Milaim Zeka, deputet i NISMA-s. Foto: Kallxo.com

Flet avokati i Milaim Zekës: Arrestimi i deputetit është i pabazë

Avokati i Milaim Zekës, Gazmend Halilaj, në një deklaratë për KALLXO.com ka thënë se arrestimi i deputetit Milaim Zeka është e pabazuar.

“Masa e arrestit është një nga masat e fundit në bazë Kodit të Procedurës Penale, dhe prokuroria nuk ka bazë për arrestimin e të mbrojturit tim, Milaim Zeka. Dyshimi për kanosje ndaj të mbrojturit tim nuk qëndron sepse veprimet e tij nuk plotësojnë kriteret për t’u cilësuar vepër penale”, tha avokati i Milaim Zekës.

Sipas avokatit Halilaj, deklarimi i Milaim Zekës se “se do ta ndjekë penalisht e me kanun” prokurorin Afrim Shefkiu, i cili po merret me listat e veteranëve përfitues, nuk përbën kanosje.

“I mbrojturi im është keqkuptuar, ngase ai ka dashur të thotë se do të përdor mjetet juridike. Sa i përket deklarimit për kanun, ai ka dashtë të nënkuptoj procedurat e ndërmjetësimit që parashihen në kanun”, tha Halilaj për KALLXO.com.

Në mëngjesin e sotëm, deputeti i NISMA-s, Milaim Zeka është arrestuar nga Policia e Kosovës. Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëvendës Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha.

“Po është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë. Arsyeja është kanosje përmes mjeteve të informimit”, tha Berisha për KALLXO.com.

Milaim Zeka tash e tri ditë është përfshirë në debate me prokurorinë për shkak të disa incizimeve të bisedave që kanë rrjedhë në media.

Në një bisedë telefonike, Zeka tha për KALLXO.com se do ta ndjekë “penalisht e me kanun” prokurorin Afrim Shefkiu, i cili po merret me listat e veteranëve përfitues.

Zeka ka thënë se do ta ndjek Afrim Shefkiun, Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Presidentin Hashim Thaçi.

https://kallxo.com/arrestohet-deputeti-milaim-zeka/

https://kallxo.com/milaim-zeka-riperserit-kercenimet-per-aleksander-lumezin-e-afrim-shefkiun/