Arkiv - Nasim Haradinaj - OVL e UÇK-së

Zbulimi i KALLXO.com: Nasim Haradinaj i fsheh antikorrupsionit biznesin me Rrahim Hashimin

Kallxo.com ka zbuluar se Drejtori i Bujqësisë në komunën e Deçanit dhe nënkryetari i OVL– UÇK-së, Nasim Haradinaj nuk ka deklaruar në Agjencinë kundër Korrupsion se është aksionar i kompanisë  “West Investigation & Advisory L.L.C”.

Kjo kompani në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve konfiguron se ka kapital 50 mijë euro dhe se bashkëpronar janë Rrahim Hashimi, personi që u shfaq në disa pamje duke numëruar para që dyshohet se u morën me fajde, si dhe Nasim Haradinaj, Korab Rexhepi dhe Ilir Gjeli.

Kapitali i Haradinajt në këtë biznes është 30 për qind apo 15 mijë euro, ndërsa aktiviteti primar i tij është këshillimi për biznese dhe këshillat e tjera për menaxhim.

E në një bisedë për KALLXO.com Haradinaj tha se deklarimin e pasurisë e ka bërë para se të krijonte kompaninë, edhe pse në ARBK thuhet se kompania në fjalë është regjistruar më 22.07.2009.

“Unë tek e kam regjistru në ARBK e kam deklaruar, dhe deklarimen e kam bërë para se me fillu firmën kaq. Nuk ka kurgjo ilegale në momentin që ti e regjistron në ARBK s’ka kurgjo ilegale këtu”, tha Haradinaj për KALLXO.com

Fshehja ose mosdeklarimi i pasurisë në Agjencionin Kosovar Kundër Korrupsionit është vepër penale.

Por Nasim Haradinaj ka deklaruar pasurinë e paluajtshme të tij, të luajtshme dhe të hyrat vjetore.

Sa i përket pasurisë së paluajtshme ai ka deklaruar se ka një tokë në vlerë 3 milionë e 300 euro, një tokë tjetër 4 hektarë në vlerë 80 mijë euro dhe një shtëpi me vlerë 370 mijë euro.

Kurse si pasuri të luajtshme ai ka deklaruar se ka një veturë me vlerë 4 mijë euro dhe një mëz të vogël me vlerë 3 mijë euro.

Por Haradinaj nuk ka edhe shumë para të gatshme. Ai ka deklaruar se në bankën Raiffaisen ka vetëm 600 euro.

Nasim Haradinaj po ashtu ka edhe disa kredi në banka. Një në TEB me vlerë 46 mijë euro,  një në Pro Credit Bank 32 mijë euro dhe një në Raiffaisen 5 mijë euro.

Kurse si të hyra vjetore nënkryetari i OVL-UCK-së ka deklaruar se nga paga si drejtor komunal merr 640 euro.

Në maj të këtij viti pas raportimit të KALLXO.com, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj këshilltares së kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Këshilltarja e kryeministrit Ramush Haradinaj sot u ballafaqua në Gjykatë për akuzën e mosdeklarimit të pasurisë.

Pas hulumtimit disamujor të Gazetës Jeta në Kosovë, në dhjetor të vitit të kaluar KALLXO.com raportoi se Meliza Haradinaj – Stublla, këshilltarja politike e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion biznesin që e ka regjistruar në Londër. Ajo nuk kishte deklaruar të ardhura si pronare e kompanisë “IN MIDDLE LTD”, me zyrë në “108 Woolmead Avenue” në Londër.

https://kallxo.com/hulumtimi-i-kallxo-com-ngrihet-aktakuze-ndaj-keshilltares-se-haradinajt/