Shkrimi i emrave gabim, cila është forma e saktë për të shënuar emrat në gjuhën shqipe

Emrat përcaktojnë një lloj identiteti dhe kanë efekte të fuqishme psikologjike për njerëzit. Andaj dhe njerëzit kujdesen që fëmijëve të tyre t`u gjejnë emra sa më të përshtatshëm. Por, këta emra shpeshherë shkruhen gabimisht, duke mos respektuar normat e drejtshkrimit të shqipes.

Ndodh që emri i një personi, edhe në dokumente të ndryshme zyrtare, të shkruhet në dy variante, p.sh; Vjosë apo Vjosa, ose për shkak të përngjasimeve tingullore, si Ilirianë apo Ilirjanë, duke krijuar ngatërresa administrative për persona të ndryshëm.

Studiuesit përmendi disa arsye rreth tejkalimit të normave drejtshkrimore gjatë shkrimit të emrave. Ata thonë se emrat duhet të shkruhen sipas parimit të drejtshkrimit të shqipes, në trajtën e pashquar, si, p.sh, Vjosë, e jo Vjosa. Megjithatë, shumë studiues pajtohen me një mendim të njëjtë për këtë çështje. Për disa, njerëzit i vënë emrat sipas shijeve dhe preferencave, andaj nuk mund të këtë rregull drejtshkrimi për diçka të tillë.

Drejtshkrimi i emrave

Gjuhëtari Naim Berisha, bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin Albanologjik, ka thënë për KALLXO.com se në shumë raste emrat në gjuhën shqipe shkruhen gabim. Sipas tij, gabim shkruhen edhe shumë emra si pasojë e përngjasimit të tingulloreve, i dhe j.

“Emrat e gjinisë femërore në shumicën e rasteve shkruhen në trajtën e shquar, si p.sh: Albana, Vjosa, Vesa, etj. Sipas parimeve të drejtshkrimit të gjuhës shqipe këta emra duhet të shkruhen në trajtën përfaqësuese, pra në të pashquarën: Albanë, Vjosë, Vesë, etj.”- ka thënë ai.

Secili prej këtyre, thotë ai emrave gjatë përdorimit, në kontekste të caktuara përdoret sipas trajtës që kërkohet, në të shquarën dhe në të pashquarën.

Por, Berisha thotë se shkrimi i tyre si emra njerëzish në dokumente duhet të bëhet në trajtën e pashquar (Albanë, Vjosë, Vesë).

Ndërsa, sipas tij shumë emra shkruhen me variantet si pasojë e përngjasimeve tingullore.

“Sa u përket emrave si Iliriana (Ilirjana), Ariana (Arjana), etj., format korrekte duhet të jenë: Iliriana – Pjesëtare e popullsisë së vjetër të Ilirisë, që njihet si paraardhës i popullit shqiptar, banor i Ilirisë (Ilir, Iliri, Iliriana, Iliria); Ariana – emër i përbashkët për popujt e lashtë, që flisnin në gjuhët indoevropiane. Format Ilirjana, Arjana…, etj., janë variante fonetike të këtyre emrave që janë formuar gjatë përdorimit si pasojë e përngjasimit tingullor i/j”- ka thënë gjuhëtari Berisha.

Emri sipas preferencave

Studiuesi Atdhe Hykolli, profesor në Fakultetin e Edukimit në UP “Hasan Prishtina” në Prishtinë thotë për KALLXO.com se njerëzit i vënë emrat sipas shijeve dhe preferencave.

Andaj sipas tij, nuk mund të ketë rregull drejtshkrimi për diçka të tillë.

Ndërsa, Avni Rudaku, sociolog thotë se prindërit, kujdestarët ligjorë, gjyshërit, familjarët, etj., nuk  i emërojnë fëmijët e tyre në bazë të normativave të drejtshkrimit të shqipes, pasi i emërojnë me emrat që i gjejnë në internet, me emra që i bashkojnë germat e para e të dyta të emrave të prindërve, etj.

Duan që emrat të jenë vetëm të veçantë, të ikin nga ndjenjat e pakëndshme që në të ardhmen mund t’i kenë fëmijët e tyre, të ikin nga bullizmi në rrugë, mediet sociale e veçanërisht në shkollë, të trashëgojnë emrat e familjarëve të ndjerë ashtu siç kanë qenë; e bëjnë edhe nga edukimi i dobët gjuhësor; vrapimi pas emrave në modë, në filma, emra politikanësh, heronjsh, yje muzikore e futbollistësh, vendesh, emra nacionalistë, figura kombëtare, etj.”, ka thënë ai.

Rudaku thotë se emrin mund ta lësh edhe gabim sipas drejtshkrimit shqip, sepse është vullnet plotësisht i më të rriturve, veçanërisht prindërve, për t’i emëruar fëmijët e tyre sipas preferncave.

Emërtimi sipas tij, është për ta dalluar dikë nga të tjerët, identifikim, shenjëzim, dhe tejkalon normativin e gjuhës shqipe; tejkalon rregullat. Pastaj, kur emri vendoset, vlejnë rregullat e lakimit në rasa, gjini, etj., qofshin edhe gabim sipas normativit.

“Emërtimi është për identifikim, bazuar edhe në preferencat e sotme: 1) sa ma i shkurtër; 2) të tingëllojë sa ma mirë për veshin e bashkëdëgjuesit e bashkëbiseduesit; 3) të mos ketë ndonjë lakim të lehtë në banalitet e vulgaritet për shaka e ngacmime; 4) të ketë kuptim ose domethënie, ose veç të tingëllojë mirë; 5) varet nga profesioni, karakteri, statusi social e kulturor i më të rriturve, gjuha, raca, etnia, feja, interesimet, pasionet, etj.; 6) të jetë sa më i rrallë, unik, ndonëse kemi paradoksin me emrin Unik, por që e kanë emrin e njëjtë, qindra fëmijë”.

Rudaku thotë se studimet shkencore dhe përvojat tregojnë se emri ka efekte të fuqishme psikologjike në jetëshkrimin dhe sjelljen, emocionet e botëkuptimet e njerëzve.