Kryesuesi i Këshillit Prokurorial me 95 mijë eruo para të gatshme në banka

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni në deklarimin e pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit (AKK), ka deklaruar se si pasuri të pa-luajtshme posedon dy shtëpi dhe dy ngastra toke si dhe një lokal të cilat e kapin vlerën e përgjithshme prej 245 mijë euro.

Hyseni në pronësi të përbashkët posedon një shtëpi me lokal dhe oborr në vlerë prej 70 mijë euro, me sipërfaqe prej  1,680 m2 katrorë.

Ai ka deklaruar edhe një shtëpi me oborr prej 3.9 ari, në pronësi të përbashkët familjare, në vlerë prej 100 mijë euro.

Po ashtu ai ka deklaruar se posedon edhe dy ngastra toke të cilat kapin vlerën e 30 mijë eurove, të cilat janë pasuri e përbashkët familjare.

Përpos dy shtëpive dhe dy ngastrave të cilat i ka në emër të përbashkët me familjen, kryesuesi i KPK-së ka deklaruar se posedon edhe  një lokal që kap  vlerën 45 mijë euro, të cilin ka thënë se e ka blerë nga kursimet.

Ndërsa nga pasuria e luajtshme ai ka deklaruar një veturë, e blerë nga vajza si dhuratë, në pronësi të fëmijëve, e viti 2019, në vlerë prej 5 mijë euro.

Sa i përket parave të gatshme kryesuesi Hyseni, ka deklaruar se në bankë posedon shumën e parave mbi 95 mijë euro.

Kurse sa i përket të hyrave vjetore lidhur me pagat dhe mëditjet, kryesuesi Bahri Hyseni gjatë një viti përfiton shumën mbi 37 mijë euro.

Të hyra vjetore të tjera nga qiraja e lokalit, i ka deklaruar 1,500 euro, si dhe nga shitja e veturave, 29,500 euro.

Po ashtu ka deklaruar pagën vjetore, nga bashkëshortja, si praktikante në MPMS në zyrën e punësimit, prej 1,750 euro.