjidhen gjatë hapjes së negociatave për anëtarësim.

Kjo gazetë po ashtu shton se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Maqedoninë Veriore janë caktuar në muajin Prill në mënyrë që të shihet nëse BE do ta japë miratimin e saj për vazhdimin e procesit të para-anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Përndryshe, mediat e shumta evropiane janë përplot me kritika ndaj Francës, duke e akuzuar se heqja dorë nga procesi i zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor mund t’i shtyjë këto vende në duart e Rusisë, Turqisë dhe Kinës.

Euobserver, gazetë e respektuar evropiane, shkruan se presidenti francez, Emanuel Macron, e ka shkelur premtimin e tij në kërkim të dominimit brenda BE-së”.

“Përmes një akti të një vandalizmi të pashembullt politik, Macron e shkatërroi politikën e cila deri vonë ishte funksioni bazë i BE-së, dhe që, ishte njëkohësisht e vetmja strategji ndaj fqinjëve të saj ballkanikë ”, thuhej në tekstin e kësaj gazete.

“Balkan Insight” shkruan se fjalia e Macronit “ndoshta vitin tjetër” mund të interpretohet si një “jo e fortë”, duke shtuar se Macron është një kundërshtar i hapur i procesit të mëtejmë të zgjerimit.

Reuters thotë se Franca “i është ekspozuar një breshërie zjarresh nga të gjitha anët” duke treguar se shumica  e shohin “jo-në” e saj si një gabim të sajin historik.

Deutche Welle raporton se BE “ e ka lënë Ballkanin në një pozicion pezull”, duke paralajmëruar se Ballkani po i lihet Rusisë, Kinës dhe Turqisë.

Në fjalimin e tij të fundit para parlamentit evropian, Jean Claude Juncker, presidenti në largim i Komisionit Evropian, ka deklaruar se është i zhgënjyer me vendimin për mosnisjen e negociatave me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë.

“Maqedonia Veriore dhe Shqipëria e kanë merituar që ti fillojnë negociatat për  anëtarësim sepse kanë bërë përpjekje të mëdha. Ky është një gabim serioz, jo vetëm për këto dy vende.  Në thelb, ky është një gabim i madh sepse BE-ja ka dërguar një mesazh që nuk po i mban premtimet e veta. Kjo është një porosi për të gjithë në një botë ku BE do të respektohet më pak” ka deklaruar ai, citon gazeta Nezavisne Novine.

Në anën tjetër, kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, ka deklaruar se nuk është aspak e pranueshme ideja që vendit të tij t’i ofrohet një partneritet strategjik në vend të anëtarësimit në BE.

“Nuk do të pranojmë ndonjë debat tjetër, si për shembull një debat për partneritet strategjik, e jo anëtarësimi. Për vendin tonë nuk ekziston ndonjë alternativë tjetër përveç pranimit të plotë të BE-së” ka deklaruar Zaev në një intervistë dhënë televizionit Alsat M dhe e ka dhënë arsyen se pse kjo ide e presidentit francez Emanuel Macron është e papranueshme.

Presidenti në largim i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, e ka paralajmëruar Evropën se është duke u dobësuar në aspektin demografik, ekonomik dhe politik dhe se se i duhet si e vetme që të luftojë kundër nacionalizmit.

Ka vlerësuar se suksesi më i madh evropian si dhe arritja më e madhe që në Evropë të sundojë paqja.

“Cila është e ardhmja e Evropës? Ne jemi kontinenti më i vogël. Shumica e evropianëve nuk janë në dijeni për këtë. Ne jemi shumë të vegjël.” ka deklaruar Junker.

Juncker po ashtu ka deklaruar se politika duhet të jetë e ndërlidhur me demografinë dhe gjeografinë, thotë kjo gazetë.

“Ne po vdesim. Nuk do të zhdukemi por do të jemi shumë më pak. Në fillim të shekullit të 20 evropianët e përbënin 20% të popullsisë botërore. Në fund të këtij shekulli prej 10 miliardë njerëzish në planet, evropianët do të përbëjnë vetëm 4% të popullsisë” ka paralajmëruar ai.

Sipas tij, Evropa do të humbasë fuqinë e saj ekonomike dhe për disa vjet asnjë vend evropian nuk do të jetë shtet anëtar i Grupit të Shtatë Vendeve më të Zhvilluara, thuhet më tej në websajtin e Komisionit Evropian, e përmbyll artikullin e saj Nezavisne Novine.

Përgatiti: Nuhi Shala