Dakordimi i Ohrit, çka pas formimit të Komitetit të përbashkët monitorues?

Ashtu siç edhe ishte dakorduar në Ohër, pas 31 ditëve Kosova dhe Serbia të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian kanë themeluar Komitetin e Përbashkët Monitorues.

Ky komitet do të kryesohet nga i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbinë do ta përfaqësojë, kryenegociatori për dialog Petar Petkoviq.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano ka thënë se “detyra e Komisionit të përbashkët është që të mbikëqyrë implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e implementimit të saj”.

Ende nuk dihet koha e saktë se kur ky Komitet do të zhvillojë mbledhjen e parë, por në njoftimin e Bashkimit Evropian bëhet e ditur se kjo mund të ndodhë pas takimit të 2 majit në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj”- thuhet në njoftimin e BE-së.

Në takimin e lartë të paralajmëruar më 2 maj pritet që palët të arrijnë dakordim për marrëveshjen për të pagjeturit.

Marrëveshja për të pagjeturit është urgjencë e cila del nga aneksi i dakorduar më 18 mars në Ohër.

Për këtë marrëveshje, zëvendëskryeministri për dialog i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori serb Petar Petkoviq kanë diskutuar në takimin e 4 prillit.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka deklaruar se në takimin e radhës të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, BE do të ta mbështesë miratimin e tekstit për marrëveshjen për të pagjeturit.

“Marrëveshja që ata arritën për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë atë në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë që do të mbledh”- ka shkruar Borrell në Twitter një ditë pas takimit.

Ankesi po ashtu ka paraparë që Kosova të nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut.

Zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi një ditë pas takimit të 4 prillit ka sqaruar sesi Kosova do ta zbatoj këtë pikë.

“Hapi i parë që e nis procesin është prezantimi i draftit… Në takimin e radhës do të prezantohet drafti. Drafti do të prezantohet nga grupi punues nuk e kemi ne”- ka thënë Bislimi më 5 prill në #KallxoPernime.

Bislimi ka treguar edhe kriteret për vlerësimin e draftit, duke theksuar se nëse bien ndesh me to, drafti do të jetë i papranueshëm.

“A ka ky draft ndonjë kompetencë që nënkupton shtresë të re të qeverisjes në Kosovës, a ka ky draft ndonjë element që nënkupton të drejta kolektive, a ka ndonjë element që nënkupton se nuk është në harmoni me marrëveshjen 2013/ 2015, a është ky draft me elemente që nuk janë në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, a ka ky draft elemente të cilat bien ndesh me që Mogerini ia ka dërguar kryeministrit Mustafa në vitin 2015”- ka sqaruar ai.

Kjo pikë ishte vendosur në ankesin e Ohrit për të zbatuar nenin 7 të marrëveshjes bazë.

Nëni 7 kërkon  që palët të angazhohen për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Përveç kësaj ky nen kërkon që palët ta zyrtarizojn statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Aneksi i Ohrit pas 150 ditëve parasheh edhe ‘shpërblim’ për palët, mirëpo kjo vetëm nëse zbatohen zotimet paraprake.

Sipas aneksit Bashkimi Evropian do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë.

“Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht”, thuhet në aneks.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdimisht ka insistuar që marrëveshja duhet zbatuar në tërësi dhe jo në copëza.

Aneksi i dakorduar në Ohër të Maqedonisë së Veriut paralajmëron masa për palët që nuk e zbatojnë.

Për këtë aneks nuk janë hedhur nënshkrime, por Bashkimi Evropian ka deklaruar se kjo është obligative për palët.

Ky aneks buron nga marrëveshja bazë për normalizimin e raporteve Kosovës Serbi i njohur ndryshe si propozimi evropian ose edhe franko-gjerman.

Përmbajtja e kësaj marrëveshje është publikuar më 27 shkurt.

Marrëveshja me 11 nene, e nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.