Komuna e drejtuar nga partia e Haradinajt porosit mallëra serbe

Agjencia Qendrore e Prokurimit kishte shpallur një tender 23.5 milionë eurosh për t’i furnizuar disa institucione të Kosovës me artikuj ushqimor.

Njëra prej komunave që ka kërkuar furnizim me artikuj të ndryshëm ushqimor, është edhe Komuna e Klinës e cila udhëhiqet nga Zenun Elezaj nga AAK, i partisë së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit në muajin nëntor i kishte vënë taksë 100 për qind produkteve serbe.

KALLXO.com ka siguruar qasjen në kërkesat që Autoritetet Kontraktuese kishin bërë në AQP për furnizim.

Më këtë rast Komuna e Klinës, ka kërkuar edhe disa produkte serbe, ndër to 200 copa keksa “Plazma” apo ekuivalente nga 150 gramë, 2000 copë “Eurokrem” dhe 300 kilogramë të tjera po njejtës firmë “Eurokrem” ose ekuivalente.

Përveç këtyre produkteve serbe kjo komunë ka porositur edhe disa artikuj tjerë ushqimor me sasi të mëdha si dhe me firmë të specifikuar.

Komuna ka kërkuar 500 copa pashteta pule “Argeta” ose ekuivalentë, 1 mijë kilogramë “Divella” ose ekuivalente, 100 kilogramë fide “Divella”, të njejtën sasi si fide, Klina ka porositur edhe shpageta “Divella” apo ekuvialente.

Sasia më e madhe e kësaj porosie është ajo e “Pop Kekave”, kështu duke kërkuar 10 mijë sosh.

Kjo komunë nuk e ka lënë anash as kafen, ku ka bërë porosi për rreth 100 copë “Nesscaffe”.

Komuna që udhëhiqet nga AAK  ka porositur edhe 1000 kilogramë “Vegetë”, keksa “Petit Beurre” 500 kilogramë, 100 kilogramë peshk “Sardina” e 500 kilogramë mish gjedhi.

Lidhur me këto kërkesa, KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e kësaj komune.

Abaz Foniqi nga Zyra e Prokurimit në Komunën e Klinës tha se komuna i ka kërkuar për çerdhet këto produkte dhe se nuk i ka analizuar emërtimet e vëna nga AQP të produkteve.

“Komuna ka plotësuar tabelën e kërkuar nga AQP dhe artikujt e cekur nuk janë produkte të kerkuara. Ato janë të kërkuara nga Planifikimi për nevoja të çerdhes së fëmijëve në Klinë. Sasia është menduar për periudhën 36 mujore. Autoriteti ynë duke plotësuar kërkesën dhe emërtimet nga AQP nuk ka analizuar emërtimet”, tha Foniqi për KALLXO.com

Ndryshe, vendosja e markave të prodhueseve është e ndaluar me nenin 28 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Ndërsa AQP-ja e cila bënë prokurime për të gjitha institucionet, në emërtimin e produkteve që synon t’i blejë ka vendosur marka të prodhuesve të caktuar.

Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike janë edhe artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta” por që pas tyre shkruhet edhe ekuivalentë.

AQP-ja, në arsyetimin e saj, ka thënë se kanë përdorur një shabllon të vitit 2015.

“Për informimin tuaj, ky gabim ka ngel nga Dosjet e vjetra, sepse ketë vit, AQP gjatë  grumbullimit te kërkesave nga AK-se ka përdorur shabllonin e vitit 2015, dhe Zyrtari përgjegjës i prokurimit se bashku me Autoritetet Kontraktuese kane bere lëshim teknik pasi qe nuk kane modifikuar shabllonin ne përputhje me rrethanat”, është thënë në komunikatën e AQP-së.

KALLXO.com, ka shkruar se kjo Agjenci pas reagimit publik është angazhuar për t’i larguar nga lista vetëm prodhimet serbe, siç janë: “Smoki”, “Plazma” dhe “Eurokrem”.

Për vendosjen e shabllonit të vjetër, KALLXO.com, ka marrë vesh se drejtori i përgjithshëm i AQP-së, Behxhet Rukiqi është dërguar në komision disiplinor nga Ministria e Financave.