Fshati Shipitullë. Foto: BIRN
Qeveria i Hap Rrugë Zhvendosjes së Pavullnetshme të Shipitullës
Qeveria e Kosovës e ka miratuar vendimin për shpronësimin e 17 pronave në fshatin Shipitullë të Komunës së Obiliqit për t’ia mundësuar Korporatës Energjetike të Kosovës zgjerimin e mihjes së qymyrit.
Vendimi i qeverisë është marrë duke u bazuar në Ligjin për Shpronësimet, duke e anashkaluar kështu Kornizën për Politika të Zhvendosjes. Kjo kornizë që është adaptuar nga rregullat e Bankës Botërore, parasheh disa faza deri në zhvendosjen e banorëve, por që kërkon bashkëpunimin dhe pajtimin e banorëve me propozimet e institucioneve për kompensim dhe shpronësim. Meqë deri më tani KEK-u nuk ka arritur këtë pajtueshmëri, është hapur rrugë që zhvendosja e banorëve të Shipitullës të bëhet përmes Ligjit për Shpronësime.
Banorët e fshatit Shipitullë rrezikojnë që të përballen me zhvendosje të pavullnetshme, pasi Ligji për Shpronësimet ia mundëson një gjë të tillë KEK-ut, përkatësisht qeverisë si aksionare të KEK-ut. Në Shipitullë është lejuar ndërtimi i më shumë se 100 shtëpive pas shpalljes së kësaj zone si ‘zonë e interesit’.
Në situatë emergjente kur KEK-u paralajmëroi një krizë energjetike ishte arritur marrëveshje shpronësimi me gjashtë shtëpi nga 17 sosh për të cilat ishte planifikuar vlerësimi i pronave dhe shpronësimi.
Për 11 prona të cilat preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të KEK-ut tani është marrë vendim i plotfuqishëm për shpronësim.
Hapat emergjentë për fillimin e shpronësimit të këtyre pronave filluan në ditët e para të muajit gusht pasi që KEK-u paralajmëroi fundin e rezervave të qymyrit ngase zonat e reja të mihjes në fshatin Shipitullë janë ende të banuara.
Pas kësaj Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kishte paraparë të mbahej një dëgjim publik më datën 10 gusht me banorë për të marrë më pas vendimin preeliminar për shpronësim më datën 11.
Megjithëse në mbledhjen e sotme të qeverisë, Ministri Ferat Shala tha se ky dëgjim publik është mbajtur, këtë e demantojnë banorët e fshatit Shipitullë.
Ardian Mjeku, njëri nga pronarët e 17 shtëpive për të cilat është marrë vendimi për shpronësim, thotë se nuk kanë qenë të njoftuar për vendimin dhe asnjë dëgjim publik nuk është mbajtur.
“Dëgjimi publik që ka pasur të mbahet nuk është mbajtur. Ministria e Financave, Komisioni për Vlerësim të Pronave nuk ka hyrë brenda shtëpive tona, por vlerësimin e ka bërë prej rrugës dhe ka thënë se nuk ka kushte për jetesë”, tha Mjeku.
Duke mos qenë të kënaqur me vlerësimin që u është bërë pronave të tyre, Mjeku thotë nuk do të lëvizin nga shtëpitë dhe do të presin veprimet e qeverisë çfarëdoqofshin ato.
“Ne e kemi ndërmend me ndejt derisa të na heqin me dhunë, edhe nëse na heqin me dhunë ne s’kemi ku të shkojmë”, tha Mjeku.
Gjatë kohës kur KEK-u dhe ministritë përkatëse kanë vazhduar bisedimet me banorët rreth shpronësimeve, disa prej familjeve në Shipitullë u është vështirësuar madje rrezikuar jetesa.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe kryeinspektori i minierave të KPMM-së, Fatmir Gërguri, i cili ka kërkuar nga banorët që të lejojnë ekskavatorët që të punojnë edhe sonte ngase nesër e tutje do të merret një vendim.
Megjithëse ky vendim është marrë, sipas Mjekut ai nuk është respektuar dhe tani eskalatorët janë duke vepruar edhe në distancën prej 50 metrave që paraqet një rrezik të madh për shembje të tokave ku janë të vendosura shtëpitë e banuara.
Këtë situatë Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Mjedisit po planifikon ta zgjidh me vendimin e marrë sot për të cilën banorët kanë të drejtë ankese vetëm në gjykata por me pamundësi pezullimi të veprimeve.
Përveç këtyre 11 pronave , Ministri Ferat Shala po planifikon procedurë të njëjtë edhe për pjesën e mbetur të Zonës Kadastrale të fshatit Shipitullë.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë në detyrë, është miratuar një propozim- vendim për shqyrtim të shpronësimit të pronave të mbetura në Shipitullë.
Banorë të këtyre pronave ndajnë mendimin e njëjtë me bashkëfshatarët e tyre rreth shpronësimit.
Saim Krasniqi, pronar në grupin e pronave të lartcekura po ashtu konsideron se vendimi i qeverisë është i gabuar, por i pritshëm.
“Qeveria e Kosovës me qindra herë ka marrë vendime të gabuara, gjithmonë ka marrë vendime në favor të KEK-ut, asnjëherë askush nga qeveria apo ministritë nuk ka marrë mundin t’i takojë banorët për t’i parë në mënyrë të barabartë kërkesat tona dhe të KEK-ut”, tha Krasniqi.
“Gazeta Jeta në Kosovë” ka bërë analizimin në thellësi të problemeve në zonën me interes ekonomik të Kosovës.