Shishet e shampanjës për zyrën e Ramush Haradinajt kushtuan nga 50 euro

Në mars të vitit të kaluar, Zyra e Kryeministrit kishte blerë në një dyqan të verërave 4 shishe shampanjë me vlerë totale prej 200 euro.

Për një shishe shampanjë ishin paguar 50 euro.

Blerja e shampanjës është bërë më 9 mars të vitit 2018.

Në faturë nuk specifikohet arsyet e blerës së këtyre shampanjave.

Qeveria e Kosovës ka shije të hidhur nga shampanja, pasi që ish ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku kishte hapur kot një të tillë, duke festuar për liberalizimin e vizave, diçka që nuk ka ndodhur ende.

Fatura është pranuar dhe nënshkruar nga shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka marrë faturat e shpenzimeve të drekave dhe darkave zyrtare të Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave.

Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Zyra e Kryeministrit, sot ka reaguar ndaj publikimeve të faturave në media.

Zyra e Kryeministrit ka apeluar te mediat që i publikojnë këto fatura, të mos ja etiketojnë shpenzimet kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, por të gjithë stafit të Qeverisë.

“Është e papranueshme që të manipulohet opinioni publik duke tentuar që kategorizimit “Dreka” t’i epët konotacion individual si shpenzim nga Kryeministri Haradinaj, përderisa në këtë kategori siç e cekëm më lartë, përfshihen njëkohësisht edhe të gjitha shpenzimet zyrtare të stafit, shpenzimet protokollare, ceremoniale për mysafirë dhe delegacione nga vendi dhe të huaja në emër të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu në reagim thuhet që të merret parasysh “dinamika e lartë e aktiviteteve shtetërore, të Institucionit të Kryeministrit dhe Kryeministrit Haradinaj në veçanti”.