Ilustrim

A mund t’ia dalë Gjermania pa gazin rus?

Olaf Scholz reagoi më 27 mars me fjalë jashtëzakonisht të ashpra ndaj një pyetjeje nga Anne Will, një drejtuese e njohur e talk-shoë, rreth studimeve nga ekonomistët që sugjerojnë se një ndalim i menjëhershëm i importeve të energjisë ruse do të reduktonte rritjen ekonomike gjermane vetëm me një sasi relativisht modeste. “Pikëpamja e tyre është e gabuar,” tha Scholz, duke shtuar se ishte “e papërgjegjshme” të futeshin numrat në modelet matematikore për të arritur në këtë përfundim.

Për disa javë, ekonomistë të shquar kanë debatuar me pasion mes tyre dhe me ministrat e kancelarit Scholz për pasojat e ndalimit të energjisë ruse. Qeveria, si dhe grupet e lobimit industrial dhe institutet shkencore të afëerta ose me të ose me sindikatën, argumentojnë se një ndalim do të çonte në papunësi të lartë, varfëri masive dhe një recesion. Por disa ekonomistë të pavarur, si dhe një numër politikanësh opozitarë, këmbëngulin se pasojat do të ishin të menaxhueshme, nëse janë esenciale.

Debati mund të bëhet ende i diskutueshëm. Më 30 mars Robert Habeck, ministri gjerman për ekonominë dhe klimën, e aktivizoi fazën e parë të një plani emergjent për t’i menaxhuar furnizimet me gaz në rast se Rusia e ndalon eksportin e gazit të saj. Ajo po kërcënon ta bëjë këtë sepse Gjermania dhe pjesa tjetër e G7-ës po refuzojnë të pranojnë kërkesën e Putinit që vendet “jomiqësore” të paguajnë për gazin në rubla.

Por nëse gazi vazhdon të rrjedhë, do të vazhdojë edhe debati për moralin e blerjes së tij. Gjermania importon rreth 600 milionë euro gaz, naftë dhe qymyr rus në ditë, duke ndihmuar kështu në financimin e luftës së Vladimir Putinit në Ukrainë. Scholz thotë se ndalimi i kësaj do ta dëmtonte Gjermaninë më shumë se Rusinë, edhe pse qeveritë e tjera evropiane kanë kërkuar një embargo. Këtë javë IMK, një institut i afërt me sindikatat gjermane, publikoi një studim që mbështet vlerësimin e zbehtë të qeverisë. Ai thotë se ndalimi i importeve të energjisë nga Rusia do të shkaktonte një recesion të thellë, me një PBB që mund të tkurret me më shumë se 6% edhe nëse furnizuesit alternativë mund ta kompensonin gjysmën e gazit të furnizuar nga Rusia. Këto janë vlerësime të përafërta. “Është e pamundur të modelohet seriozisht ndalimi i importeve të gazit”, paralajmëron Sebastian Dullien nga Instituti IMK.

IMK e gjen veten në marrëveshje të rrallë me lobe industriale si BDI, shoqata e industrisë gjermane. Në fillim të marsit, Siegfried Russëurm, shefi i BDI-së, paralajmëroi se të bisedosh për një embargo të BE-së ndaj energjisë ruse nënkupton të “luash me zjarr” dhe do ta dëmtojnë BE-në më shumë se agresorin, Rusinë në këtë rast. BASF, një gjigant gjerman i kimikateve, tha se nëse furnizimi i tij me gaz përgjysmohet, do të duhet ta ndalojë prodhimin në fabrikën më të madhe të kimikateve në botë në Ludwigshafen, e cila punëson rreth 40,000 njerëz. Qindra mijëra punë të lidhura do të ishin në rrezik. Martin Brudermüller, shefi i BASF, u tha investitorëve më 26 mars, “Nuk ka asnjë mënyrë që gazi rus të zëvendësohet në afat të shkurtër”.

Këto vlerësime pesimiste kundërshtohen nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW); një dokument pune i bashkëhartuar nga një grup ekonomistësh gjermanë dhe ndërkombëtarë dhe i botuar nga IFO, një grup tjetër kërkimor; dhe ECONtribute, një grup kërkimor ekonomik që përfshin universitetet e Bonit dhe Këlnit. Këto sugjerojnë se PBB-ja gjermane do të merrte një goditje deri në 3% nëse importet e energjisë ruse do të ndërpriteshin menjëherë. Kjo është dukshëm më pak se rënia prej 4.5% e PBB-së gjermane në vitin 2020, viti i parë i pandemisë Covid-19, të cilën Gjermania ia doli ta menaxhojë në mënyrë stoike.

“Problemi i madh është gazi”, thotë Moritz Schularick, një nga autorët e gazetës. Humbja e naftës dhe qymyrit rus mund të menaxhohej relativisht lehtë, pasi ato mund të zëvendësohen me importe nga vende të tjera. Por Gjermania merr afërsisht gjysmën e gazit të saj nga Rusia. Një rritje në importet e gazit nga vendet e tjera, zëvendësimi i energjisë elektrike nga qymyri ose energjia bërthamore me atë me gaz dhe një rimbushje e qëndrueshme e objekteve të magazinimit gjatë verës mund të përbëjnë vetëm 70% të kësaj, mendon ai.

Pyetja kryesore është se si do ta përballonte këtë industria gjermane. Të gjithë janë dakord se gjetja e zëvendësuesve të shpejtë të gazit në proceset industriale është një detyrë e frikshme. Megjithatë, Benjamin Moll, një nga autorët e tjerë të punimit të lartcekur, vëren se gjatë Luftës së Dytë Botërore ekonomia amerikane tregoi një aftësi mahnitëse për t’u përshtatur me mungesa të ngjashme. Kur në vitin 1940, presidenti i atëhershëm i Amerikës, Franklin Roosevelt, kërkoi që kompanitë amerikane të prodhonin 50,000 avionë luftarakë në vit, ekonomistët e konsideruan kërkesën e tij të çmendur, sepse prodhimi vjetor i avionëve për ushtrinë në vitin 1939 ishte më pak se 3,000. Në fund të luftës Amerika ia doli të prodhonte më shumë se aq.

Në një intervistë me Welt am Sonntag, një gazetë javore, Wolfgang Schäuble, ish-ministër financash, argumenton se njerëzit ndonjëherë duhet të bëjnë sakrifica të konsiderueshme për mënyrën e tyre të jetesës dhe liritë e tyre. Për më tepër, prolongimi i luftës në Ukrainë është gjithashtu i kushtueshëm për ekonomitë evropiane. “Ka shumë kosto të fshehura për shkak të pasigurisë”, thotë Luis Garicano, anëtar i Parlamentit Evropian, i cili mbështet një embargo të menjëhershme të energjisë nga BE. Garicano ka frikë se një embargo e tillë do të ndodhë vetëm pasi Rusia ta përshkallëzojë më tej luftën e saj brutale. “Ne do të duhej të presim për këtë”, thotë ai./The Economist

Përgatiti: Nuhi Shala