Dreka zyrtare e Ramush Haradinajt me alkool e vera australiane

Një drekë zyrtare e ekzekutivit kosovar më 16 janar të vitit të kaluar kuletës së shtetit i kishte kushtuar 307 euro e 40 cent.

KALLXO.com posedon faturën në të cilën janë përshkruar edhe ushqimet dhe pijet e konsumuara.

Tri vera australiane “S.C. Cabernet Reserv” kishin kushtuar 75 euro, secila nga 25 euro.

Në këtë drekë ishin paguar 56 euro për mish viçi. Ndërsa, dy Tava Elbansani me mish viçi kushtuan 14 euro.

Në këtë drekë u shtrua edhe ajvar në vlerë prej 12 euro e 60 cent.

Ndërsa, 14 sallata mikse kushtuan 35 euro.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi mbi shpenzimin e parasë publike nga zyrtarët e lartë publik.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka marrë faturat e shpenzimeve të drekave dhe darkave zyrtare të Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave.

Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Zyra e Kryeministrit, dje ka reaguar ndaj publikimeve të faturave në media.

Zyra e Kryeministrit ka apeluar te mediat që i publikojnë këto fatura, të mos ja etiketojnë shpenzimet kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, por të gjithë stafit të Qeverisë.

“Është e papranueshme që të manipulohet opinioni publik duke tentuar që kategorizimit “Dreka” t’i epët konotacion individual si shpenzim nga Kryeministri Haradinaj, përderisa në këtë kategori siç e cekëm më lartë, përfshihen njëkohësisht edhe të gjitha shpenzimet zyrtare të stafit, shpenzimet protokollare, ceremoniale për mysafirë dhe delegacione nga vendi dhe të huaja në emër të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu në reagim thuhet që të merret parasysh “dinamika e lartë e aktiviteteve shtetërore, të Institucionit të Kryeministrit dhe Kryeministrit Haradinaj në veçanti”.

Shishet e shampanjës për zyrën e Ramush Haradinajt kushtuan nga 50 euro

www.kallxo.com