“Na krypi tu na rrejt” është frazeologji e gjuhës shqipe që përdoret për të rrëfyer për një njeri që gënjen. Më saktësisht, kjo është një gjendje ku niveli i sasisë së kripës në një ushqim përjetohet si niveli i tolerancës së shijes së njeriut për të përbirë apo të mos përbirë një gjë të servuar.
Për shkak të kësaj domethënie, kemi vendosur ta emërojmë matësin tonë të vërtetës KRYPOMETËR dhe me numrin e kryporeve ta masim nivelin e gënjeshtrës, apo së vërtetës, që i servohet publikut nga personat publikë.
Përderisa Washington Post, matjen e të së vërtetës e bën me Testin e Pinokios e “Politifact”, organizatë e njohur në Amerikë e bën këtë matje me shprehjen “digjen brekët” të bazuar në ninullën e njohur në anglisht “liar, liar, pant’s on fire” (“rrenc o rrenc, po të digjen brekët”) – ne në Kosovë kemi vendosur ta përdorim kripën si sinonim popullor me rrenën apo gënjeshtrën.
Qëllimi i Krypometrit është të reflektojë mbi vërtetësinë e një deklarate publike, ta skenojë e ta inspektojë një deklaratë të një figure politike lidhur me çështjet me rëndësi të madhe, lokale, qendrore apo ndërkombëtare.
Ne nuk do të fokusohemi vetëm te akuzat dhe kundër-akuzat politike që përdoren zakonisht gjatë zgjedhjeve. Do të synojmë t’i shpjegojmë gjërat e vështira, të ju sjellim kontekstin apo historikun e asaj deklarate dhe do paraqesim analizë të të dhënave dhe shpjegim të asaj se si e formulojnë mendimin politikanët, diplomatët e të tjerët për ta shtrembëruar apo për ta hijezuar të vërtetën.
Suksesi i këtij projekti varet në një masë të madhe edhe nga ju – lexuesit e shikuesit tanë. Do të mbështetemi në publikun për të na dërguar sugjerime për deklarata që janë bërë nga politikanë, grupe të interesit si dhe nga mediet që t’i inspektojmë sesa janë këto të bazuara në fakte. I mirëpresim komentet e sugjerimet përmes @ krypometër në Facebook dhe twitter.
KRYPOMETËR është pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të inspektuesve të fakteve, apo komunitetit që quhet “fact-checkers” (verifikues faktesh), dhe nënshkruese të Parimeve Etike të cilat duhet të zbatohen me rastin e kontrollimit të fakteve.
KRYPOMETËR është pjesë të Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrolluesve të Fakteve (IFCN) të Institutit Poynter që është i përkushtuar në promovimin e ekselencës në vërtetimin e fakteve. Një verifikim i paanshëm dhe transparent i fakteve mund të bëhet instrument i fuqishëm për gazetari llogaridhënëse. Në të kundërtën, verifikimi i anshëm i fakteve a burimeve e rrit mosbesimin në media dhe në ekspertë duke e baltosur diturinë e publikut. Kjo deklaratë është rezultat i konsultimeve në mes të verifikuesve të fakteve nga e gjithë bota dhe u ofron gazetarëve dhe praktikuesve tjerë disa parime për t’i përdorur në jetë të përditshme. Internews Kosova është nënshkrues të këtij kodi të parimeve që u shpall me 15 shtator 2016.
Për të përzgjedhur deklaratat që do të kontrollohen, ne do të gërmojmë nëpër fjalime, lajme, intervista të shkruara dhe të transmetuara, deklarata për shtyp, broshura fushatash, reklama, postime të Facebook-ut. Për shkak se nuk mund t’i përzgjedhim të gjitha pohimet, ne do të fokusohemi te ato që janë më aktuale dhe të rëndësishme.
Për t’i përzgjedhur deklaratat që do t’i kontrollojmë, do t’i shtrojmë këto pyetje, të cilat i përdor edhe “Politifact” që ëshë fitues i Çmimit Pulitzer.
•A është deklarata e bazuar në ndonjë fakt që mund të verifikohet? Ne nuk i kontrollojmë opinionet dhe jemi të vetëdijshëm që në botën e fjalim-shkruesve dhe retorikës politike, lejohet hiperbolizimi i gjërave.
•A po lë përshtypje deklarata e caktuar që është mashtruese?
•A është deklarata e rëndësishme? Do t’i ikim deklaratave që përfaqësojnë lapsus apo gabime gojore.
•A ka gjasa kjo deklaratë të përsëritet e të përcillet nga të tjerët?
•A i shkon mendja një qytetari të thjeshtë kur ta dëgjojë atë deklaratë të pyes: A thua, a është kjo e vërtetë?
KRYPOMETËR do të bazohet në intervista që merren me persona që kanë emër e mbiemër dhe do të publikojë listën e burimeve në secilën matje të së vërtetës. Ku kjo është e mundur, lista do të përfshijë burime që janë në dispozicion publik. Qëllimi i kësaj është që t’i lihet lexuesit e shikuesit të vlerësojnë vetë se a pajtohet me vlerësimin.
Fjalët kanë rëndësi – ne i kushtojmë vëmendje të veçantë mënyrës se s’i formulohet një pretendim. A është një deklaratë precize? A përmban deklarata fjalë apo fraza lehtësuese?
Konteksti ka rëndësi – Ne kontrollojmë deklaratat në kontekstin e plotë të tyre, komentet e bëra para dhe pas bërjes së deklaratës, pyetjet që e patën si pasojë deklaratën në fjalë si dhe qëllimin që dëshironte të arrinte personi përmes kësaj deklarate.
Barra e dëshmisë – Personat që bëjnë deklarata faktike janë përgjegjës për fjalën e tyre dhe duhet të jenë në gjendje që të ofrojnë dëshmi për t’i mbështetur këto deklarata. Ne do të bëjmë përpjekje që të verifikojmë këto deklarata, por besojmë që barra e dëshmisë bie mbi personin që e bën deklaratën.
Deklaratat mund të jenë të drejta dhe të gabuara – Nganjëherë, ne vlerësojmë deklaratat që përmbajnë dy apo më shumë pohime faktike. Në raste të tilla, ne e vlerësojmë vërtetësinë e të gjithë deklaratës pasi që të shikojmë pjesët individuale të saj.
Koha – Vlerësimi ynë bazohet në kohën kur është bërë deklarata dhe në informacionet që kanë qenë të qasshme në atë kohë.
E vërtetë – Deklarata është “e vërtetë, e gjithë e vërteta dhe asgjë më shumë se e vërteta” dhe do të shpërblehet me vulën e aprovimit në Krypore.
Pjesërisht e vërtetë – Deklarata po e tregon një të vërtetë selektive. Ka disa mangësi, zmadhime dhe pak dredhime të së vërtetës, por nuk ka rrenë të qartë, andaj klasifikohet si pjesërisht e vërtetë.
Me kos – Deklarata ka lëshime serioze ose/ edhe ekzagjerime të tepruara. Ndonjëherë mund të përfshijë edhe gabime faktuale, por nuk është e domosdoshme. Një politikan mund të krijojë një përshtypje të gabuar duke luajtur me fjalë dhe duke përdorur gjuhë që nuk ka ndonjë domethënie për njerëzit e thjeshtë. Kjo pra klasifikohet si gjysmë e vërtetë, apo sipas gjuhës popullore “e përzime me kos”.
Rrenë – Deklarata nuk është e vërtetë. Deklarata ka gabime faktike serioze dhe/ose ka kontradikta të qarta. Kjo hyn në fahun e asaj që është kryesisht e pavërtetë. Deklaratat e tilla mund edhe të përdorin të dhëna që janë teknikisht korrekte (si për shembull të dhëna statistikore zyrtare) por janë të përdorura aq jashtë kontekstit, saqë përfundojnë të jenë mashtruese.
Rrenë e kryptë – Deklarata është gënjeshtër e kulluar – jo vetëm që nuk është e vërtetë, por në vete ngërthen edhe pretendime qesharake/të pamenduara/absurde.
Qëndrim i ndërruar – kjo paraqet një deklaratë e cila mund të jetë e vërtetë, por është një ndërrim komplet prej atij pozicioni që ka mbrojtur ai person përpara. Gjithkush ka të drejtë ta ndërrojë mendjen, por ne mendojmë se ia vlen të shënohet kur një politikan apo fytyrë publike ka thënë krejt të kundërtën në një moment, e më vonë e ka ndërruar mendjen plotësisht për atë çështje.
Në rastet kur nuk mund të arrihet shpejt një kontrollim i deklaratës dhe kur një çështje është shumë komplekse, ose kur ka argumente të mira në të dyja anët, ne do ta stopojmë vlerësimin për të mbledhur ende fakte. Do të përdorim këtë forum për të hedhur sa më shumë dritë në deklaratat kontroverse që nuk mund të zgjidhen lehtë.
Të gjitha vlerësimet janë të hapura për debat dhe kritikë prej publikut tonë dhe palët e interesuara, si dhe të gjitha vlerësimet mund të freskohen kur paraqiten fakte të reja. Ju ftojmë t’i bashkoheni diskutimit dhe të na kontaktoni me sugjerime e ankesa. Nëse ju duket që kemi qenë shumë të ashpër me një politikan, e të butë me tjetrin, thjesht na tregoni për gabimet që kanë mund të na jenë përvjedhur.
Misioni i KALLXO.com është raportimi i informacionit të drejtë dhe të saktë. Lexuesve dhe palëve të përfshira u rekomandohet që nëse shohin gabime përmbajtjesore në drejtshkrim, gabime teknike apo çfarëdo lloj gabimi tjetër t’i raportojnë ato në redaksinë tonë personalisht, përmes postës në adresën Rr. Afrim Zhitia Nr.7, Mensa e Studentëve, kati i parë, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës; përmes e-mailit: [email protected] ose përmes telefonave 038/22 44 98 dhe 044/22 44 98.
Shkresat dhe reagimet eventuale ndaj publikimeve tona do të publikohen në rubrikën “Letër Redaksisë” me përkushtimin tonë që secilin rast të përshkruar më lartë ta trajtojmë brenda 48 orëve duke ofruar përgjigje.
Gabimet e konstatuara në tekste do të evitohen menjëherë, ndërsa në fund të secilit tekst do të jetë e shënuar fusnota e cila tregon se përmbajtja është edituar, së bashku me datën, kohën dhe arsyet e editimit.
KRYPOMETËR inkurajon të gjithë lexuesit që të bëhen lexues aktivë dhe të ndihmojnë në identifikimin e përmbajtes së pavërtetë.
Lexuesit mund të raportojnë në ti.kallxo.com dhe t’i sygjerojnë ekipit tonë realizimin e Fact Check. Platforma jonë ofron garancione që raportimi juaj do jetë anonim, që të dhënat tuaja nuk do ndahen me palët e treta dhe materialet do t’i nënshtrohen filtrimit të standardeve tona.
KALLXO.com në plotni i përmbahet kodit etik të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës– KMSHK, Komisionit të Pavarur të Mediave- KPM, parimeve të Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve- IFCN (International Fact-checking Network) si dhe zbaton politikën e promovuar nga rregullorja e Bashkësisë Europiane për GDPR dhe zbaton politikën e ruajtjes së privatësisë sipas standardeve të Agjencisë për Mbrotjen e Privatësisë në Kosovë- AMPK.
Internews Kosova është organizatë jo-fitimprurëse me status të benificuar të përfituesit publik sipas vendimit të Departamentit të OJQ-ve. Financat e Internews Kosova i nënshtrohen kontrollit vjetor nga Auditori i pavarur dhe nga departameni i OJQ-ve.
Burimet e financimit të Internews Kosova janë publike dhe nuk lidhen me interesa të partive politike apo grupeve të tjera të interesit.
Tabela e mëposhtme paraqet të gjitha burimet e financimit që Internews Kosova i ka pasur gjatë vitit 2023.
Internews Kosova bën transparente të gjitha projektet që realizohen nga organizata dhe përmes të cilave organizata gjeneron të hyra.
Për projektet mund të lexoni më shumë në këtë link.
Mënyra e financimit të të hyrave të Internews Kosova është publike dhe lexuesit mund të kontrollojnë të gjitha të hyrat e gjeneruara dhe mjetet e shpenzuara duke lexuar raportin e auditorit të pavarur i cili është në këtë link.
Bordi i Internews Kosova / Internews Kosova Board:
Eric Johnson – Kryetar bordi / Head of Board
Susanne Drake – Anëtare / Board member
Fatrion Ibrahimi – Anëtar / Board member
Susan Anne McClear – Anëtare / Board member
Faik Ispahiu – Anëtar / Board member
Bordi Ekzekutiv / Executive Board:
Faik Ispahiu – Drejtor Ekzekutiv / Executive Director
Lum Ademi – Drejtor Financiar / Financial Director
Kreshnik Gashi – Zëvendës Drejtor / Deputy Director
Ekipi i Krypometrit / Krypometer team:
Bordi Editorial / Editorial Board:
Faik Ispahiu – Drejtor dhe kryeredaktor / Director and Chief Editor
Kreshnik Gashi – Redaktor menaxhues / Managing Editor
Visar Prebreza – Redaktor senior / Senior Editor
Naim Krasniqi – Redaktor / Editor
Granit Mavriqi – Redaktor i rrjeteve sociale / Social Media Editor
Taulant Osmani – Redaktor i video prodhimeve / Video Editor
Ekipi i Verifikimit / Fact Checking Team:
Antigonë Isufi – Gazetare / Journalist
Mediana Halili – Gazetare / Journalist
Shqipron Xhema – Gazetar / Journalist
Vlera Shabani – Gazetar / Journalist
Valon Fana – Gazetar / Journalist
Produksioni dhe ilustrimet / Production and ilustration:
Valdet Salihu – Producent / Producer
Besnik Krivanjeva – Dizajn / Designer
Afrim Ejupi – Kameraman / Cameraman
Naser Fejza – Ueb Producent / Web Producer
Bashkëpuntorë / Partners:
Labinot Leposhtica – Ekspert i të drejtës mediale /
Laurant Berisha – Hulumtues ligjor / Legal researcher
Dorentina Kastrati – Gazetare / Journalist
Shkodrane Dakaj – Gazetare / Journalist
Arjana Berisha – Gazetare / Journalist
Luljeta Beselica – Gazetare / Journalist
Ilirjana Hoti – Gazetare / Journalist
Ardita Zeqiri – Gazetare / Journalist
Adelina Ahmeti – Gazetare / Journalist
Përkthimet e materialeve / Translation services:
AM LANGUAGE SERVICES
BE TRANSLATED TRANSLATION AND INTERPRETATION AGENCY
Mirëmbajtja dhe Siguria Kibernetike / Web maintenance and Cyber Security:
Dapton LLC
Cingerr