Kryetari i Komunës së Gjilanit | Foto: Atdhe Mulla

Gjilani Punëson 74 Punëtorë pa Konkurs

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se një pjese të këtyre punëtorëve komuna nuk ua ka paguar as tatimin.

“Numri i të angazhuarve përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta në Komunën e Gjilanit për vitin 2016 ka arritur në 74. Prej tyre kemi testuar 13 dhe kemi vërejtur se komuna nuk ka mbajtur tatimin në burim, ashtu siç kërkohet me Ligjin për të Ardhurat Personale, neni 37 dhe 38”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Raportin Financiar të Komunës së Gjilanit për vitin 2016.

Disa kontrata të mësimdhënësve, sipas auditorit, ishin në shpërputhje me udhëzimin administrative për kontratën e punës.

“UA nr.10/2015 për Kontratën e Punës për Mësimdhënës të Arsimit Parauniversitar saktësisht shtojca I5 përcakton kontratën e punës për mësimdhënës. Nga 30 mostrat e testuara, kontratat e punëtorëve nuk ishin të hartuara në përputhje më këtë udhëzim administrativ”, tregon e gjetura e raportit të ZAP-it.

Auditori ka gjetur parregullsi edhe me rastin e shpërndarjes së subvencioneve.

“Prej 11 rasteve të testuara, në tri raste të pagesave në vlerë totale prej 3,350€, mungonin kërkesat që në mënyrë specifike do të përcaktonin qëllimin, vendin, kohën, personat dhe aktivitetet që do të mbulohen me shumat e subvencionuara, siç kërkohet me Rregulloren për Ndarjen e Subvencioneve nr. 016-144327. Këto subvencione ishin dhënë për kulturë dhe sport”, thuhet në raport.

Edhe renovimi i shtëpive për rastet sociale ishte bërë pa vendim të Kuvendit Komunal të Gjilanit pasi ishte tejkaluar limiti.

“Kemi vërejtur se për pagesën 56,958€ të datës 05.12.2016 për punët e kryera për financimin e një numri përfituesish, nuk kemi gjetur ndonjë vendim nga Kuvendi Komunal për këtë tejkalim të limitit të lejuar”, thuhet në raport.

ZKA-ja identifikon vonesa në përmbylljen e këtyre investimeve kapitale. Madje, për një projekt të nisur në vitin 2010 pagesat janë bërë në vitin 2016, e punët nuk janë pranuar fare teknikisht.

“Në vitin 2016 janë ekzekutuar pagesa dhe kryer punë për projektet kapitale ‘Asfaltimi i rrugicave në Perlepnicë’ dhe ‘Asfaltimi në Lagjen e Zabeli i Sait Agës’ në shumën prej 15,804 eurove për të cilat kontratat ishin nënshkruar në mars të vitit 2010 përkatësisht 2011. Edhe pse plani dinamik parashihte kryerjen e këtyre punëve për dhjetë (10) përkatësisht 24 ditë pune, këto dy (2) projekte ende nuk janë pranuar teknikisht”, thuhet në raportin e auditorit.

Auditori ka gjetur se shumë kontrata janë nënshkruar përkundër që nëpër dosje të tenderit janë hasur parregullsi.

“Tek tenderi ‘Furnizim me Material Botues’– ritenderim, mungonte siguria e ekzekutimit dhe plani për menaxhimin e kontratës, tek tenderi ‘Furnizim me Dru për Ngrohje’ mungon njoftimi për nënshkrimin e kontratës, tek dosja e tenderit ‘Mirëmbajtja Dimërore e Rrugëve te Gjilanit’, deklaratat nën betim ishin të paplotësuara dhe mungonte plani për menaxhim të kontratës dhe tek dosja e tenderit ‘Asfaltimi i Rrugëve në Lagjen e Zabelit’ nuk është bërë njoftimi për nënshkrimin e kontratës dhe siguria e ekzekutimit është sjellë pas nënshkrimit të kontratës. Po ashtu, njoftimi për nënshkrimin e kontratës nuk ishte bërë tek dosja e tenderit ‘Ndërtimi i Çerdhes në Lagjen Dardania’”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Mbi 400 mijë euro projekte të planifikuara nuk u realizuan për shkak të vonesave në prokurim.

“Komuna ishte jo mjaft efikase në ekzekutimin e buxhetit për investime kapitale dhe për vitin 2016, kishte planifikuar t’i realizojë katër (4) projekte në shumë prej 440,000€ të cilat nuk kishin filluar fare. Arsye ishte mospërgatitja e dokumentacionit të duhur dhe vonesat në fillimin e procedurave të prokurimit”, thuhet në raport.

Komuna nuk ka strategji kundër korrupsionit dhe strategji tjera të përgjithshme. Raporti i auditorit identifikon dobësi në kontrollet menaxheriale, sipas kësaj të gjeture formati i raporteve nuk ofron shpjegime dhe nuk azhurnohet çdo muaj. Komuna ka ngecje në zbatimin e rekomandimeve të auditorëve të brendshëm duke zbatuar vetëm 39 për qind të rekomandimeve.